Kryetari i KLSH-së takon sportistin e mirënjohur z. Bejkush Birçe

29.10.2017

birce1_copy_1

Në datën 29 tetor 2016 Kryetari i KLSH-së, z. Bujar Leskaj zhvilloi një takim me z. Bejkush Birçe.

Bejkush Birçe është një emër i njohur i sportit shqiptar dhe për këtë gëzon respektin e shumë njerëzve që e njohin nga afër. Në shprehje të këtij respekti, do të ishte dhe pritja që Kryetari i KLSH, z.Bujar Leskaj, i bëri në zyrën e tij, zotit Bejkush Birçe.

Përgatitja dhe pajisja me kulturë të gjerë sportive e bashkuar me aftësitë dhe talentin e tij, bënë të mundur që gjatë gjithë jetës së tij të shkëlqejë në fusha të sportit si debutues i suksesshëm dhe më vonë si trajner virtuoz, që u ngjit në majat më të larta të karrierës së tij sportive.

Karriera e tij sportive ka filluar duke luajtur me ekipin përfaqësues të Tiranës, në vitin 1952, në kampionatin kombëtar të futbollit për të rinj. Rruga e gjatë sportive ka kaluar në shumë skuadrave të futbollit të ekipeve të “Tiranës”, të “Partizanit” dhe të “Flamurtarit” të Vlorës. Zoti Birçe ka marrë pjesë në kampionate kombëtare në sporte të ndryshme përfshirë këtu edhe si anëtar i ekipit përfaqësues kombëtar të boksit. Zoti Birçe do të mbahet mënd si një trajner i suksesshëm dhe kurajoz, që në çdo ekip ku ka vajtur për ta rimëkëmbur, ka bërë reforma të guximshme për kohën dhe kudo që ka nisur një punë të re, ja ka dalë me sukses. Të gjithë e kujtojnë si trajner futbolli në ekipet e Tiranës, Partizanit, Dinamos, Flamurtarit të Vlorës, Naftëtarit të Kuçovës, Lokomotivës dhe më vonë Teutës së Durrësit, që i ka marrë në perëndim dhe i ka ngritur në piedestal të sportit shqiptar. Me këto ekipe ka marrë tituj si Kampion i Vendit në kampionate e kupa të Republikës si dhe në Super kupën e Republikës.

Me skuadrat që ka drejtuar, z. Birçe ka marrë pjesë në disa kupa Ballkanike dhe të Evropës. Për meritat e tij si trajner është zgjedhur zëvendës President i Federatës Shqiptare të Futbollit nga viti 1997-2001. Në karrierën e tij të gjatë, kujtohet si një trajner i Ekipit Kombëtar, që i ka dhënë emër e prestigj futbollit shqiptar, duke u përfaqësuar denjësisht në kupat eliminatore të kampionatit Evropian dhe atij Botëror.

Bagazhi i tij sportiv e ka bërë z. Bejkush Birçe një emblemë të sportit Shqiptar. Për meritat e tij të shumta e të gjithanshme, është nderuar me shumë medalje e tituj nderi.
Kryetari Leskaj i shprehu z. Birçe mirënjohjen për kontributin e dhënë dhe që vazhdon të japë, ndërsa nga ana tjetër, z. Birçe e falënderoi zotin Leskaj për vlerësimin dhe respektin që tregon ndaj figurave që kanë bërë historinë e sportit shqiptar.