Kontrolli i Lartë i Shtetit dhe Autoriteti i Konkurrencës nënshkruajnë Marrëveshje Bashkëpunimi

Kontrolli i Lartë i Shtetit dhe Autoriteti i Konkurrencës nënshkruajnë Marrëveshje Bashkëpunimi, të nisur nga interesi dhe ndjeshmëria e qytetarëve si taksapagues dhe konsumatorë për efiçiencë e përgjegjshmëri maksimale të administratës publike në shpenzimin e fondeve publike.

Të dyja institucionet kanë vënë re se interesat e qytetarëve preken ndjeshëm nga deformimet e kontratave publike në proceset e prokurimeve, ankandeve, konçesioneve, apo çdo forme tjetër të partneritetit publik-privat, si dhe nga fakti që zbatimi i këtyre kontratave luan një rol të rëndësishëm në tregun vendas, duke ndikuar edhe në shkallën e konkurrencës, si dhe në shfaqjen e dukurive si kufizimi, pengimi apo deformimi i konkurrencës në treg. Me qëllim përmirësimin e kontrollit të përdorimit efektiv të fondeve publike dhe të mirëadministrimit financiar, si dhe mbrojtjen e konkurrencës së lirë dhe efektive në treg,

konkurencaKontrolli i Lartë i Shtetit merr përsipër të njoftojë në një kohë sa më të shpejtë Autoritetin e Konkurrencës për rastet kur gjatë auditimeve te tij konstatohen praktika të administratës publike, ose kontrata administrative si prokurime, ankande, konçesione etj. që mund të ndikojne negativisht në shkallën e konkurrencës.

Ndërsa Autoriteti i Konkurrencës merr përsipër që në përfundim të kontrolleve apo hetimeve të tij, në rast zbulimi të praktikave abuzive apo arbitrare që cënojnë interesat pasurore të shtetit, t’i dërgojë sa më shpejtë KLSH një kopje të dokumenteve të nevojshme.  

Të dyja institucionet angazhohen me këtë Marrëveshje të organizojnë aktivitete të përbashkëta për rritjen e ndërgjegjësimit të administratës publike në parandalimin dhe shmangien e praktikave të kundraligjshme dhe abuzive në dëm të taksapaguesve dhe konsumatorëve, si dhe i ofrojnë njeri-tjetrit shërbime të ekspertizës dhe trajnimit për fushat respektive të veprimtarisë.

Kjo marrëveshje vjen fill pas nënshkrimit nga KLSH të marrëveshjes së bashkëpunimit me Inspektoratin e Lartë të Deklarimit dhe Kontrollit të Pasurive dhe nga ana e Autoritetit të Konkurrencës, e memorandumit të mirëkuptimit me Drejtorinë e Përgjithshme të Patentave dhe Markave.