KLSH merr pjesë në trajnimin e zhvilluar nga Gjykata Evropiane e Audituesve mbi “Teknikat dhe metodat e vlerësimit”.

Në datat 11 dhe 12 Qershor 2018, u zhvillua në Luksemburg, në ambientet e Gjykatës Evropiane të Audituesve, trajnimi i përqendruar tek metodat dhe mjetet e vlerësimit.

luksenburg

Në fokus të këtij trajnimi, qëndronte përditësimi i audituesve publikë lidhur me teknikat dhe metodat e përdorura nga Komisioni Evropian dhe institucionet publike vendimmarrëse për vlerësimin e projekteve të ndryshme, proces i cili kontribuon në mirëmenaxhimin e fondeve publike.

Trajnuesja, Znj. Gisele Hites, është konsulente pranë “Institutit Evropian të Administratës Publike” (European Institute of Public Administration) dhe pedagoge e metodave kërkimore në Universitetin e Lilës, Universitetin e Parisit dhe në disa universitete në Belgjikë.
Në trajnim morën pjesë auditues publikë nga Gjykata Evropiane e Audituesve (European Court of Auditors), Gjykata e Llogarive të Francës (Cour des Comptes) dhe dy auditues nga Kontrolli i Lartë i Shtetit, Z. Qeram Cibaku dhe Znj. Eva Leka.

Trajnimi identifikoi 19 mjete sasiore dhe cilësore vlerësimi, të cilët janë mjete të përdorura masivisht jo vetëm nga Komisioni Evropian, por edhe nga institucionet publike vendimmarrëse në Bashkimin Evropian, ku disa prej tyre janë: Modelet logjike, analiza e rrjeteve sociale, analiza SWOT, teknika Metaplan, pyetësorët, anketimet, rastet studimore, anketimi Delphi, CBA, panelet e ekspertëve, grupet krahasimore, analiza e vendimit me shumë kritere (Multi-criteria decision analysis), etj.

Qëllimi i trajnimit dy ditor ishte që pjesëmarrësit nga gjykata të ndryshme evropiane dhe KLSH të familjarizoheshin me mjetet sasiore dhe cilësore, që janë të mundshme për të përmbushur nevoja të ndryshme brenda kontekstit të vlerësimit të një procesi vendimmarrës.

U trajtuan hollësisht të katër fazat e procesit të vlerësimit:

1. Strukturimi- Identifikimi i pyetjeve që duam të marrim përgjigje;
2. Mbledhja e të dhënave – grumbullimi i të dhënave primare dhe sekondare;
3. Analizimi i të dhënave – trajtimi i të dhënave për të gjeneruar përgjigjet e pyetjeve të ngritura në fazën e parë;
4. Formulimi i opinionit – konkludimi në gjykim objektiv, bazuar në rezultatet e të dhënave.

Secila nga këto 4 faza të procesit të vlerësimit, u trajtuan sipas objektivave specifike të secilës fazë dhe të mjeteve që janë të nevojshme për arritjen e këtyre objektivave.

Qasja e trajtimit të këtyre teknikave dhe mjeteve vlerësimi ishte një kombimin mes asaj teknike dhe konceptuale, duke përqendruar më shumë vëmendje tek metodat e reja të vlerësimit dhe tek ato teknika që janë më jetike në vlerësimin e projekteve me risk të lartë.

Secila teknikë dhe metodë vlerësimi u prezantua duke përkufizuar mjetin, qëllimin përse shërben, hapat që duhet të ndiqen për një implementim sa më korrekt si nga ana e institucioneve publike vendimmarrëse ashtu edhe nga ana e institucioneve të larta audituese, avantazhet dhe anët e dobëta të secilës prej tyre dhe implementimi i këtyre mjeteve në raste reale.

Përveç prezantimit të një game të gjerë mjetesh vlerësimi, (si sasiore ashtu edhe cilësore), ky trajnim ishte i frytshëm për të bërë të vetëdijshëm audituesit publikë, se mënyrat e vlerësimit të evidencave me të cilat punohet çdo ditë, mund të tejkalojnë ato tradicionale dhe të prezantojnë qasje të reja të cilat shtojnë vlerë në gjetjet e audituesve për të dhënë rekomandime sa më të sakta dhe sa më koherente me situatën në të cilën ndodhen institucionet publike, duke synuar performancën e tyre dhe jo vetëm përputhshmërinë ligjore të vendimeve që merr çdo ent publik.