KLSH nënshkruan Marrëveshje Bashkëpunimi me Universitetin e Shkodrës “Luigj Gurakuqi”

15.11.2019

Në datën 14 nëntor 2019, Kryetari i Kontrollit të Lartë të Shtetit, Dr. Bujar Leskaj dhe Rektori i Universitetit të Shkodrës “Luigj Gurakuqi”, Prof.Dr.Adem Bekteshi nënshkruan një Marrëveshje Bashkëpunimi në ambientet e KLSH-së, në kuadër të Muajit të Hapur që po zhvillon institucioni.

Marrëveshja vjen në kuadër të interesit të përbashkët për të bashkëpunuar në rritjen e kapaciteteve dhe njohurive profesionale të stafit të Kontrollit të Lartë të Shtetit në njërën anë, si dhe në zhvillimin e kurrikulave, mendimit shkencor të Universitetit të Shkodrës “Luigj Gurakuqi”, në anën tjetër, përmes kontributit që ofron KLSH-ja si institucioni më i lartë i kontrollit ekonomik e financiar, i cili ndihmon në përmirësimin e menaxhimit të fondeve publike nga Qeveria dhe entet e tjera publike nëpërmjet auditimit.
 

marrveshja luigj gurakuqi 1

Kryetari i KLSH-së, z. Bujar Leskaj falënderoi fillimisht Rektorin për gadishmërinë e treguar për nënshkrimin e marrëveshjes dhe theksoi se vijimi dhe thellimi i bashkëpunimit me stafet akademike dhe universitare tregon jo vetëm hapjen e institucionit por edhe dëshirën për të bashkëpunuar dhe për të mësuar nga eksperienca dhe përvoja e institucioneve të tjera. Ne, në këtë drejtim, jemi mbështetur në moton e INTOSAI-t,“Nga Eksperienca e përbashkët përfitojnë të gjithë”, duke qenë të bindur se përfitimi do të jetë dypalësh si për KLSH, ashtu edhe për Universitetin e Shkodrës “Luigj Gurakuqi”.

marrveshja luigj gurakuqi 2

Prof.Dr.Adem Bekteshi, Rektori i Universitetit të Shkodrës “Luigj Gurakuqi”, nga ana e tij theksoi se e ka pritur me kënaqësi ftesën e KLSH-së, duke vlerësuar këtë institucionin si më të rëndësishmin për kontrollin financiar në vend. Realizimi i praktikave të studentëve të Universitetit “Luigj Gurakuqi” në KLSH do të ngrinte kapacitet e studentëve dhe do t’u jepte atyre mundësinë të ushtronin dijet e tyre në “laboratorin e një ekonomisti të vërtetë”. Gjithashtu -vijoi z.Bekteshi- Universitetit “Luigj Gurakuqi” do të presë me shumë interes drejtuesit dhe audituesit e KLSH-së që të japin leksione në auditorët e këtij Universiteti.

Zoti Leskaj e mbështeti kërkesën e Rektorit të Universitetit “Luigj Gurakuqi”, duke theksuar që KLSH ka të gjitha kapacitetet për të realizuar leksione me vlerë nga drejtues dhe auditues me shumë eksperiencë në Auditimin e Jashtëm Publik dhe gjithashtu nga anëtarë të stafit të cilët mbajnë grada dhe tituj shkencorë.

Në nënshkrimin e kësaj marrëveshje morën pjesë përfaqësues të Universitetit të Shkodrës “Luigj Gurakuqi”, si dhe drejtues dhe auditues të KLSH-së.