KLSH merr pjesë në edicionin e XXItë të Panairit të Librit

Në datat 14-18 nëntor 2018, Kontrolli i Lartë i Shtetit mori pjesë në edicionin e XXI-të të Panairit të Librit, në Tiranë, duke shënuar kështu për të gjashtin vit radhazi një pjesëmarrje dinjitoze, duke u paraqitur me 95 botime përkundrejt 17 botimeve të vitit 2013, kur mori pjesë për herë të parë modestisht në këtë panair. Botimet e KLSH, krahas informimit të opinionit të gjerë publik, i ndihmojnë audituesit publikë për formimin e kapaciteteve të tyre, zbatimin rigoroz të standardeve të INTOSAI-t dhe shkëmbimin e eksperiencave të mira të punës, në bazë të motos së INTOSAI-t “Nga eksperienca e përbashkët përfitojnë të gjithë”.

panairi 2018 1

Në datën 16 nëntor në Pallatin e Kongreseve u organizua promovimi i kolanës së botimeve të KLSH-së. Në këtë aktivitet morën pjesë drejtues e auditues të KLSH-së, Prof. Dr. Skënder Osmani, Prof.Dr.Pajtim Ribaj, Prof.Dr. Sazan Guri, përkthyesi Astrit Beqiraj, ekspertë të jashtëm të KLSH-së dhe përfaqësues të medias.

Aktivitetin e hapi Kryetari i Kontrollit të Lartë të Shtetit, z.Bujar Leskaj, i cili theksoi se “mbështetur në Strategjinë e Zhvillimit të institucionit për vitet 2018-2022 dhe në Strategjinë e Komunikimit të KLSH-së 2017-2019, ne jemi mbledhur sot në këtë sallë për të promovuar botimet e KLSH-së në vite dhe veçanërisht ato të vitit 2018. Titujt e botimeve të KLSH-së në këto shtatë vite janë vërtet impresionues, si për lamirshmërinë e temave, thellësinë e argumentit shkencor, të dhënat historike, vlerën e konkluzioneve dhe përsiatjeve, ashtu dhe për sasinë e informacionit që përmbajnë, si për lexuesit e fushës së auditimit dhe të ekonomisë, ashtu edhe për lexuesin e thjeshtë të interesuar për fushën e auditimit”. 

Kolana e botimeve të KLSH-së është shtuar gjatë viteve të fundit me tituj gjithnjë e më cilësorë dhe në panairin e këtij viti, ne po paraqitemi me kolanën e botimeve tona me 95 tituj, ndër të cilët :

• 20 numra të Revistës Kërkomore-Shkencore “Auditimi  Publik” në gjuhën shqipe dhe angleze;
• 7 analiza vjetore të punës së KLSH-së;
• 8 botime që i dedikohen Performances së institucionit në shqip dhe në anglisht;
• 10 volume të shkrimeve të përmbledhura të audituesve në shtypin e përditshëm;
• 6 volume që lidhen me Konferencat Shkencore vjetore të KLSH-së;
• 17 tituj që lidhen me Standartet INTOSAI, Manuale dhe Guida të auditimit;
• 4 tituj që lidhen me Etikën dhe Integritetin;
• 16 tituj te tjerë që pasqyrojnë auditimet e KLSH-së në vitet 2012-2015, strategjitë e KLSH-së, historikun e INTOSAI-t, etj.

Më pas, z.Leskaj-vijoi me faktin që botimi i gjithë këtyre titujve është në të njëjtën linjë me qasjen e re që KLSH ka përqafuar këto vitet e fundit, e cila  është në përputhje të plotë dhe bazohet në standardet profesionale të auditimit publik suprem, ISSAI-t, dhe përkatësisht në Deklaratën e Limës (ISSAI 1), në Standartin ISSAI 20 “Parimet e Transparencës dhe të Përgjegjshmërisë”, Parimi i 8-të, mbi komunikimin në kohë dhe gjerësisht të Institucioneve Supreme të Auditimit(SAI-t), si dhe në ISSAI-n 12 “Vlerat dhe dobitë e Institucioneve Supreme të Auditimit – Të bësh ndryshimin në jetën e qytetarëve”, Parimi i 6-të mbi komunikimin efektiv me palët e interesit dhe Parimi i 9-të mbi sigurimin e transparencës dhe të përgjegjshmërisë së duhur nga SAI-t. 

