KLSH merr pjesë në workshop-in e zhvilluar në Stockholm mbi auditimin financiar

Ky workshop, i katërti në serinë e workshop-eve me të njëjtën temë “Mbi Auditimin Financiar”,  u organizua nga SNAO- Zyra Kombëtare e Auditimit të Suedisë me pjesmarrës të SAI-ve të Ballkanit Perëndimor: Gjykata Turke e Llogarive, Zyra e Auditimit të Institucioneve të Bosnje-Hercegovinës, Zyra Kombëtare e Auditimit të Maqedonisë, Institucioni Shtetëror i Auditimit të Malit të Zi dhe Institucioni Shtetëror i Auditimit të Serbisë.
Në këtë takim, KLSH  u përfaqësua nga  audituesit: Valbona Gaxha, Erjola Meçaj, Joana Troqe, dhe Alban Polovina.

Workshop-et  e mëparshme kishin trajtuar çështje të lidhura me planifikimin e auditimit, vlerësimin e riskut, përzgjedhjen e kampionit, etj. Workshop-i i katërt, kishte si qëllim trajtimin e praktikave të raportimit në auditimin financiar, nëpërmjet rasteve studimore specifike të paraqitura nga vendet pjesëmarrëse dhe krahasimi i praktikave audituese respektive të çdo SAI.

trajnim bona

Gjatë ditës së parë të Workshop-it u mbajt fjala hapëse nga zyrtari ndërlidhës për vendet e Ballkanit Perëndimor, pjesë e SAI-t Suedez z. Hazim Sabanovic. Takimi vijoi me një sërë diskutimesh dhe disa punë në grup të cilat kishin si fokus shkëmbimin e eksperiencave dhe opinioneve mbi paraqitjen e raportit të auditimit financiar të çdo SAI pjesëmarrës, gjuhën e përdorur, si dhe përcjelljen e informacionit tek lexuesit. Kontrolli i Lartë i Shtetit paraqiti një auditim financiar të evaduar gjatë vitit 2017, për të cilin SAI-et e tjera pjesëmarrëse identifikuar qasjet e tyre lidhur me këtë raport në 4 pika: prezantimi i qartë i opinionit të auditimit, struktura sistematike e raportit, mënyra e të shkruarit të gjetjeve dhe shkrimi i kuptueshëm nga lexuesit e thjeshtë.
Më pas, përfaqësuesit e KLSH prezantuan mandatin e institucionit dhe sfidat kryesore të ndeshura gjatë auditimeve financiare dhe atyre të përputhshmërisë.  Një ndër problematikat e ndeshura më shpesh edhe nga vendet pjesëmarrëse, ishte ajo e identifikimit të qartë të gjetjeve që lidhen me çështje të përputhshmërisë dhe ato të auditimit financiar, si dhe paraqitja e tyre në opinionet e dhëna.

Në vijim, u paraqit matrica e Sigurimit të Cilësisë dhe Kontrollit të Cilësisë, shoqëruar me shembuj konkret për institucionin e KLSH duke përfshirë 6 komponentë: Strategjia e Drejtimit, Kërkesat Etike, Pranimi dhe Vazhdueshmëria, Burimet Njerëzore, Performanca e Angazhimit dhe Monitorimi. Gjatë trajnimit, u zhvilluan aktivitete interaktive me qëllim diskutimin e përkufizimeve dhe koncepteve që lidhen me Kontrollin e Cilësisë dhe Sigurimin e Cilësisë, sipas ISSAI 40.

Në mbyllje të aktivitetit, të pranishmit evidentuan praktikën e punës së SAI-ve respektive mbi ndjekjen e zbatimit të rekomandimeve sipas rregulloreve përkatëse dhe sfidat që institucionet ndeshin gjatë këtij procesi. Shkalla e pranimit të gjetjeve, dhe zbatimi i tyre nga institucionet e  audituara mbetet një nga prioritetet për institucionet supreme të auditimit në periudhat në vijim. 

Kryerja e diskutimeve nëpërmjet SAI-ve pjesëmarrësve dhe shkëmbimi i eksperiencave  në këtë workshop shërbeu si një mundësi për informimin e praktikave të vendeve të tjera, për të identifikuar kështu edhe alternativa për zgjidhjen e problematikave dhe sfidave që KLSH ndesh gjatë punës së saj audituese.
Në kuadër të vazhdimësisë së bashkëpunimit, koordinatori ndërlidhës  do të përgatisë një propozim për kryerjen e një auditimi paralel të kombinuar, financiar dhe përputhshmërie mbi një subjekt për të cilin do të dakortësohet paraprakisht me drejtimin e SAI-ve përkatëse. Kjo, në vijim të një eksperience të ngjashme dhe shume e suksesshme me auditimin mbi prokurimin publik të kryer nga vendet pjesëmarrëse.