KLSH merr pjesë në trajnimin e Qendrës së Ekselencës në Financë mbi auditimin e performancës

Datat 12-14 Qershor 2018 mblodhën në selinë e Qendrës së Ekselencës në Financë, në Lubjanë të Sllovenisë, audituesit e jashtëm dhe të brendshëm publikë të disa prej Institucioneve Supreme të Auditimit dhe njësive publike të ndryshme në Ballkan. Vendet pjesëmarrëse ishin Shqipëria, Sllovenia, Maqedonia, Mali i Zi, Kosova, Serbia, Bosnja & Hercegovina, dhe Moldavia. Ndër radhët e KLSH-së, ishin të pranishëm audituesit e performancës znj. Redina Karapici, znj. Miranda Berdo dhe z. Dorel Balliu. Takimi i Lubjanës pasoi një fazë tjetër: atë online dyjavore, me anë të përzgjedhjes së audituesve, seminarëve të realizuar me video-konferencë mbi auditimin e performancës, përgatitjen e punimeve në grupe, si dhe përfundimin me sukses të saj.
 
Zhvillimet e këtij trajnimi u fokusuan në të gjitha fazat nëpër të cilat kalon auditimi i performancës: nga përzgjedhja e një teme për auditim, tek studimi i saj, kryerja, faza raportuese, sigurimi i cilësisë, e deri tek strategjia e auditimit të performancës nga Gjykata Evropiane e Audituesve (ECA), duke marrë shembuj auditimesh konkretë, zhvilluar nga homologët evropianë. Në këtë kuadër, politikat gjithëpërfshirëse të ECA-s dhe rishikimi i riskut bëjnë të mundur që kjo Gjykatë të përzgjedhë temat dhe çështjet që reflektojnë më së miri (i) risqet (ii) interesin publik dhe potencialin e Gjykatës për të kontribuuar në të dhe (iii) llogaridhënien e BE-së.

lubjane1

Z. Jussi Bright, auditues në Njësinë Mbështetëse dhe të Metodogjisë Audituese në ECA, si dhe ekspert në auditimin e performancës, paraqiti një panoramë të përgjithshme të funksioneve audituese të Gjykatës Evropiane të Llogarive, organizimin e saj (të ndarë në Presidencë, Sekretariat i Përgjithshëm dhe 5 Dhomat e Auditimit), mandatin dhe llojet e auditimit. “Auditimet e performancës duhet të mirëpriten, jo të kihet frikë prej tyre. Ata rezultojnë gjithnjë në kursime parash.”, ishte lajtmotivi i gardianes së financave të Bashkimit Evropian rreth shqyrtimit të efektivitetit, efiçiensës dhe ekonomicitetit të përdorimit të parasë dhe pronës publike nga vendet anëtare. Z. Bright e krahasoi, gjithashtu, auditimin e performancës me shkollën dhe idealin platonian që mbartet në kryeveprën e tij “Etika” dhe kumtin që ai përcjell: I vërtetë, I mirë, I bukur.

E një rëndësie të veçantë është edhe Strategjia e re e 2018 mbi Ballkanin Perëndimor, nën presidencën bullgare, e cila në një nga 4 prioritetet e saj parashikon bashkëpunimin midis vendeve ballkanase përmes auditimeve paralele të performancës. Në këtë aspekt, lidershipi i KLSH-së, si në nivel të lartë drejtues, ashtu edhe departamental, si dhe kultura menaxheriale kanë bërë që këto auditime të rezultojnë të frytshme dhe dobiprurëse për palën shqiptare dhe qytetarët. Audituesi i ECA-s vlerësoi, kështu, projektin më të madh bashkëpunues midis Gjykatës Evropiane të Llogarive dhe 6 SAI-ve të Ballkanit Perëndimor, i cili është auditimi paralel mbi prokurimin publik, kryer nga audituesit e  Shqipërisë, Bosnje & Hercegovinës, Maqedonisë, Kosovës, Malit të Zi dhe Serbisë.

Z. Nihad Nakas, në kumtesën e tij, duke trajtuar thelbin e procesit auditues, theksoi domosdoshmërinë e mbledhjes së evidencave të mjaftueshme, rilevante dhe të besueshme, për mbarëvajtjen e një auditimi vlerështues për subjektet përgjegjëse dhe publikun. “Auditimi i performancës, si një mjet i paçmueshëm menaxhimi, depërton në politikat institucionale dhe ndihmon në qartësimin e asaj se çfarë po funksionon siç duhet dhe çfarë jo.”, u shpreh Këshilltari i Lartë i CEF-it.

Znj. Tina Toman, anëtare e Agjencisë sllovene të Mbikëqyrjes së Sigurimeve dhe ish audituese e brendshme, ofroi një tablo të gjerë të roleve dhe përgjegjësive në një auditim performance, ndërtimit të piramidës së pyetjeve, kritereve të raportimit dhe sigurimit të cilësisë, duke nënvizuar edhe ndryshimet me auditimin e brendshëm publik. Znj. Toman  u ndal edhe në tiparet dalluese të një rekomandimi, i cili duhet të jetë SMART: Specifik (S), i Matshëm (M), i Arritshëm (A), Rilevant (R) dhe i mirëpërcaktuar në Kohë (T).  

lubjane2

Gjatë punimeve treditore në Qendrën e Ekselencës në Financë, audituesit pjesëmarrës u ndanë në grupe të ndryshme, duke hulumtuar mbi raste studimore dhe ku detyrat e tyre bazoheshin në vlerësimin e aftësive analitike gjatë përballjes me evidenca konfliktuese në një auditim të caktuar. Audituesit e KLSH-së prezantuan zgjidhjet e mundshme, duke reflektuar idetë e tyre dhe eksperiencën e punës në institucionin suprem shqiptar të auditimit, si dhe duke udhëhequr grupet përkatëse të punës, përbërë nga kolegë të SAI-ve ballkanase. Audituesit e KLSH-së zhvilluan, ndër të tjera, takime miqësore edhe me kolegët e tjerë nga Zyra Kombëtare e Auditimit të Kosovës, duke shkëmbyer eksperiencat dhe metodat e punës nën frymën e motos së INTOSAI-t “Experientia Mutua Omnibus Prodest”.