KLSH organizon tryezën e rrumbullakët mbi "Rolin e SAI-ve në luftën kundër mashtrimit dhe korrupsionit"

16.06.2017

Në datat 14-15 qershor 2017, në Tiranë, në mjediset e hotel “Rogner”, Kontrolli i Lartë i Shtetit në bashkëpunim me SIGMA (Mbështetja për Përmirësim në Qeverisje dhe Menaxhim), një Nismë e Përbashkët e BE dhe OECD-se organizuan tryezën e rrumbullakët mbi "Rolin e SAI-ve në luftën kundër mashtrimit dhe korrupsionit" të Rrjetit të SAI-ve të vendeve kandidate dhe potenciale kandidate për anëtarësim në BE dhe të Gjykatës Evropiane të Audituesve.
Në këtë aktivitet ndërkombëtar merrnin pjesë përfaqësues nga Gjykata Evropiane e Audituesve (ECA), nga Institucionet Supreme të Auditimit (SAI) të Suedisë dhe Çekisë, nga SAI-t e rajonit të Kosovës, Bosnje-Hercegovinës, Turqisë, Malit të Zi dhe Serbisë.

sigma seminar1

Tryeza përcolli mesazhin e rëndësishëm se Institucionet Supreme të Auditimit janë një ndër veprimtarët kryesorë në luftën kundër mashtrimit financiar dhe korrupsionit. Me mbikëqyrjen e financave publike dhe rolin e tyre në promovimin e transparencës dhe llogaridhënies në sektorin publik, ata japin një kontribut të rëndësishëm në krijimin e një mjedisi të përshtatshëm për mirëqeverisjen. Megjithatë, SAI-t kanë mandate të ndryshme në luftën kundër mashtrimit financiar dhe korrupsionit dhe përballen me sfida domethënëse në përmbushjen e pritshmërive të palëve të interesuara, kur është fjala për parandalimin, zbulimin dhe raportimin e mashtrimit financiar dhe korrupsionit.
Në përshëndetjen e tij, z. Bujar Leskaj, Kryetar i KLSH-së theksoi se, duke pasur parasysh shtrirjen aktuale dhe kompleksitetin e korrupsionit në Shqipëri, lufta kundër tij kërkon përpjekje afatgjata, politika të përshtatshme, strategji, institucione të konsoliduara, plane dhe veprime mbi një bazë organizative të mirë-projektuar. “Reforma në drejtësi”,- vijoi z.Leskaj, ”... si sfida më e rëndësishme për qeverisjen tonë publike dhe sfida për mirë-administrimin e pronës publike dhe të parave të taksapaguesve shqiptarë janë plotësisht të ndërthurura me njera-tjetrën... Institucionet e reja që do të dalin nga zbatimi i reformës në drejtësi, do ta udhëheqin luftën kundër korrupsionit, si detyrim kushtetues dhe kërkesë imediate e kohës. Për këtë arsye, këto institucione e kanë domosdoshmëri të integrohen mirë dhe shpejt me punën e institucioneve të deritashme, për ato pjesë ku ajo rezulton efektive dhe pozitive”.
Z. Janusz Wojciechowski, anëtar i Gjykatës Evropiane të Audituesve dhe ish-President i SAI-t të Polonisë solli përvojën e suksesshme polake në luftën kundër korrupsionit, sidomos në fushën e tenderave publikë.
Gjatë dy ditëve të Seminarit, pjesëmarrësit prezantuan dhe diskutuan gjerësisht eksperiencën e shteteve anëtare të BE-së dhe të SAI-ve të Rrjetit në luftën kundër mashtrimit financiar dhe korrupsionit, duke sjellë praktikat e mira, mbi të cilat SAI-t mund të zgjerojnë kapacitetet e tyre ekzistuese dhe të gjejnë zgjidhje potencialisht të aplikueshme për vendet e tyre.

sigma seminar2

Aktiviteti ju dha përgjigje edhe disa çështjeve të rëndësishme lidhur me mënyrën sesi SAI-t mund të mbajnë dhe sigurojnë integritetin e tyre; parandalojnë korrupsionin dhe mashtrimin financiar dhe sesi SAI-t mund të bashkëpunojnë me institucionet e tjera të përfshira në luftën kundër mashtrimit financiar dhe korrupsionit.
Pjesëmarrësit e këtij aktiviteti vizituan edhe Galerinë Kombëtare të Arteve.