Kryetari i KLSH merr pjesë në inagurimin e Ansamblit Monumental të Mesaplikut

11.05.2015

Më  7 maj 2015, Kryetari i KLSH-së, z.Bujar Leskaj mori pjesë në ceremoninë e përurimit të Ansamblit Monumental të Mesaplikut. Ky ansambël i rrallë në llojin e vet, vepër e skulptorit të talentuar Viktor Simoni, jep imazhin e shqiponjës krahë hapur në fluturim, që ka në qendër Ismail Qemalin dhe në krahë figura të shquara historike të krahinës patriotike të Lumit të Vlorës, si Cane Miftari, Selam Hasani, Zaçe Xhelo, Zigur Lelo, Toto Hosi dhe Hamit Lumi(zona e Shullërit ose krahu i djathtë i shqiponjës) dhe Zenel Gjoleka, Lulo Abazi, Sali Vranishti, Memo Mete, Ahmet Lepenica dhe Halim Xhelo(zona e Rrëzës ose krahu i majtë i shqiponjës).

mesa1

Mesapliku është krahinë etnografike në rrjedhën e mesme të Shushicës (Lumi i Vlorës), me një trashëgimi të jashtëzakonshme dhe unike të rezistencës kundër pushtuesve të huaj të të gjitha kohërave, djep i mirëfilltë i patriotizmit shqiptar. Mund të thuhet se është vendi me dendësinë më të madhe të heronjve të rezistencës shqiptare. Krahas vlerave historike, Bazilika e Mesaplikut (shek.VI e.r) është klasifikuar monument i periudhës paleokristiane.
Gjatë ceremonisë, z. Leskaj vlerësoi lart kontributin e 15 firmëtarëve, përfaqësues të shoqërive atdhetare – kulturore të Mesaplikut e të Kurveleshit të Poshtëm, sidomos te z. Bardhosh Gaçe, kryetar i shoqatës “Ismail Qemali”,  z. Namik Jahaj, kryetar i Shoqatës “Mesapliku” dhe atdhetarit të palodhur Ahmet Dema -kryetar i shoqatës “Labëria” për Vlorën, që ndezën këtë zjarr të ri atdhetar në formën e kompleksit skulpturor të figurave të shquara të kësaj krahine.