KLSH merr pjesë në takimin e nën-grupit të IT(A)SA të grupit IT të EUROSAI-t

06.03.2020

Në datat 3 dhe 4 Mars 2020 në Bernë të Zvicrës u zhvillua takimi i nëngrupit të IT(A)SA të grupit të EUROSAI-t për Sistemet e Informacionit (ITWG).

Ky nëngrup pune, i cili drejtohet nga SAI i Zvicrës, ka si objektiv promovimin dhe inkurajimin e zhvillimit institucional të SAI-ve përmes vetëvlerësimit.

itasaIT Audit Self Assessment (ITASA) dhe IT Self Assessment (ITSA) konsiderohen si instrumente shumë të rëndësishme dhe kanë si qëllim vlerësimin periodik të cilësisë së procesit të auditimit të teknologjisë së informacionit që kryejnë institucionet supreme të auditimit si dhe cilësisë së mbështetjes që IT ofron në veprimtarinë e institucionit.

Vetëvlerësimi i Auditimit të IT (ITASA) ofron një tërësi veprimesh standarde të cilat kontribuojnë në përmirësimin e funksionimit të auditimit IT në përputhje me kërkesat që ka institucioni në vetvete. Qëllimi i kryerjes së vetëvlerësimit të auditimit IT është të mundësojë dhe t’u ofrojë menaxhimit të lartë të institucioneve supreme të auditimit një pasqyrim të qartë për situatën dhe nivelin aktual në të cilin auditimi IT operon dhe mënyrën apo veprimet që duhet të ndërmerren në mënyrë që ky lloj auditimi ,gjithnjë në evoluim, të përmirësohet.

Krahas sa më sipër, institucionet supreme të auditimit përballen me sfida të mëdha në një ambient me pritshmëri të larta ku asgjë më nuk mund të funksionojë në përputhje me standardet dhe praktikat më të mira pa përfshirjen e teknologjisë së informacionit. Pa këtë të fundit proceset kryesore të institucioneve supreme të auditimit nuk mund të funksionojnë në mënyrë efektive, përfshirë këtu vlerësimin e riskut, planifikimin, raportimin dhe ndjekjen e zbatimit të rekomandimeve.

Vetëvlerësimi i IT (ITSA) është një instrument shumë i dobishëm që ofron për menaxhimin e lartë pamjen e plotë për mënyrën se si teknologjia e informacionit mbështet veprimtarinë audituese dhe me gjerë, të institucionit suprem të auditimit.
Në thelb të tyre këto instrumente konkludojnë me vlerësimet përkatëse dhe me rekomandimet që i paraqiten drejtuesve të institucioneve supreme të auditimit me qëllim marrjen e masave adekuate për përmirësimin e pikave të dobëta të evidentuara nga këto dy procese.

Në këtë takim morën pjesë përfaqësues të institucioneve supreme të auditimit nga Polonia, Holanda, Austria, Belgjika, Republika Çeke, Estonia, Gjermania, Hungaria, Irlanda, Serbia, Turqia, Rumania, Moldavia etj..
Përfaqësuesit e KLSH në këtë takim, Z. Bujar Leskaj, Kryetar i KLSH-së, Z. Kozma Kondakciu, Drejtor i Departamentit të Auditimit IT dhe Z. Aldo Kita, Përgjegjës i Sektorit të IT zhvilluan bisedime dhe shkëmbyen mendime me drejtues të SAI-ve pjesëmarrës për problematikat e hasura në fushën e IT si dhe mundësinë e rritjes së bashkëpunimin dhe shkëmbimit të përvojave.

Fjalën hapëse të takimit të këtij nëngrupi pune e mbajti Drejtori i Departamentit të Auditimit IT në SAI-n e Zvicrës, Z. Bernhard Hamberger i cili pasi njohu pjesëmarrësit me aspekte të organizimit dhe funksionimit të SAI-t të Zvicrës, prezantoi punën e kryer në vijimësi nga ky institucion për drejtimin dhe organizimin e nëngrupit të punës për IT(A)SA.

