Kryetari i KLSH-së merr pjesë në promovimin e librit “ Balil Nezha Kalorës i Trimërisë”

31.08.2015

ago nezhaNë datën 29 Gusht 2015, në Orikum të Vlorës, Shoqata Kulturore Atdhetare “ Labëria”, Dega Vlorë, organizoi promovimin e Librit “ Balil Nezha Kalorës i Trimërisë” të autorit Prof. Dr. Ago Nezha. 

Në këtë event merrnin pjesë personalitete të vendit, profesorë, artistë, të afërt, miq  dhe shokë të autorit. Njëkohësisht ishin të pranishëm dhe Kryetari i Kontrollit të Lartë të Shtetit Dr. Bujar Leskaj dhe Kryetarja e Këshillit Bashkiak të Vlorës,

Znj. Vojsava Shkurti. Fjalën e hapjes e mbajti Kryetari i Shoqatës Kulturore Atdhetare “ Labëria” dega Vlorë, Amet Dema, i cili nënvizoi faktin se ky libër nuk është thjeshtë një monografi e një heroi, apo biografia e një fisi, por rrok një diapazon tepër të gjerë të luftërave për liri, pavarësi dhe prosperitet shoqëror të krahinës së Labërisë. Ai, tregoi për hulumtimet e shumta të autorit nëpërmjet arkivave, botimeve dhe legjendave, që qarkullojnë nga Jugu në Veri, për të zbuluar origjinën e fisit dhe bëmat e heronjve të tyre. Pas prezantimit të librit fjalën e mori Dr. Bujar Leskaj, që është njëkohësisht dhe një nga recensentët kryesor të këtij botimi. Në fjalën e tij vlerësuese z.Leskaj e cilësoi këtë libër si një enciklopedi të fisit të Nezhajve. Ai e shtriu mendimin më tej duke e quajtur një model për të hulumtuar në thellësitë e shekujve për të gjetur rrënjët e fisit.

Në kohën e sotme, theksoi ai në fjalën e tij, ku globalizmi dhe emigracioni kanë krijuar një precedent të rrezikshëm për t’u shpërbërë jo vetëm fisi, por dhe familja, ky libër është një mesazh, jo thjeshtë për fisin e Nezhajve, por për gjithë shoqërinë shqiptare, që të ruaj kujtesën historike duke respektuar marrëdhëniet e gjakut, duke njohur historinë, traditat dhe vlerat trashëgimore. Në këtë këndvështrim, ai e vlerësoi historinë e fisit të Nezhajve si një copë Shqipëri. Vlerësime mbresëlënëse u bënë edhe nga Prof. Dr. Bardhosh Gaçe, Kryetarja e Këshillit Bashkiak të Vlorës zj.Vojsava Shkurti, si dhe biri i fisit të Nezhajve, gazetari Lirim Nezha.

Një emocion të veçantë ngjallën interpretimet e Artistëve të Popullit, Luftar Paja dhe Bujar Asqeriu, i pari duke treguar episode satirike nga personazhe që janë përshkruar në libër dhe i dyti duke lexuar fragmente tragjike nga jeta në burg të heroit kryesor të librit Balil Nezhës, si dhe poezi lirike të tij. Të pranishmit shkëmbyen biseda dhe vazhduan vlerësimet për librin.

Ky libër, nga përmbajtja lëndore u konsiderua një model i letrarizuar, që kalon në një prozë romaneske dhe që i bën nder jo vetëm fisit të Nezhajve, por më gjerë, se kushdo ka ç’të mësojë për komunitetin dhe fisin e vet.