KLSH merr pjesë në seminarin dhe takimin e parë të Task Forcës së EUROSAI-t mbi Auditimin e Bashkive

Në datat 5-6 tetor, në Riga të Letonisë, u zhvillua seminari dhe takimi i parë i Task Forcës së EUROSAI-t mbi auditimin e Bashkive, me pjesëmarrjen e 30 Institucioneve Supreme të Auditimit të Europës. KLSH u përfaqësua nga audituesit, z.Qemal Shehu, z.Vladimir Rizvani, z.Rezart Golemaj dhe z.Redi Ametllari.

bashki1

Seminari u çel me fjalën e Auditueses së Përgjithshme të Letonisë, znj.Elita Krumina, si vendi mikpritës, e cila theksoi rëndësinë që ka për SAI-et auditimi i Bashkive. Znj.Krumina vuri në dukje se auditimi i bashkive zë një peshë të madhe në auditimet e SAI-ve dhe mbi të gjitha përfaqëson një fushë për të cilën qytetarët kanë pritshmëri të lartë. Sipas Auditueses së Përgjithshme të Letonisë, SAI-et nuk disponojnë burimet e mjaftueshme për të gjurmuar shpenzimet publike në çdo bashki, por përmes gjetjeve mund t’i ofrojnë orientim politikëbërësve në mënyrë që të shmangen risqet potenciale, me qëllimin promovimin  e mirëqeverisjes dhe përdorimin me efiçiencë të fondeve publik. “...Procesi  dhe gjetjet audituese kanë potencial të madh për të frymëzuar ndryshime dhe përmirësime”, theksoi Audituesja e përgjithshme e Letonisë, znj.Elita Krumina.
 
Më tej, fjalën e mori Audituesi i Përgjithshëm i SAI-t të Lituanisë, Dr. Arunas Dulkys, në cilësinë e drejtuesit të Task Forcës, i cili falënderoi gatishmërinë e SAI-ve për t’u përfshirë në këtë grup pune, që sipas tij përfaqëson një forum të rëndësishëm të EUROSAI-t. Z.Dulkyus theksoi se Task Forca mbi Auditimin e Bashkive synon të sjellë një qasje të re audituese, për një përdorim të gjerë të gjetjeve audiutese, duke mos u kufizuar vetëm tek konstatimi i shkeljeve në bashki. Sipas tij, gjetjet e auditimit mund të hapin horizonte të reja dhe shërbejnë si busull për politikëbërësit, shkencëtarët dhe gazetarët për t’i parë problemet në një këndvështrim tjetër, për të gjetur zgjidhje alternative për përmirësimin e shërbimeve publike . “Për të siguruar ndryshime sistematike, jo vetëm në pushtetin lokal por edhe në atë qendror, SAI-t duhet të bashkëpunojnë, shkëmbejnë ekspertizë dhe praktikat më të mira për të gjetur rrugë të reja sesi auditimi i bashkive mund të sjellë vlerë të shtuar për të gjithë palët e interesit”, u shpreh Audituesi i Përgjithshëm i Lituanisë, Dr. Arunas Dulkys.

Sesioni plenar i Seminarit kishte në fokus prezantimin e praktikave më të mira dhe nisi me prezantimin e SAI-t të Estonisë, mbi përdorimin e gjetjeve audituese në hartimin e Udhëzuesve për bashkitë. SAI Estonez ka hartuar një Manual mbi Konfliktin e Interesit dhe në këtë kuadër ka zhvilluar një sërë seminaresh dhe trajnimesh me bashkitë. Manuali përmban shpjegime të detajuara mbi zyrtarët dhe personat që përfshihen në rrethin e konfliktit të interesit si dhe, bazuar në gjetjet audituese, ofron 13 raste të situatave të konfliktit të interesit duke i shoqëruar me shpjegime për mënyrën e veprimit për secilin rast. Po ashtu, SAI Estonez ka asistuar Ministrinë e Drejtësisë në ngritjen e një ueb-page mbi zbulimin dhe parandalimin e korrupsionit.

Seminari vijoi me praktikat e mira nga SAI i Lituanisë, Letonisë dhe Hungarisë. Me temë “Në kërkim të rrugëve të reja për të rritur vlerën e shtuar”, SAI Lituanisë ka ngritur një Open Platform për Zbatimin e rekomandimeve, në të cilën janë përfshirë bashkitë e audituara dhe niveli i zbatimit të rekomandimeve prej tyre. Me fjalë të tjera, kjo Platformë e Hapur, e aksesueshme me një klikim nga qytetarët dhe palët e interesit, synon të “linçojë pozitivisht” institucionet me nivel të ulët të zbatimit të rekomandimeve, duke nxitur përgjegjshmërinë e institucioneve dhe amplifikuar transparencën përballë qytetarëve.

