Kodi i Etikës, Kodi i Sjelljes-ECA, ISSAI 30- Kodi i Etikës

kodi etikes

Në bazë të Nenit 1 të ISSAI 1, Deklarata e Limës, të ISSAI 30 “Kodi i Etikës” të INTOSAI-t, të ISSAI 12 “Vlerat dhe Përfitimet e SAI-ve: të bësh diferencën në jetët e qytetarëve”, Parimi 4, pika 3, të ISSAI 20 “Parimet e Transparencës dhe Përgjegjshmërisë”, Parimi 2 dhe 4, si dhe të ligjit integral të KLSH Nr. 154/12 datë 27.11.2014 “Për Organizimin dhe Funksionimin e Kontrollit të Lartë të Shtetit”, ju paraqesim këtë botim që përmbledh Kodin e Etikës të INTOSAI-t(ISSAI 30), Kodin e Etikës të Gjykatës Evropiane të Audituesve(ECA- institucioni suprem i auditimit i Bashkimit Evropian) dhe Kodin e Etikës të KLSH.

Rregullat e moralit dhe etikës së punës audituese janë bazat e ngrehinës së një institucioni suprem auditimi. Sikurse shprehet Gene L. Dodaro, Audituesi i Përgjithshëm i SHBA-ve"Etika dhe integriteti janë kaq të rëndësishme për auditimin. Ato përbëjnë themelet e profesionit tonë ...Besueshmëria e GAO-s(SAI i SHBA-ve) varet nga perceptimi - dhe realiteti- që puna jonë është kryer me integritet dhe bazuar në parimet etike .... Si një agjenci e auditimit që mban agjencitë e tjera shtetërore të përgjegjshme, është thelbësore që njerëzit tanë të ruajnë standardet më të larta etike në punën dhe sjelljen e tyre". (Nga fjala “Etika dhe Integriteti në Auditim: Një parakusht për Mirëqeverisjen", mbajtur në Konferencën vjetore të Shoqatës Amerikane për Administratën Publike “Leksione të Elliot Richardson”, New Orleans, Louisiana, SHBA, më 17 mars 2013) Japim për audituesit tanë, por edhe për audituesit publikë në tërësi dhe për lexuesin shqiptar, rregullat e etikës ashtu si kërkohen nga standardet ndërkombëtare të auditimit suprem publik(ISSAI-t), nëpërmjet Kodit të Etikes ISSAI 30 të organizatës INTOSAI, nëpërmjet Kodit të Etikës të SAI-t të Gjykatës Evropiane të Audituesve (ECA) të Bashkimit Evropian, ku ne synojmë të anëtarësohemi dhe jemi vend kandidat, si dhe nëpërmjet Kodit tonë të Etikës, të miratuar me Vendimin e Kryetarit të KLSH nr 56 datë 30.04.2015, i cili reflekton tërësisht kërkesat dhe orientimet e dy kodeve të mësipërme, si dhe punën e bërë nga INTOSAI për përditesimin e ISSAI 30.

Kemi vepruar kështu, pasi korniza etike e një SAI ka një vijueshmëri dhe bashkëveprim me komunitetin të cilit ai i përket dhe, sikurse theksohet në parathënien e ISSAI 30, “Kodi i Etikës i INTOSAI-t ka për qëllim të  përbëjë një bazë për kodet kombëtare të etikës. Secili SAI ka përgjegjësinë për të siguruar që të gjithë audituesit e tij të njihen me vlerat dhe parimet e përfshira në Kodin e Etikës dhe të veprojnë në përputhje me to”.

