Kryetari i KLSH-së pret në një takim atdhetarin dhe ish-të përndjekurin politik, z.Memisha Gjonzeneli

09.08.2017

Kryetari i Kontrollit të Lartë të Shtetit z.Bujar Leskaj priti në një takim atdhetarin, ish të përndjekurin politik dhe shkrimtarin vlonjat, z.Memisha Gjonzeneli. I lindur në Vlorë, z.Memisha Gjonzeneli arrestohet në moshë shumë të re si “armiku i popullit”,  e burgoset në Burgun e Burrelit i akuzuar për pjesëmarrje në Grupin e Rinisë Antikomuniste Vlonjate.  Z.Memisha Gjonzeneli rrjedh nga një fis i shquar të zonës së Tragjasit të Vlorës, me kontribute të spikatura patriotike në mbrojtjen e vlerave të kombit shqiptar. Prej shumë vitesh, z.Gjonzeneli jeton në Çikago të SHBA-së ku vazhdon veprimtarinë e tij patriotike, si një nga drejtuesit e komitetit shqiptaro-amerikan, në mbështetje të përhershme të interesave kombëtare të shqiptarëve.

Kryetari i KLSH-së vlerësoi figurën e z.Memisha Gjonzeneli, i cili, qysh në fillimet e komunizmit pati guximin dhe kurajon për të mbrojtur lirinë dhe të drejtat e shqiptarëve, përballë një regjimi kriminal komunist. Z.Leskaj vuri në dukje kontributin e çmuar që z.Gjonzeneli jep në Komunitetin Shqiptaro-Amerikan, si aktivist dhe organizator i aktiviteteve kombëtare. Kreu i KLSH-së theksoi se veprimtaria letrare e z.Gjonzeneli është një dëshmi historike të një regjimi kriminal komunist, një denoncim i pasojave që ka sjell komunizmi për jetët e njerëzve kudo në botë dhe një kronikë e guximit dhe rezistencës së shqiptarëve për liri.

img_0715-4

Z.Memisha Gjonzeneli është autori edhe i tregimeve “Armiku”, “Buzëqeshja e Ngrirë” dhe Puthja e Fundit”. Në tregimin “Armiku”, ngjarjet zhvillohen në Vlorë dhe tregohet identikiti kriminal e ideologjik i një “sigurimsi” i cili kur merr vesh se i biri është shpëtuar nga mbytja në det nga një “armik i populli”, nuk gëzohet për jetën e të birit, por shpërthen me fjalët “E shikon ç’farë na ke bërë more palaço?!” Djali mbuloi kokën me çarçaf. - Edhe këtë kishim mangët, të na shpëtojë jetën një armik i popullit, një i burgosur politik”.

Në tregimin “Buzëqeshja e Ngrirë”, z.Gjonzeneli rrëfen një ngjarje që e tërheq me mjeshtëri lexuesin në suspansat e ngjarjes. Gjithçka nis para togës së pushkatimit nga nazistët të një grupi partizanësh polakë, mes tyre heroina Sava, e cila merr një puthje në dy faqet nga një djalë i panjohur, i cili shuhet e bie përdhe me një buzëqeshje të ngrirë pas thirrjes “Zjarr”. Heroina Sava, mjeke lufte, i shpëton ekzekutimit nazist, por jo atij komunist, e cila kishte tradhtuar idealet e luftës e kishte ngritur një diktaturë polake-ruse. Tregimi është një ndërthurje harmonike mes lirikes dhe epikes, një kryqëzim fatesh që nis nga ajo buzëqeshja e ngrirë e atij  djali të ri të ekzekutuar, e që përfundon po me një buzëqeshje të ngrirë të Savës. Ajo vritet me urdhër komunist të veçantë për organizimin e protestave antikomunist, nga dora e një snajperi. Ky i fundit, një djalë i ri, zbulon nga fotot e vjetra të të atit ku kishte dalë me një grup partizanësh, se objektivi që i kishin dhënë për ekzekutim  kishte qenë mjekja e luftës që i kishte shpëtuar dy herë jetën të atit të tij.

Me rastin e festimeve të 100 vjetorit të Pavarësisë z.Memisha Gjonzeneli është dekoruar me medaljen e artë  “Naim Frashëri” nga Presidenti i Republikës në vitin 2012, me motivacionin “Për kontribut të rëndësishëm në emigracionin shqiptar të SHBA-ve, veçanërisht si organizator i forumeve me pjesëmarrjen e figurave të politikës amerikane dhe personaliteteve nga Shqipëria dhe Kosova”.