SAI i Letonisë u prezantua me temën “Një vetëqeverisje, dy sisteme” Si ta bëjmë sistemin më efektiv”? Në 2016, SAI Letonez filloi të përgatiste një antologji auditimi, që përmbledh mësimet e nxjerra nga auditimet, me qëllimin nxitjen e një diskutimi me ekzekutivin për të ofruar zgjidhje bazuar në dijen e përfituar.

Me punimin, “Vetë-testimi, si mjet efecient për përhapjen e eksperiencës Audituese”, SAI Hungarez prezantoi një metodologji të re për të sjellë auditimin edhe në ato bashki që ngelën pa audituar si pasojë e numrit të madh. Përfitimet që sjellin vetë-testimet konsistojnë në atë se ofrojnë një informacion mbi përputhshmërinë e aktiviteteve të subjekteve, mbulojnë një gamë të gjerë të veprimtarisë së kontrolleve të brendshme si dhe rrisin ndërgjegjësimin e institucioneve ende të paaudituara për të ndërmarrë përmirësime. Formulari i vetë-testimit mund të shkarkohet nga faqja elektronike e SAI-t të Hungarisë.

Sesioni plenar u mbyll me punimin me temë “Auditimi dhe Përgjegjshmëria në Qeverisjen Lokale të Suedisë”, prezantuar nga Aosacioni i Autoriteteve Rajonale dhe Lokale të Suedisë, një organizatë gjysmë-shtetërore. Suedia ka një sistem të veçantë për auditimin e bashkive. SAI Suedez nuk ka mandatin për të audituar bashkitë, me përjashtim të përdorimit të grandeve qeveritare, megjithatë vetëm për rezultatet dhe jo për t’i venë para përgjegjësitë bashkitë. Auditimi i bashkive është pjesë integrale e pushtetit vendor. Këshilli Bashkiak përzgjedh 5 auditues politikë, të cilët asistohen nga auditues profesionistë. Këta të fundit zgjidhen përmes një prokurimi publik nga kompani të mëdha audituese në Suedi. Bazuar në këtë sistem, në rast të konstatimit të shkeljeve, nuk mbahen përgjegjës nëpunësit, por vetëm politikanët.

Përgjatë diskutimeve të seminarit, një vend të rëndësishëm zunë edhe auditimet e performancës në bashki, ku pjesëmarrësit patën mundësinë të ndanin përgjatë workshopeve  auditimet e kryera dhe metodologjitë e përdorura.  Kolegët e Task Forcës u njohëm me auditimet e performancës të realizuara në bashki nga Kontrolli i Lartë i Shtetit dhe vlerësuan si praktikë të mirë përdorimin e pyetësorëve për qytetaret ne auditimet e perfomances së KLSH. Interes të veçantë tërhoqi auditimi i reformës territoriale nga Kontrolli i Lartë i Shtetit i cili u konsiderua inovativ.

Në datën 6 tetor, u mbajt takimi i parë i Task Forcës mbi Auditimin e Bashkive. Në këtë takim u diskutuan mes pjesëmarrësve dy dokumente: Përdorimi i të dhënave të bashkive”, hartuar nga Gjykata Austriake e Auditimit dhe “Sistemet e Auditimit të Jashtëm Publik të Bashkive në Europë”, hartuar nga Zyra Kombëtare e Auditimit të Lituanisë, bazuar në komentet e bëra nga SAI-t pjesëmarrëse. Më tej, u  dakordësua mbi axhendën për vitin 2018 ku një fokus të veçantë patën kryerja e auditimeve të përbashkëta, për realizimin e të cilave  u ra dakord vetëm parimisht.
Në përfundim të takimit, znj.Aurelija Brukstute, zv.drejtore e Zyrës së Auditimit të Lituanisë prezantoi konkluzionet e seminarit dhe takimit të I-rë të Task Forcës mbi Auditimin e Bashkive duke theksuar se tendencat globale në fushën e menaxhimit të shpenzimeve publike po ndryshojnë nga dimensioni  i disiplinës fiskale tek dimensioni i performancës, duke u fokusuar në rezultatet e bashkive (funksioneve, shërbimeve) dhe vlerësimit të tyre. Znj. Brukstute theksoi se seminari nxori në pah praktikat me të mira në auditimin e bashkive, për t’i treguar shoqërive dhe palëve tona të interesit vlerat e vërteta që sjell auditimi i jashtëm publik në dobi të përmirësimit të efiçiencës së  sektorit publik.