KLSH promovon librin “Përjetësia e dyfishtë” të autorit Bedri Islami

23.11.2018

Në datën 19 nëntor në ambientet e Kontrollit të Lartë të Shtetit, në sallën “Lech Kaczynski”, u promovua libri “Përjetësia e dyfishtë”, me autor Bedri Islamin, që i kushtohet dy heronjve të luftës së Kosovës, Fehmi  Lladrovci dhe  Xheva Krasniqi-Lladrovci.

Në këtë aktivitet morën pjesë përveç autorit dhe audituesve të KLSH-së, i ngarkuari me punë i Republikës së Kosovës në Republikën e Shqipërisë, z.Syl Ukshini, Kryetari i Komunës së Drenasit z.Ramiz Lladrovci, z.Namik Dokle, z.Dilaver Goxhaj, z.Ismet Sulejmani, poeti Xhevahir Spahiu, shkrimtari Sulejman Mato, z.Ago Nezha, aktorët Bujar Asqeriu e Mirush Kabashi, etj.

Aktivitetin e hapi Kryetari i KLSH-së, z.Bujar Leskaj, i cili nënvizoi faktin që ishte një nder i veçantë për institucionin organizimi i promovimit të librit “Përjetësia e dyfishtë”, me autor Bedri Islamin, që i kushtohet dy heronjve të luftës së Kosovës, Fehmi  Lladrovci dhe  Xheva Krasniqi-Lladrovci, dy intelektualëve, të cilët morën pjesë në dy luftëra, pra dy  herë luftuan me armë në dorë kundër Serbisë pushtuese, herën e parë në Kroaci, herën e dytë në Atdheun e tyre në Kosovë dhe kaluan  në përjetësi.

libri islami1

Në vitin 1997, Fehmi Lladrovci ka dhënë një intervistë për BBC, në të cilën u shfaq në ekran me zë e me figurë, duke dalë me kurajo në mbështetje të plotë të UÇK-së.
Po në këtë vit, Fehmi Lladrovci organizoi në Bon të Gjermanisë një tubim, nëpërmjet të cilit i dha jehonë dhe gjeti mbështetje nga shumë vende europiane për luftën në Kosovë. Në këtë aktivitet, tingëlluan fuqishëm fjalët e tij “Nuk kemi asnjë shans tjetër për të qenë të lirë, veçse të bashkohemi me UÇK!”.

Në fjalën e tij, z. Ismet Sulejmani, anëtar i Lëvizjes Popullore të Kosovës (LPK), theksoi që 22 shtatori i vitit 2018 shënoi 20 vjetorin e  rënies  heroike  të  veprimtarit   të  madh  kombëtar, ilegalit  me  konspiracion  të  çeliktë, organizatorit e udhëheqësit  të  shkëlqyer  të  lëvizjes  kombëtare politike klandestine në Kosovë, Kryetarit të LPK-së në  Gjermani, gjeneralit legjendar të UÇK-së e të popullit shqiptar, komandantit historik të Drenicës, heroit të kombit, të  lavdishmit  Fehmi Lladrovci dhe bashkëshortes  e  bashkëluftëtares  së  tij  heroinë Xhevës.

Heroi i kombit Fehmi Lladrovci është emblemë lavdimadhe e figurës së  shqiptarit  inteligjent, të  panënshtruar, i aftë dhe i vendosur për të drejtuar popullin në luftë për liri kundër Serbisë  pushtuese.
Fehmiu e  Xheva i kanë tejkaluar të gjitha figurat e  mëdha të  luftëtarëve  të  çlirimit të Atdheut.

Fehmiu e Xheva kudo që ishin, veprimtarinë  patriotike  për  çlirimin e Kosovës, jo  vetëm  nuk e ndalën e nuk e ulën, por e rritën dhe e pasuruan  me gjithçka, edhe luftën e armatosur  kundër Serbisë pushtuese e bënë edhe në Kroaci, ndërkohë që përgatitjet për të filluar  lufta  e armatosur   çlirimtare  në  Kosovë  i  kishin  të  pandërprera.

