Konferenca e IV-të Shkencore "Analiza e Riskut"

analiza e riskut_001

 

 

Konferencat shkencore mbi auditimin dhe financat publike janë aktivitete që sjellin mendimin më të përparuar shkencor të vendit, por edhe të partnerëve të Kontrollit të Lartë të Shtetit, institucioneve supreme të auditimit të vendeve të rajonit dhe më gjerë. Në këtë drejtim, qasjet në auditim, problematikat në zbatimin e standardeve të pranuara ndërkombëtarisht ISSAI për auditimin suprem publik, diskutimi i mënyrës së paraqitjes së gjetjeve nga auditimi tek partnerët kryesorë të institucionit suprem të auditimit (SAI-t) dhe i zbatimit efektiv të rekomandimeve të tij, marrin një vlerë të shtuar kur sillen së bashku dhe ballafaqohen praktika pune dhe eksperienca nga shumë SAI.

 

 

Më 28 dhjetor 2012, zhvilluam Konferencën e Parë Shkencore të KLSH, duke ju referuar historikut të institucionit, me rastin e 100 Vjetorit të Pavarësisë së Shtetit Shqiptar. Një vit më vonë organizuam Konferencën e dytë shkencore, me temë “Roli i Institucioneve Supreme të Auditimit për një menaxhim financiar të përgjegjshëm në sfidat e sotme”, ndërsa në fund të tetorit 2014, Konferencën e Tretë Shkencore me  temë “Auditimi kombëtar në shërbim të qeverisjes kombëtare”.

 

Konferenca e katërt shkencore e KLSH “Analiza e Riskut”, materialet e së cilës po i paraqesim në këto dy vëllime,   merr një rëndësi të veçantë në kushtet e zhvillimit të  vendit tonë, ku teknikat e identifikimit, vlerësimit dhe menaxhimit të risqeve, sidomos në ekonomi, ende njihen pak. Njohja e detajuar e risqeve të shumta makroekonomike ndihmon në adresimin e duhur të tyre, duke përgatitur programe për shmangien e risqeve, ose, në pamundësi për t’i shmangur, për pakësimin e   pasojave nga ndodhja e tyre.    

 

Qasjet në analizën e riskut janë të shumta, por prezantimet e tre ditëve të Konferencës synuan identifikimin e kërcënimeve ndaj ekonomisë se vendit si dhe vlerësimin e risqeve, duke treguar mënyrat për t’i menaxhuar ato.

 

Konferenca solli vlerësimin e riskut në fushën e burimeve natyrore, pasurive kombëtare, burimeve financiare, monetare, etj., riskun shoqëror dhe njerëzor dhe impaktin e tyre në vendimmarrje, sidomos për reformat tërësore në menaxhimin e   borxhit publik, riskun në auditimin e tenderave publike, në auditimin antikorrupsion, etj.

 

Gati të gjitha prezantimet në Konferencë kishin një emërues të përbashkët, bashkëpunimin në sistem, njëlloj si moto e INTOSAI-t “Experentia mutua Omnibus prodest”(Nga përvoja e përbashkët fitojmë të gjithë”).

 

Dua të falënderoj të gjithë referuesit në Konferencë, profesorët e nderuar, panelistët, bashkëdrejtuesit e Konferencës, përfaqësuesit nga SAI-t partnere, nga institutet studimore dhe organizatat profesionale, si dhe stafin e KLSH, për realizimin e një aktiviteti me vlera dhe mesazhe të rëndësishme për mirëqeverisjen publike dhe rrugët për përballimin e risqeve financiare e fiskale të vendit.

 

 

Bujar Leskaj

  Konferenca e IV-të Shkencore "Analiza e Riskut"  Volumi I-rë

 Konferenca e IV-të Shkencore "Analiza e Riskut"   Volumi II-të