KLSH merr pjesë në workshop-i “Standardet e Kontabilitetit në Sektorin Publik – IPSAS zhvilluar pranë CEF, Lubjanë

Në datat 21-23 Nëntor 2016, në Qendrën e Ekselencës në Financë , në Lubjanë u zhvillua workshop-i me temë “Standardet e Kontabilitetit në Sektorin Publik – IPSAS”, ku morën pjesë, si përfaqësues të Kontrollit të Lartë të Shtetit: Aulona Jonuzi, Alketa Kalleshi dhe Joniada Gjoncaj. workshopi u organizua në tre pjesë të zhvilluara në 3 ditë, të ndara sipas tematikës së trajtuar, e konkretisht:

Gjatë ditës së pare, aktiviteti u udhëhoq nga profesori i shkencave të aplikuara në Universitetin e Zyrihut, Sandro Fuchs, i cili trajtoi në mënyrë të detajuar dhe me profesionalizëm çështje që lidhen me standardin IPSAS, të mbështetur mbi parimin e lëvrimit të parasë. Për ta kuptuar më mirë çështjen prof. Fuchs solli shëmbuj praktikë, të shoqëruar me ushtrime të cilat përfshinin punën në grup, shkëmbimin e ideve, eksperiencave dhe opinioneve jo vetëm të lektorit, por edhe të pjesëmarrësve, përfaqësues të SAI-ve dhe Ministrive të vendeve respektive.  Në vijim profesor Fuchs paraqiti nevojën për njohjen dhe implementimin e standardeve IPSAS të mbështetura mbi parimin e kontabilitetit rritës , duke analizuar dallimet mes konatbilitetit rritës dhe atij të lëvrimit të parasë. Në fund të këtij seksioni u konkludua në gap-et sinjifikative, që lidhen me IPSAS mbështetur mbi parimin e lëvrimit të parasë, për t’i mëshuar edhe njëherë nevojës imediate që kanë qeveritë për të kaluar nga ky parim, deri diku i thjeshtë për t’u ndjekur, dhe shumë më pak i nevojshëm për vendim-marrësit, tek  zbatimi I IPSAS mbështetur mbi parimin e kontabilitetit rritës. Këto gap-e konsistojnë në :

- Gjithëpërfshirjen pagesave dhe arkëtimeve: Ndërsa IPSAS kërkojnë përfshirjen e gjithë pagesave dhe arkëtimeve në pasqyrat financiare, aktualisht arkëtimet dhe pagesat nga burime private (psh shkollat shtetërore që financohet nga burime private), nuk përshihen në pasqyrat financiare të këtyre të fundit;
- Llogaritë bankare: Ndërsa IPSAS kërkon përfshirjen në pasqyrat financiare të të gjitha llogarive bankare, praktikisht paraja dhe tepricat bankare të paraqitura në pasqyrat financiare nuk  i përfshijnë të gjitha këto llogari;
- Konsolidimi: Ndërsa IPSAS kërkon konsolidimin “rresht pas rreshti” në pasqyrat financiare të njësive raportuese, të të gjitha njësive të tjera që kontrollon qeveria, praktikisht, pasqyrat financiare të mbështetura mbi parimin e lëvrimit të parasë, përmbledhin aktivitetin financiare vetëm për qeverisjen qëndrore, duke përjashtuar kështu agjncitë apo njësi të tjera të kontrolluara nga qeveria (shoqëritë anonime psh).

Në vijim të po së njëjtës ditë, prof. Fuchs trajtoi IPSAS 1, objektivi i të cilit është të përshkruajë mënyrën se si njësitë shpenzuese duhet të paraqesin pasqyrat financiare, me qëllimin sigurimin e krahasueshmërisë, jo vetëm me të dhënat e tyre të viteve të mëparshëm, por edhe me pasqyra financiare të njësive të tjera. Ky standard, padiskutim kërkon zbatimin e parimit të kontabilitetit rritës. Në këtë kontekst, qëllimi i pasqyrave financiare duhet të jetë:
1. Të ofrojë bazë të shëndoshë për vendim-marrësit,
2. Demostrimi i integritetit dhe llogaridhënies së njësisë, për burimet e përdorura, dhe
3. Roli në parashikim ose perspektivë.

Në mbështetje të sa më sipër, u trajtuan shembuj dhe u zgjidhën ushtrime, të cilat mundësuan të kuptuarin më mirë të konceptit teorik dhe aplikimin e standardit në praktikë.
Në vijim, temat e trajtuara konsituan në trajtimin e cështjeve që lidhen me konsolidimin e pasqyrave. Në parim pasqyrat financiare përgjithësisht tregojnë pozicionin financiar dhe performancën e një njësie shpenzuese. Po nëse kjo njësi kontrollohet  nga një njësi tjetër (psh nëpërmjet investimit në aksione), atëherë pasqyrat fiannciare të saj a mund të paraqesin pamjen e vërtete të aktiviteteve të njësisë? Padiskutim që jo, do të jetë përgjigja nën optikën e IPSAS.

