KLSH merr pjesë në seminarin me temë “Evaluation Internal Control and Sampling”.

KLSH ka marrë pjesë në seminarin me temë “Vlerësimi i Kontrollit të Brendshëm dhe zgjedhja e kampionit”, të zhvilluar në Budva Mali i Zi, nga data 25-28 Shtator 2018, në të cilin morën pjesë edhe përfaqësues nga SAI i Bosnjë Hercegovinës, Maqedonisë, Malit të Zi, Serbisë dhe Turqisë. KLSH, u përfaqësua nga Brunilda Zeneli, Kryeaudituese; Klarenc Xhaferaj, Kryeauditues; Elida Koçani, Audituese e Parë; Jovan Plaku, Auditues i Parë dhe Berti Meçaj, Auditues i Parë. Seminari u organizua nga SAI i Malit të Zi në bashkëpunim me Zyrën Kombëtare të Auditimit të Suedisë (SNAO), në kuadër të projektit për vendet kandidate dhe parakandidate, si dhe u moderua nga z. Hazim Sabanoviç, z. Herjevik Anders dhe Janhed Tomas.

Qëllimi i këtij seminari ishte shkëmbimi i eksperiencave lidhur me metodologjinë e përdoruar për vlerësimin e sistemit të kontrollit të brendshëm nga SAI-et pjesëmarrëse, duke ju referuar shembujve praktikë. Për këtë arsye gjithë zhvillimi i seminarit ishte konceptuar si një auditim në praktikë (rast studimor), ku secili nga SAI-et përdori metodologjinë e vet, për të vlerësuar funksionimin e kontrollit të brendshëm.

budva

Në ditën e parë të seminarit, grupet pjesëmarrëse u njohën me qëllimin dhe objektivin e seminarit, si dhe me të dhënat e rastit studimor, të cilat konsistonin në “Raportimin financiar” të njësisë për vitin 2017, bazën e të dhënave “llogari analitike”, të shpenzimeve operative, etj., si dhe të dhëna shtesë rreth njësisë, në mënyrë që të krijohej një pamje më e plotë, për të bërë të mundur aplikimin e metodologjive nga secili pjesëmarrës, e konkretisht për përcaktimin e nivelit të sigurisë së auditimit me qëllim dhënien e një opinioni me siguri të arsyeshme mbi funksionimin e kontrollit të brendshëm.

Auditimi i rastit studimor, u punua në mënyrë të pavarur ditën e dytë dhe të tretë të seminarit nga çdo SAI pjesëmarrës. Rezultatet e dala nga auditimi i “rastit studimor”, mbi funksionimin e sistemit të kontrollit të brendshëm nga secili pjesëmarrës, në mënyrë të përmbledhur u referuan ditën e katërt të seminarit.

budva2Nga grupi i KLSH u vlerësua risku{(Risku i auditimit (RA) = Risku i brendshëm (RB) x Risku i kontrollit (RK) x Risku i zbulimit (RZ)}, materialiteti cilësor, sasior dhe niveli i lejuar i tij, si dhe u aplikua “Modeli i sigurisë”.

Në vlerësimin bazës së të dhënave (popullatës) për të përzgjedhur kampionin nga grupet e punës u përdorën metoda të ndryshme, si metoda matematikore, gjykimi profesional, ose metodë e kombinuar, e cila u praktikua nga grupi i KLSH, duke bërë zgjedhjen e kampionit nga popullata (database), nëpërmjet futjes së kritereve si: përkatësia, plotësia, saktësia, periudha, klasifikimi dhe rregullshmëria/ligjshmëria e transaksioneve/pagesave të kryera.

Nga ana e moderatorëve në këtë aktivitet referimet u zhvilluan në një frymë diskutimesh aktive, duke krahasuar vazhdimisht procedurat e secilit SAI, apo mënyrat e ushtrimit e zbatimit të tyre në rastin studimor, duke nxjerrë në pah qasjen e secilit vend pjesëmarrës.

Në përfundim të aktivitetit duke falenderuar palën organizatore për mikpritjen, u vu theksi në vlerën e shtuar të këtij seminari, si dhe mënyrën e konceptimit të tij, duke u përqendruar te zbatimi i teorisë në praktikë, shkëmbimi i mendimeve dhe eksperiencave reciproke gjatë seminarit.