KLSH merr pjesë në takimin përmbyllës të Programit IPA Adriatic CBC

05.12.2017

ipa 1Më datë 4 Dhjetor, në L’Aquila të Italisë u zhvillua takimi përmbyllës i Programit IPA Adriatic Cross Border me pjesëmarrjen e 8 shteteve: Shqipëria, Bosnje-Hercegovina, Kroacia, Greqia, Italia, Mali i Zi, Serbia, Sllovenia. Ky event u hap me fjalën përshëndetëse të Gjeneralit të Shkollës së Inspektorëve të Guardia di Finanza-s, z. Gianluigi Miglioli dhe nga menaxherja e programit IPA Adriatic znj. Paola di Salvatore. Ata mirëpritën dhe falenderuan të pranishmit, duke theksuar rëndësinë e IPA-s në implementimin e projekteve ndërkufitare të rajonit të Adriatikut. 

Në takim, ndër të tjerë, ishin të pranishëm eksponentë të lartë si Presidenti i Parlamentit Evropian, z. Antonio Tajani dhe zv. Presidenti z. David Sassoli, të cilët nënvizuan vlerën e shtuar që ka ky bashkëpunim për ecjen e vendeve kandidate ballkanike drejt integrimit në Bashkimin Evropian; Komandanti i Përgjithshëm i Guardia di Finanza-s italiane, z. Giorgio Toschi, i cili renditi objektivat e përbashkëta të arritura në luftën kundër mashtrimit dhe korrupsionit, si dhe pikat ku kërkohet të mësyhet; anëtari i Gjykatës Evropiane të Llogarive (ECA) z. Gabriele Cipriani dhe anëtari i Gjykatës Italiane të Llogarive (Corte dei Conti) z. Carlo Mancinelli, të cilët theksuan punën e kryer nga institucionet supreme të auditimit në llogaridhënien për paranë publike të shpenzuar përkatësisht nga BE dhe projektet evropiane të Shtetit italian; Ezio Perillo, anëtar i Gjykatës së Bashkimit Evropian; Luciano D’Alfonso, President i Rajonit të Abbruzzo-s; znj. Zeljka Cvijanovic, Kryeministër i Republikës Serbe; z. Francesco Attardi, Komandant i Guardia di Finanza-s për parandalimin e mashtrimit kundrejt fondeve të BE-së; z. Erion Veliaj, Kryetar i Bashkisë Tiranë; z. Aldrin Dalipi, zv. President i Eurorajonit Adriatik-Jonian, ashtu sikurse përfaqësues të tjerë të shteteve pjesëmarrëse dhe përfitues të fondeve IPA.

ipa 2

Programi IPA Adriatic Cross Border Cooperation 2007-2013, programi më i rëndësishëm territorial evropian në rajonin e Adriatikut nuk është vetëm një program ndërkufitar i Komisionit Evropian, por gjithashtu edhe një rrjedhë dinamike e projekteve dhe realiteteve që ndryshojnë e që bashkojnë territore të shumëllojshme, me një synim të përbashkët, atë të rendjes drejt integrimit evropian. Ai ka ndërtuar marrëdhënie bashkëpunimi ndërkufitar midis shteteve që aderojnë në Bashkimin Evropian dhe Shteteve kandidate ose potencialisht kandidate që duan të harmonizojnë kufijtë e tyre. Janë të shumtë faktorët që lejojnë krijimin e një drejtimi të përbashkët, të lidhur me afërsinë gjeografike dhe kulturore, sikurse me qëndrueshmërinë politike të rajonit.  Kjo marrëdhënie ka përqafuar 8 shtete, 102 projekte dhe mbi 790 aktorë, ndër të cilët edhe Kontrolli i Lartë i Shtetit, duke u reflektuar në zhvillimin e infrastrukturës dhe turizmit, mbrojtjen dhe ruajtjen e brigjeve të detit, mbrojtjen e mjedisit dhe të burimeve natyrore, vlerësimin e prodhimeve, traditave dhe kulturave lokale, trajnime, si dhe kërkime shkencore. Këto janë disa nga format që kanë marrë projektet e financuara nga IPA Adriatic, duke ndikuar fuqishëm dhe vendosshmërisht në shtete, rajone, qytete, komuna, sipërmarrje, institucione publike a private, si dhe shoqata në territoret e të gjitha palëve të interesuara. 

ipa 4jpgKontrolli i Lartë i Shtetit ka përcaktuar qartë në Ligjin nr. 154/2014 për Organizimin dhe Funksionimin e tij, neni 10, pika dh), se në fushëveprimin e tij është kompetent edhe për auditimin e përdoruesve të fondeve publike të ofruara nga Bashkimi Evropian ose organizata të tjera ndërkombëtare.  Në këtë aspekt, pjesëmarrja e tij në këtë program bashkëpunimi ndërkufitar, ku aktorë shqiptarë të ndryshëm kanë përfituar fonde IPA, ishte domosdoshmëri, si dhe shenjë e vlerësimit si një institucion suprem auditimi i shëndoshë dhe thelbësor sa i përket përdorimit efektiv, efiçient dhe ekonomik të parasë publike nga ana e subjekteve shtetërore.

Në këtë konferencë, KLSH përfaqësohej nga z. Bajram Lamaj, Drejtor i Departamentit të Auditimit të Aseteve dhe Mjedisit, si dhe nga z. Dorel Balliu, auditues në Departamentin e Auditimit të Performancës. Në vazhdën e punimeve, grupi pjesëmarrës pati një takim miqësor me homologun e ECA-s z. Cipriani, duke folur mbi praktika të ndryshme pune që ndiqen në Gjykatën Evropiane të Audituesve, metodologjitë dhe raportet përkatëse. Në përfundim të takimit, përfaqësuesit e KLSH-së dhanë edhe një intervistë për një televizion lokal italian, duke vlerësuar projektin IPA Adriatic dhe siguruar të gjitha palët për angazhimin e rolin e KLSH-së në auditimin e fondeve dhe projekteve të huaja.