Kontrolli i Lartë i Shtetit organizon takimin e V-të të Grupit të Punës së EUROSAI-t për Auditimin e Fondeve të Alokuara për Fatkeqësitë dhe Katastrofat

30.04.2019

Në datat 24-25 Prill 2019 Kontrolli i Lartë i Shtetit organizoi takimin e V-të të Grupit të Punës së EUROSAI-t për  Auditimin e Fondeve të Alokuara për Fatkeqësitë dhe Katastrofat.

Tema kryesore e kativitetit ishte  “Roli dhe kapacitetet e SAI-eve në rritjen e aftësisë së sigurisë së popullatës në rastet e fatkeqësive”. 

Në fjalën e çeljes së takimit zv. Kryetari i KLSH-së, Znj. Milo e vendosi theksin tek rëndësia e nxitjes së bashkëpunimit profesional midis SAI-ve për të përmbushur në mënyrë eficiente  dhe efektive misionin e Institucioneve Supreme të Auditimit si "mbikëqyrës" të parave publike.

katastr1

Ajo gjithashtu vuri theksin tek  nevoja e intensifikimit të  punës për kryerjen e auditimeve për fondet e alokuara për rastet e katastrofave të shkaktuara nga ndikimi i individit, përditësimin dhe shkëmbimin e bazës së të dhënave, shkëmbimin e praktikave të mira për  auditimin në fushën e parandalimit dhe pasojave për eliminimin e përmbytjeve, si dhe mundësinë e kontributit konkret për adresimin e  Objektivave të Zhvillimit të Qëndrueshëm, nga ky grup pune. “Çelësi i suksesit të bashkëpunimit në kuadër të këtij grupi pune është vullneti për të shkëmbyer njohuritë  dhe dëshira për të punuar së bashku. Qasja më e mirë në rezultatet e punës së kryer në auditimet e koordinuara ose paralele  dhe në  auditimet e kryera nga SAI-et në mënyrë  individuale si dhe shfrytëzimi i rezultateve si burim referimi në punën tonë të përditshme është faktor i rëndësishëm në kryerjen e auditimeve sipas standardeve ndërkombëtare”- nënvizoi znj. Milo.

Zyra e Llogarive të Ukrainës drejton sekretariatin e këtij grupi pune dhe Presidenti i kësaj zyre, z. Valeriy Patskan, në fjalën e tij theksoi se çështjet e e auditimit që mbulohen nga ky grup pune janë të një rëndësie të veçantë për shoqëritë e vendeve tona pasi ato ndikojnë jo vetëm në jetën e qytetarëve por edhe në ekonomitë e vendeve. Këtë fakt e konfirmon edhe raportimi i Përfaqësuesit Special të Sekretarit të Përgjithshëm të OKB-së për Reduktimin e Rrezikut nga Fatkeqësitë, z. Mami Mizutori, i cile raporton se në 2018 si pasojë e fatkeqësive natyrore gjetën vdekjen më shumë se 10 mijë njerëz, ndërkohë që 60 milion të tjerë u plagosën.

“Popullatat dhe ekonomitë e vendeve tona gjithashtu gjithnjë e më tepër po përballen me fatkeqësitë e shkaktuara nga njeriu, të cilat janë gjithashtu në fokusin e këtij grupi pune. Ndaj synimi ynë i përbashkët duhet të jetë bashkëpunimi efektiv dhe i frytshëm në kryerjen e auditimeve që minimizojnë dhe parandalojnë pasojat për shoqëritë e vendeve tona”  - theksoi z. Patskan.

Në këtë takim morën pjesë përfaqësues të Shqipërisë, Bjellorusisë, Bullgarisë, Gjeorgjisë, Kazakistanit, Moldavisë, Polonisë, Rumanisë, Serbisë, Sllovakisë, Turqisë dhe Gjykatës Evropiane të Audituesve
 

katastr2

Në emër të Kontrollit të Lartë të Shtetit bëri një prezantim Drejtoresha e Përgjithshme, zj.Manjola Naço, me temë “Auditimi i çështjeve që lidhen me katastrofat në Shqipëri- mangësitë dhe sfidat”. Zonja Naço fillimisht bëri një prezantim të mënyrës së funksionimit të KLSH-së, si edhe të menaxhimit të katastrofave natyrore në Shqipëri nga strukturat e shtetit shqiptar, që aktualisht janë në varësi të Ministrisë së Mbrojtjes. Zonja Naço u fokusua më pas në çështje të auditimit të fondeve të alokuara për katastrofat, si edhe në parandalimin e tyre.  Prezantimi u ndoq me interes nga të pranishmit.

Gjatë dy ditëve të takimit u trajtuan edhe temat si më poshtë :

- Konventa e Bazelit- Problemet e zbatimit në nivel kombëtar dhe ndërkombëtar dhe mënyrat për t'i zgjidhur ato;
- Vlerësimi i eficiencës së  zbatimit të sistemit të menaxhimit të mbetjeve shtëpiake dhe efiecienca e përdorimit të fondeve të buxhetit të shtetit në këtë fushë;
- Lufta kundër marketingut të plesticideve të ndaluara;
- Karakteristikat e transportit ndërkufitar të mbeturinave të pajisjeve elektrike, elektronike dhe të baterive të përdorura;
- Rekomandime nga praktikat e mira për auditimet e kryera  për  parandalimin dhe eliminimin e pasojave të përmbytjeve;
- Roli dhe kapacitetet e SAI-t të Ukrainës në rritjen e sigurisë së popullatës nga katastrofat;
- Qendrat Kimike, Biologjike, Radiologjike dhe Bërthamore  e Ekselencës së BE-së: nevojitet më shumë progres;
- Rreziku i formimit të mbetjeve radioaktive pas çaktivizimit të centralit bërthamor të Çernobilit- problemet dhe pasojat.  

katastr3


Në këtë takim mori pjesë edhe Zv. Ministri i Mbrojtjes z. Petro Koçi, Drejtori i Përgjithshëm i Drejtorisë së Përgjithshme të Emergjencave Civile, z. Haki Çako dhe Drejtori i Planifikimit të këtë drejtori z. Maksimiljan Dhima, i cili bëri një prezantim të sistemit të emergjencave civile dhe masat e marra nga kjo drejtori në kuadër të rekomandimeve të lëna nga KLSH për parandalimin e përmbytjeve.

Në përfundim, pjesëmarrësit e këtij aktiviteti bënë edhe një vizitë në qendrat historike dhe kulturore të Tiranës.