Në vijim të takimit nga pjesëmarrësit prezantuan dhe u ndanë eksperiencat konkrete që kishin pasur gjatë vitit 2019 në zhvillimin e projekteve ITASA dhe ITSA nëpër SAI-et respektive. Në këtë takim ishin të ftuar pjesëmarrës nga vende të cilët kishin mundësuar zhvillimin e këtyre projekteve si dhe nga vende në të cilët ishin zhvilluar këto projekte, duke ofruar kështu mundësinë e ndarjes së eksperiencave në një diapazon të plotë, për mënyrën se si funksionon dhe se si mund të kryhet një ITASA apo një ITSA.

Më konkretisht  Znj. Iris Korthagen, përfaqësuese e SAI-t të Holandës prezantoi benefitet dhe mundësitë që ofron për menaxherët e lartë të institucioneve supreme të auditimit por edhe për vetë audituesit apo specialistët e këtyre institucioneve, zhvillimi i projekteve ITSA apo ITASA. Diskutimi i saj erdhi dhe si një qasje e një auditueseje IT të sapo rekrutuar në një institucion suprem auditimi çka bëri që diskutimi i saj të merrte vlerë edhe si një prezantim i vështirësive apo faciliteteve që ofron ITASA apo ITSA.

Më pas pati një diskutim nga përfaqësuesit e SAI-t Gjerman dhe SAI-t Austriak, ku Z. Frank Scherwa si përfaqësues i SAI-t Gjerman prezantoi eksperiencën e tij si moderator i një projekti ITASA të zhvilluar përgjatë vitit 2019 në SAI-n e Austrisë. Ndërkohë nga përfaqësuesit e SAI-t të Austrisë paraqitën eksperiencën e tyre nga perspektiva e një institucioni në të cilin sapo ishte zhvilluar një projekt ITASA, duke paraqitur përfitimet e mëdha që ky projekt dha për institucionin e tyre.

Në vazhdimësi të takimit të nëngrupit të punës pati diskutime të shumta nga përfaqësues të SAI-ve pjesëmarrës duke paraqitur pikpamje të veçanta dhe specifike si institucione që kishin zhvilluar vetëvlerësim të auditimit IT apo vetëvlerësim të IT, si dhe institucione që kishin drejtuar apo moderuar këto vetvlerësime.

Në këtë takim u vu theksi dhe u cilësua ideja se një SAI duhet të ketë një mbështetje IT cilësore në brendësi të saj në mënyrë që të ketë dhe një auditim IT cilësor, çka paraqet qartë atë që edhe drejtuesit e këtij takimi parashtruan se vetëvlerësimi IT edhe vetëvlerësimi i auditimit IT janë dy mjete të fuqishme në dorën e menaxherëve të lartë për përmirësimin e pikave të dobëta të SAI-ve në këto dy drejtime.

Kontrolli i Lartë i Shtetit mori pjesë në këtë takim si një institucion suprem auditimi i cili ka pasur eksperienca të mëparshme në vitet 2016-2017 të zhvillimit të projekteve të ITSA dhe ITASA, zbatimi i rekomandimeve të të cilave ka bërë që të përmirësohen aspekte të cilat kanë paraqitur dobësi duke ndikuar drejtpërdrejt në përmirësimin dhe rritjen e nivelit si të auditimit IT dhe të mbështetjes IT në Kontrollin e Lartë të Shtetit.

Në funksion të mbarëvajtjes dhe mirëfunksionimit institucional si dhe ndjekjes së standardeve dhe praktikave më të mira ndërkombëtare të cilat sugjerojnë që çdo SAI të kryejë një proces të vetëvlerësimit të auditimit IT dhe të vetëvlerësimit të IT çdo 2 deri në 4 vjet, nga ana e KLSH-së u kërkua në këtë takim zhvillimi i një procesi të vetëvlerësimit IT në Kontrollin e Lartë të Shtetit përgjatë vitit 2020 dhe një procesi të vetëvlerësimit të auditimit IT përgjatë vitit 2021, në frymën e bashkëpunimit ndërkombëtar të cilën KLSH e ka pasur dhe e ka në fokus të veçantë siç edhe moto e INTOSAI-t orienton ‘Nga eksperienca e përbashkët, përfitojnë të gjithë’.