I ngarkuari me punë i Republikës së Kosovës në Republikën e Shqipërisë, z. Syl Ukshini, mori fjalën dhe e cilësoi autorin e librit, z.Bedri Islami si kronistin më të mirë të UÇK dhe në këtë vepër shkruhet e vërteta për UÇK, si organizimi politiko-ushtarak më i mirë që nga Lidhja Shqiptare e Prizrenit.

libri islami2

Shkrimtari Sulejman Mato, veçoi dicka nga jeta personale e të dy heronjve Fehmi  Lladrovci dhe  Xheva Krasniqi-Lladrovci, dashurinë e tyre të madhe për njëri tjetrin, luftuan së bashku dhe vdiqën së bashku. Kjo vepër është një roman i vërtetë dhe mund të shërbejë pa dyshim si zanafilllë e një filmi artistik.

Zoti Dilaver Goxhaj,  Zv/shef i Shtabit të Përgjithshëm të UÇK në fjalën e tij mbi Monografinë ‘’Përjetësia e Dyfishtë’’, e cilësoi si veprën  më  të mirë të derisotme, pa hezitim me këtë gjini, z.Bedri Islami renditet ndër shkrimtarët më profesionistë europianë të monografive. Përmes  monografive të tij, z.Bedri Islami me sa duket  i ka vënë  vetes qëllim të  paraqesë rolin  historik të disa  figurave të shquara të asaj lufte dhe rolin udhëheqës  të LPK-së në luftën për çlirimin e Kosovës.

Monografia  për  Fehmi  Lladrovcin dhe  Xheva  Krasniqi-Lladrovci, ’’Përjetësia  e Dyfishtë”, nuk  është  thjeshtë  një  monografi, por një  vepër  letrare  me  temë  jo vetëm politike por edhe historike.
Lidhjet personale të Fehmi Lladrovicit me Xheva Krasniqin, të dy bij familjesh të  thjeshta por  me traditë shumë të hershme patriotike i kanë shërbyer  Bedri Islamit  për  të  provuar se trashëgimia  familjare vështirë se deformohet, ajo  ngrihet e lartësohet më  tej  nga pasardhësit  e tyre.

Takimin e përmbylli autori i veprës, z. Bedri Islami, i cili ka qenë edhe Kryetar i LPK. Ndër të tjera autori theksoi që dy heronjtë e Kosovës janë nderuar në Shqipëri me titullin “Nderi i Kombit”.
Luftës së Kosovës iu bashkuan 7000 të rinj dhe të reja që banonin në vendet e Europës për të dhënë kontributin e tyre për Pavarësinë e Kosovës.
Z.Islami iu referua edhe shkrimtarëve dhe artistëve shqiptarë, të cilët me veprat e tyre frymëzuan luftëtarët e UÇK si Mirush Kabashi, Xhevahir Spahiu, Bujar Asqeriu, Reshat Arbana, etj.
Në Kosovë Lëvizja për çlirimin e Kosovës nuk erdhi nga lart si shiu por nga poshtë si burim i pastër. Një rol të rëndësishëm në këtë luftë kanë luajtur dhe luftëtarët nga Shqipëria.

Letërkëmbimi mes dy bashkëshortëve Lladrovci është monumental dhe unë kam pasur fatin më të madh-përfundoi z.Islami- që i kam njohur këta heronj-legjendë dhe më kanë bërë mik shtëpia.
Takimi u ndoq me shumë interes dhe me emocion. Në fund të aktivitetit Grupi “Çipini” këndoi një këngë shumë të ndjerë e me shumë poezi brenda, kushtuar dy heronjve legjendarë të Kosovës, Fehmi  Lladrovci dhe  Xheva Krasniqi-Lladrovci.

libri islami3