KLSH nënshkruan marrëveshje bashkëpunimi me gazetën “Ekonomia”

Në kuadrin e bashkëpunimit me shoqërinë civile dhe mediat për rritjen e transparencës dhe komunikimit të rezultateve dhe mesazheve të auditimeve, Kontrolli i Lartë i Shtetit lidhi më datën 27 nëntor 2013 një marrëveshje bashkëpunimi me gazetën “Ekonomia”. Gazeta ka më shumë se një dekadë kontribut e prani të përditshme në shtypin shqiptar dhe shquhet për pavarësi e cilësi të mendimit ekonomik. 

ok

Me rastin e nënshkrimit të marrëveshjes në ambientet e KLSH, Kryetari Bujar Leskaj u shpreh se kjo marrëveshje është e veçantë, për natyren tërësisht profesionale të gazetës “Ekonomia”, të orientuar në dhënien e informacionit dhe të përqasjeve për përmirësimin e menaxhimit të ekonomisë publike.
“Në shtypin shqiptar, gazeta “Ekonomia” është unikale në cilësinë e informacionit ekonomik që sjell dhe në debatin e shëndoshë për sigurimin e rritjes së qëndrueshme ekonomike të Shqipërise”, cilësoi z. Leskaj. Ai falënderoi gazetën dhe në veçanti Drejtorin dhe Kryeredaktorin e saj, z. Dede Kola, për dhënien e hapësirave të duhura për raportet dhe informacionet nga aktivitetet e KLSH-së. Gjatë këtij viti, 33 auditues të lartë dhe drejtues të institucionit kanë botuar mbi 100 shkrime në shtypin e përditshëm shqiptar dhe më shumë se gjysma e këtyre shkrimeve dhe analizave janë botuar nga gazeta “Ekonomia”.
Z. Kola theksoi angazhimin e KLSH me përgatitjen e artikujve profesionalë dhe adresimin e tyre tek gazeta, si ndër më të rëndësishmit dhe voluminozët, ndër bashkëpunimet e deritanishëm të gazetës me institucionet kushtetuese.
Marrëveshja synon rritjen e pranisë së KLSH me artikuj dhe analiza pranë gazetës “Ekonomia”, si dhe organizimin e aktiviteteve dhe forumeve të përbashkëta informuese dhe promovuese.     
...