Sa më sipër kërkon kompozimin e pasqyrave financiare që reflektojnë të gjitha aktivitetet, asetet dhe detyrimet të përbashkëta, në një set pasqyrash financiare të kombinuara. Sa më sipër njihet si konsolidimi i pasqyrave financiare. Standardet IPSAS që lidhen me konsolidimin e pasqyrave financiare janë respektivisht IPSAS  34 , 35, 36, 37 dhe IPSAS 38, të cilat u trajtuan nga profesori me shumë profesionalizëm.

Gjatë ditës së dytë, Suzanne Flynn, ekperte ne çështje që lidhen me zbatimin e buxhetit, në FMN, trajtoi rendësinë dhe sfidat e kalimit nga parimet e lëvrimit të parasë në parimet e kontabilitetit rritës. Me interes gjatë këtij prezantimi ishte veçanërisht trajtimi dhe analiza e “Manualit dhe Shënimeve Teknike, mbi implementimin e kontabilitetit rritës në sektorin public”, si nj udhëzues i përgatitur nga FMN-ja. Në mbështetje të këtij manuali, znj. Flynn i mëshoi edhe njëherë rëndësisë së kalimit nga “cash” në “accrual”, i financave publike për transaksionet cash dhe për ato “jo-cash”, si një dallim thelbësor ky i funidt mes sektorit privat dhe atij publik. Por për të mundësuar kalimin e suksesshëm në këtë “fazë të re”, nevojitet që qeveritë të kenë të implementuara sisteme kontabiliteti funksionale të mbështetur mbi parimet cash; kapacitete njerëzore të qualifikuar; sisteme të zhvilluara informacioni dhe IT, etj. Në vijim të sa më sipër, lektorja përcaktoi fazat në të cilat nevojitet të kalojë një vend gjatë tranzicionit drejt kontabilitetit rritës si më poshtë:
- Hapi 1 përshkruan detyrat kyçe në përgatitjen për të kaluar në “accruals”;
- Hapi 2 trajton çështje që lidhen me fragmentizimin e fazës së tranzicionit drejt  kontabilitetit rritës;
- Hapi 3 trajton cështje që lidhen me përmbajtjen e pasqyrave financiare të qeverive, politikat kontabël dhe sistemet e manaxhimit nën sistemin e kontabilitetit “cash” e quajtur ndryshe Faza 0;
- Hapi 4 paraqet reformat që nevojiten të ndërmerren në terma të pasqyrave financiare, politikat kontabël dhe operacionet që kërkohen, me qëllim prezantimin dhe njohjen me Kontabilitetin Rritës Elementar , e quajtur ndryshe Faza 1;
- Hapi 5 parshikon reformat në vijim, që duhen ndërmarrë në kuadrin ligjor kontabël të qeverive, me qëllim zhvendosjen drejt kontabilitetit rritës, e quajtur ndryshe Faza 2;
- Hapi 5 trajton reformat përfundimtare që dikton kuadri ligjor kontabël për të kompletuar tranzicionin plotësisht, drejt Kontabilitetit Rritës , dhe kjo konsiderohet nga FMN si Faza 3;

Cfarë paraqitet gjithashtu me rëndësi në trajtimin e mësipërm ka të bëjë me reflektimin rreth mësimeve të dala nga eksperiencat e vendeve që kanë kaluar drejt kontabilitetit rritës në mënyrë të suksesshme, cfarë në opinionin tonë shtojnë vlerë gjithashtu për Shqipërinë, duke konsideruar faktin se implementimi i standardeve IPSAS është pjesë e Strategjisë së Menaxhimit të Financave Publike. Nga sa u trajtua gjerësisht në ëorkshop, kuptojmë gjithashtu se implementimin i standardeve IPSAS nuk shton vlerë (nga pikëpamja e fizibilitetit gjithashtu) në financat publike, pa një kalim të suksesshëm fillimisht drejt kontabilitetit rritës.

Gjatë ditës së tretë, prezantimi u udhëhoq më së shumti nga znj. Delphine Moreti, ekperteve e çështjeve që lidhen me buxhetin, në OECD, e cila prezantoi një studim të kryer së fundmi (2016) nga OECD (pas atij të vitit 2005), ku u paraqitën statistika të rëndësishme sa I takon aplikimit të standardeve të kontabilitetit public në vendet e OECD-së . Interesant ishte fakti që:
- rreth 56% e 34 vendeve anëtare aplikonin ende Standardet Kombëtare të Kontabilitetit (SKK), edhe pse shuëm e rëndësishme të theksohet që këto standarde kanë një qasje shumë të ngjashme me IPSAS-et;
- 9% e këtyre vendeve aplikojnë SKK mbështetur në IFRS (Standarde Ndërkombëtare të Raportimit Financiar);
- Vetëm 3% e tyre aplikojnë plotësisht IPSAS; dhe
- 28% e këtyre vendeve aplikojnë SKK plotësisht të mbështetur në IPSAS.

Në përfundim të studimit, lektorët konkluduan se pavarësisht statistikave, është e rëndësishme të theksohet se pothuajse të gjitha këto vende aplikojnë kontabilitetin rritës dhe se janë mbështetës të standardeve IPSAS.

Leksionet vijuan me trajtim shembujsh konkrete, të cilat kërkonin përfshirjen e të gjithë pjesëmarrësve, për të përfunduar më pas me një minitest rreth njohurive të marrë gjatë këtyre 3 ditëve.