Kryetari i KLSH-së, zoti Bujar Leskaj pret në zyrën e tij piktorin Ziso Kamberaj

05.01.2016

Në datën 5 janar 2016, Kryetari i Kontrollit të Lartë të Shtetit, Zoti Bujar Leskaj zhvilloi një takim në zyrën e tij me piktorin e shquar Ziso Kamberaj. Në fokus të bisedës ishte zhvillimi i artit shqiptar dhe pasioni i zotit Kamberaj për pikturë.

Zoti Leskaj e cilësoi Zotin Kamberaj si një artist me shumë vlerë për vendin tonë, teksa shtoi se ai ka shërbyer për të promovuar vlerat e vendit tonë në disa  shtete. Piktori Kamberaj prej më shumë se 20 vitesh jeton në Gjermani, teksa nuk e ka harruar dhe Shqipërinë. Ai është autori i mbi 50 ekspozitave personale dhe mbi 150 ekspozitave në bashkëpunim. Shumë nga këto ekspozita janë hapur në Shqipëri, ndërsa mjaft të tjera në territore jashtë vendit, si: Hungari, Itali, Francë, Holandë, Bullgari, Gjermani, Zvicër, Greqi, Danimarkë, Britani e Madhe, etj. Ziso Kamberaj është diplomuar në vitin 1992, në moshën 27- vjeçare, në Akademinë e Arteve të Bukura në Tiranë për “Pikturë Monumentale”.

Një vit pas mbarimit të studimeve, Ziso Kamberaj bëhet një nga bashkëpunëtorët kryesor në themelimin e galerisë së parë private në Shqipëri: Galeria Te&Gi, në të cilën ai bashkëpunon deri në vitin 2005. Një arritje shumë e madhe e tij ka qenë në vitin 2014, pasi u përfshi në Enciklopedinë Gjermane për artin “International Kunts Hunter 2014” (Arti Internacional Sot 2014), ku ndër 170 piktorë ndërkombëtarë, i vetmi shqiptar ishte Ziso Kamberaj. Kreu i Kontrollit të Lartë të Shtetit,

Zoti Bujar Leskaj e cilësoi piktorin Kamberaj, si një figurë të vyer të artit shqiptar. Në koleksionin e Tij, zoti Leskaj ka disa (mbi 10) piktura të piktorit Ziso Kamberaj.