Një Kod Etike në auditimin suprem publik, është një deklaratë e plotë e vlerave dhe parimeve të cilat duhet të udhëheqin punën e përditshme të audituesve. Vitor Calderia, Presidenti i Gjykatës Evropiane të Audituesve, në fjalën e tij në Konferencën “Përgjegjshmëria dhe auditimi publik”, në Luksemburg, 14 tetor 2014, ka nënvizuar se “Në gjykimin tonë, përgjegjshmëria publike efektive është thelbësore për të siguruar legjitimitetin demokratik të Bashkimit Evropian në sytë e qytetarëve të tij.
Dhe ne besojmë se audituesit publikë, si audituesit e Gjykatës Evropiane të Auditorëve, luajnë një rol të rëndësishëm në sigurimin e këtij legjitimiteti, pasi ata veprojnë mbi bazën e etikës në auditimin suprem, pavarësisë, integritetit dhe paanshmërisë së mendimit të tyre auditues dhe institucionit të tyre".
Kodi i Etikës i KLSH reflekton edhe objektivat e Strategjisë së Zhvillimit 2013-2017 të institucionit, e ripunuar për periudhën 2015-2017.
Ky dokument riafirmon dhe paraqet vlerat dhe parimet thelbesore në të cilat bazohet veprimtaria e KLSH, si integriteti, pavarësia, objektiviteti, paanshmëria, kompetenca, kujdesi i duhur, konfidencialiteti dhe sjellja profesionale. Këto vlera dhe parime përbëjnë nga njëra anë shtyllat e besueshmerise institucionale, dhe, nga ana tjetër, janë të lidhura ngushtësisht me perceptimin e KLSH si një institucion kushtetues në shërbim të llogaridhënies, përgjegjshmërisë dhe mirëqeverisjes publike.
Kemi instaluar një sistem efektiv të etikës dhe integritetit, i cili bazohet në parimin e udhëheqjes nëpërmjet shembullit, duke i ofruar publikut, Kuvendit dhe Ekzekutivit një strukturë kushtetuese mbikqyrëse dhe kontrolluese të financave publike, e cila synon nivelet më të larta të përgjegjshmërise dhe profesionalizmit, si dhe të qenurit një institucion model i integritetit.
Besimi absolut i Kuvendit dhe qytetarit në veprimtarinë e Kontrollit të Lartë të Shtetit mund të arrihet vetëm nga zbatimi me rigorozitet i kërkesave, vlerave dhe parimeve të Kodit Etik të INTOSAI-t ISSAI 30, të Kodit të Etikës së ECA-s dhe të Kodit të Etikës së KLSH.

Kodi Etik i KLSH-së shërben si një udhëzues, i cili i adresohet të gjithë stafit, por edhe audituesve të tjerë publikë në vend, duke reflektuar praktikat më të mira të fushës, të cilat janë konsideruar si pjesë integrale e këtij dokumenti, si Kodi i Sjelljes dhe Udhëzuesit e Etikës së Gjykatës Europiane të Audituesve, apo dokumente të cilat janë pjesë përbërëse e fushës së integritetit dhe etikës të EUROSAI-t, INTOSAI-t, GAO-s amerikane, etj.
Në Kodin e Etikës së KLSH për herë të parë, një sërë parimesh dhe vlerash janë trajtuar në një profil dhe optikë bashkëkohore dhe në një frymë moderne, në reflektim edhe të sfidave me të cilat përballen audituesit publikë sot në nivel global.
Dimensioni etik në përgjithësi dhe ai i integritetit në veçanti janë dhënë jo vetëm si një kërkesë që duhet të përmbushet nga punonjësit e KLSH, por Integriteti është trajtuar në nivel institucional si një nga përparësitë e veprimtarisë menaxheriale. KLSH në nivel institucional synon vendosjen e një mjedisi pune, auditimi dhe kontrolli të përgjegjshëm, me qëllim krijimin e kushteve të plota për zbatimin e parimeve dhe rregullave etike.

Për periudhën dhe sfidat në vijim, zbatimi i standardeve, parimeve dhe vlerave të etikës, sikurse trajtuar në Kodin e Etikës ISSAI 30 të INTOSAI-t, në Kodin e Etikës të ECA-s së Bashkimit Evropian dhe në Kodin Etik të KLSH, do të vijojë të jetë përparësi absolute e veprimtarisë sonë menaxheriale, duke e konsideruar si një bazë solide referuese dhe një komponent kyç për të rritur besimin e publikut dhe Kuvendit ndaj KLSH, si një institucion evropian modern, model dhe efikas, i cili udhëheq
nëpërmjet shembullit.

Bujar Leskaj

firma