KLSH merr pjesë në konferencën “Forcimi i marrëdhënieve bashkëpunuese mes SAI-ve dhe ACA-ve”

19.12.2019

Në datat 14-15 dhjetor 2019, në Abu Dhabi, Emiratet e Bashkuara Arabe, u organizua Sesioni i VIII-të i Konferencës së Shteteve palë të Konventës së Organizatës së Kombeve të bashkuara kundër Korrupsionit (UNCAC) me focus forcimin e marrëdhënieve bashkëpunuese mes Institucioneve Supreme të Auditimit (SAI) dhe Autoriteteve të luftës kundër korrupsionit (ACA). Në këtë aktivitet morën pjesë  mbi 200 pjesëmarrës, nga shtete e kontinente te ndryshme. Kontrolli i Lartë i Shtetit në këtë konferencë u përfaqësua nga z. Muhamet Kalaja, Kryeauditues  dhe z. Delor Prosi, Auditues i Parë.

abudabi1

Në fjalën e çeljes së aktivitetit, Presidenti i SAI-t të Emirateve të Bashkuara Arabe, z. Harib Saeed Al Amimi, pas i uroi mirëseardhjen pjesëmarrësve, theksoi rëndësinë e bashkëpunimit të SAI-ve dhe autoriteteve të luftës kundër korrupsionit. “Ky është vetëm fillimi i një udhëtimi të rëndësishëm!” – nënvizoi  z. Saeed Al Amimi, pasi u shpreh se vetëm me vigjilencë konstante dhe bashkëpunim të vazhdueshëm mund të arrihen objektivat kryesore, që janë transparenca, llogaridhënia dhe lufta pa kompromis kundër korrupsionit.

abudabi2

Fjalën e mori gjithashtu z. Majed M. Elbayya, specialist i prokurimeve pranë Bankës Botërore i cili e  vuri theksin në vëmendjen që duhet t’i kushtojmë prokurimeve, si një nga sektorët ku shkojnë më shumë fonde, e rrjedhimisht ka më shumë korrupsion. Ai theksoi se është e domosdoshme që stafi që merret me investigimin e prokurimeve të jetë i trajnuar sa më mirë dhe vazhdimisht.

abudabi3

Znj. Nicoletta Parisi, përfaqësuese e Autoritetit Kombëtar Anti-Korrupsion në Italinë nënvizoi se  nuk mjafton vetëm bashkëpunimi nëpërmjet SAI-ve dhe ACA-ve në rang kombëtar, por ai duhet të shtrihet edhe më gjërë, në bashkëpunim ndërkombëtar me institucionet homologe.
Përfaqësues të UNODC, Zyrës për Çështjet e Drogës dhe Krimit të Kombeve të Bashkuara, u shprehën se janë të kënaqur me ecurinë e zbatimit Konventës së Organizatës Kombeve të Bashkuara kundër Korrupsionit të (UNCAC), pasi kjo konventë është ratifikuar deri tani nga 186 shtete, mbi 90% e tyre kanë bërë rregullime e përshtatje në kuadrin ligjor. Më shumë se gjysma e tyre shprehen se Konventa ka filluar të japë frytet e veta, duke mundësuar një kordinim më të mirë ndërkombëtar në luftën kundër korrupsionit.
Gjatë konferencës, përfaqësues nga shtete të ndryshme prezantuan strategjitë e tyre kombëtare për luftën kundër korrupsionit, duke sjellë shembuj të vënies në jetë të këtyre strategjive dhe sfidat me të cilat përballen. Konferenca tregoi edhe njëherë seriozitetin me të cilin po shihet lufta kundër korrupsionit nga organizatat më të mëdha ndërkombëtare, nga Institucionet Supreme të Auditimit dhe autoritetet e luftës kundër korrupsionit.