KLSH merr pjesë në takimin online të projektit STAR 2 mbi “Prezantimin e rezultateve të vlerësimit të qeverisjes vendore”

19.06.2020

Në datën 15 qershor u zhvillua takimi online i projektit STAR 2 “Konsolidimi i Reformës Administrative dhe Territoriale” ku u prezantua raporti mbi rezultatet e vlerësimit mbarëkombëtar të situatës së qeverisjes vendore në Shqipëri. Ky projekt është financuar nga Bashkimi Evropian, Suedia, Italia, Zvicra, USAID, UNDP dhe Qeveria e Republikës së Shqipërisë, dhe zbatohet nga Zyra e Programit të Kombeve të Bashkuara për Zhvillim (UNDP) në Shqipëri.

Kontrolli i Lartë i Shtetit dhe projekti STAR 2 kanë krijuar një partneritet sinergjik për të asistuar në konsolidimin e reformës administrative-territoriale duke hartuar në bashkëpunim me Agjencinë e Zhvillimit Ekonomik të Qëndrueshëm (SEDA “Udhëzuesin informues për auditimin e Njësive të Vetëqeverisjes Vendore nga Kontrolli i Lartë i Shtetit”. Ekspertët e projektit STAR2 kanë një kontribut të veçantë në drejtim të prezantimit të stafit të njësive vendore me risitë në metodologjinë audituese më të fundit të KLSH-së, si dhe në krijimin e një fryme të mëtejshme bashkëpunimi mes audituesve dhe punonjësve të njësive vendore.

Në këtë takim morën pjesë znj. Limya Eltayeb, përfaqësuese rezidente e UNDP në Shqipëri, z.Auron Pashaj, Drejtor Ekzekutiv i Institutit për Kërkime dhe Alternativa Zhvillimi, përfaqësues nga bashkitë e vendit dhe institucionet qendrore, si Ministria e Brendshme dhe Agjencia për Mbështetjen e Vetëqeverisjes Vendore. Kontrolli i Lartë i Shtetit u përfaqësua në këtë takim nga Drejtori i Departamentit të Auditimit të Aseteve dhe Mjedisit, z.Bajram Lamaj dhe auditues nga departamenti i auditimit të Njësive të  Vetëqeverisjes Vendore.

Në fokus të diskutimeve ishte dokumenti mbi vlerësimin e situatës së qeverisjes vendore, i cili  përbën një përpjekje fillestare për trajtimin në shkallë kombëtare të problematikave dhe sfidave të qeverisjes vendore në Shqipëri. Përmes intervistimit dhe konsultimit të 12 000 qytetarëve dhe 400 zyrtarëve bashkiakë, i pari në llojin e tij, ai përpiqet të japë një tablo të qeverisjes vendore dhe të mënyrës sesi puna e qeverisë vendore perceptohet nga një sërë grupesh interesi. Ky raport është përgatitur nga Instituti për Kërkime dhe (IDRA), një prej tre organizatave kërkimore, përkatësisht Qendra e Aleancës Gjinore për Zhvillim (GADC) dhe Instituti i Kërkimeve Urbane (URI), që kanë marrë pjesë në kryerjen e procesit të vlerësimit te situatës në 20 bashki secila.
Drejtori  i Departamentit të Aseteve dhe Mjedisit në KLSH, z.Bajram Lamaj, e vlerësoi raportin e projektit STAR 2 mbi situatën e qeverisjes vendore si tejet të rëndësishëm për të orientuar bashkitë në përmirësimin e shërbimeve ndaj qytetarëve. Në këtë kuadër, z.Lamaj parashtroi në këtë takim tre sugjerime që kanë nevojë për t’u zgjeruar dhe trajtuar më gjerë nga ana e raporteve të projektit STAR 2.

Së pari, zbatimi i rekomandimeve të Kontrollit të Lartë të Shtetit nga ana e njësive të vetëqeverisjes vendore përbën një rëndësi madhore veçanërisht në rritjen e shërbimeve cilësore ndaj qytetarëve dhe menaxhimin e shëndosh financiar. Në këtë kuadër, z.Lamaj theksoi se niveli i zbatimit të rekomandimeve duhet të përfshihet si indikator performance dhe llogaridhënieje në vlerësimin e bashkive, gjë kjo që forcon dhe transparencën e aktivitetit të NJVQV, për të cilën Projekti STAR 2 mund të rrisë ndërgjegjësimin tek bashkitë mbi zbatimin e detyrave dhe rekomandimeve të lëna nga auditimet e Kontrollit të Lartë të Shtetit.

Së dyti,  ekspertiza e Projektit STAR 2 ka një potencial për të dhënë një kontribut të rëndësishëm në ngritjen dhe forcimin e sistemit të kontrollit të brendshëm të bashkive, i cili duhet të  ndikojë në aspektin e përgjegjshmërisë dhe llogaridhënies, jo vetëm në drejtimin nga lart- poshtë e anasjelltas, por të ketë një shtrirje horizontale e gjithëpërfshirëse me qëllim që të ngrihet një sistem mekanizmi të  kontrollit të brendshëm sa më efektiv për identifikimin e shkeljeve e parregullsive dhe marrjen e menjëhershme të masave korrigjuese.

Së treti, të ardhurat e bashkive, burimet dhe menaxhimi i tyre kanë nevojë për t’u analizuar më gjerësisht, veçanërisht për sa i përket pasurive publike dhe aseteve që u janë transferuar bashkive, për të cilat, sikurse janë konstatuar nga auditimet e kryera nga Kontrolli i Lartë i Shtetit, vazhdojnë të qëndrojnë si asete të keqmenaxhuara dhe të “fjetura”, duke sjellë mungesë të ardhurash për bashkitë. Për këtë qëllim, z.Lamaj theksoi se asetet dhe pasuritë publike të bashkive duhet të vendosen në shërbim të qytetarëve dhe kjo tematikë mjaft e mprehtë duhet të jenë në fokus të raporteve të projektit STAR 2.

Të tre rekomandimet e mësipërme të sugjeruara nga z.Lamaj u vlerësuan si shumë të rëndësishme nga ana e ekspertëve të Projektit STAR 2 për të zgjeruar fushën e vlerësimit të performancës së bashkive, të cilat do të merren në konsideratë në vlerësimet e mëtejshme të bashkive të vendit.

Në përfundim të fjalës së tij, z.Bajram Lamaj theksoi se Departamenti i Aseteve dhe Mjedisit dhe ai i auditimit të pushtetit vendor  në KLSH, janë të hapur për të bashkëpunuar më tej me projektin STAR 2 e PNUD,  për të tre çështjet e mësipërme, duke shprehur falënderime të veçantë për punën e kryer për ekipin drejtues vendor të PNUD në Shqipëri në asistencën që ofron në konsolidimin e reformës-territoriale.