Pas Kryetarit, z..Bujar Leskaj e mori fjalën Sekretarja e Përgjithshme, zj.Luljeta Nano, e cila  prezantoi 11 botimet e përfunduara të vitit 2018, duke theksuar që KLSH vjen në këtë event kulturor në vijim të traditës së krijuar tashmë prej shtatë vitesh me një kolanë botimesh, librat e së cilës përfaqësojnë një gamë të pasur vlerash, punimesh, hulumtimesh, pasqyrim të veprimtarisë institucionale dhe kontribute të lidershipit dhe stafit të KLSH-së, por jo vetëm. Kontribute me mjaft vlerë vijnë nga bota akademike, nga profesionistë të njohur vendas dhe të huaj të fushës së ekonomisë, auditimit, kontabilitetit, etj. Kolana e botimeve të KLSH është shtuar  me 11 tituj në 2018 : 

• Performanca e aktivitetit të KLSH-së për vitin 2017 në shqip dhe në anglisht;
• Dy numra te Revistës Kërkimore-Shkencore, “Auditimi Publik”;
• Analiza vjetore 2017;
• Audituesit e KLSH-së në shtypin e përditshëm;
• Libri Jeshil i GAO’s;
• Strategjia e INTOSAI-t, EUROSAI-t dhe KLSH-së;
• Historiku i NIK;
• KLSH dhe Kuvendi i Shqipërisë;
• Punimet e audituesve të KLSH-së në GAO.

Zonja Nano u përqëndrua vecanërisht në prezantimin e dy botimeve :

Raporti vjetor i performancës së KLSH-se për vitin 2017 (në versionin Shqip dhe Anglisht), i cili vjen ne vazhdën e kësaj kategorie botimesh qe KLSH e gjeneron që nga viti 2012. KLSH për gjithë periudhën 2012-2017 ka botuar cdo vit raportet vjetore të performances institucionale. Në këto botime janë përfshirë në menyrë të plotë raportet që KLSH në përmbushje te detyrimit kushtetues dhe ligjor paraqet cdo vit në Parlament.

Strategjia e KLSH-së 2018-2022, e INTOSAI-t dhe EUROSAI-t”. Ky botim vjen si nje dokument integral i tre strategjive, duke mundësuar në këtë mënyrë një lidhje organike midis tyre. Mund të konfirmohet që dy Strategjitë INTOSAI dhe EUROSAI kanë shërbyer si udhërrëfyes për Strategjinë e KLSH-së për pesë vitet e ardhshme.

Drejtoresha e Përgjithshme e KLSH-së, znj.Manjola Naço, bëri një prezantim të 20 numrave të Revistës Kërkimore-Shkencore “Auditimi Publik”. Znj.Naço theksoi se arritja deri tek numri 20 i revistës është një dëshmi e suksesit të shënuar nga KLSH në këtë zhanër që për nga vetë formati si Revistë Kërkimore Shkencore përbën një sfidë të vërtetë. Në këto 20 numra të Revistës janë botuar 316 punime, përkthime dhe artikuj shkencorë, 53 profile të SAI-ve homologe dhe 41 përkthime të artikujvë të personliteteve të INTOSAI-t dhe të fushës së auditimit.

Një prezantim që u ndoq me interes ishte ai i përkthyesit të njohur të gjuhës polake, z.Astrit Beqiraj, i cili është njëkohësisht edhe përkthyesi i një prej librave të kolanës së KLSH-së, “NIK-u polak, tradita dhe bashkëkohësia”, i cili gjatë fjalës së tij bëri një përmbledhje të librit duke konstatuar që Institucioni i Auditimit Suprem të Polonisë vec funksionit primar, atë të auditimit të financave publike, ka edhe dimensione të tjera si psh përcjelljen e njohurive dhe përvojave, mbrojtjen  e të drejtave të njeriut, rigjetejen e veprave të zhdukura të artit, etj.

Më pas, Kryeaudituesja Aulona Jonuzi paraqiti një përmbledhje të librit Jeshil të Zyrës së Llogaridhënies së Qeverisë së SHBA, botur gjatë 2018. Libri Jeshil vjen për audituesit e KLSH-së dhe më gjerë në kontekstin e një udhërrëfyesi praktik mbi kërkesat specifike ndaj vlerësimit dhe raportimit të kontrolleve në qeverinë federale të SHBA-ve.
Libri Jeshil i qaset kontrollit të brendshëm nëpërmjet një strukture hierarkike prej pesë komponentësh, 17 parimesh dhe  77 atributesh. Atributet vijnë në formën e informacioneve shtesë dhe synojnë të shpjegojnë më saktësisht se çfarë do të thotë një parim  dhe çfarë është menduar të mbulojë ai, ose përfshijnë shembuj të procedurave që mund të jenë të përshtatshme për një njësi ekonomike.

Në fund e mori fjalën Drejtoresha e Drejtorisë së Komunikimit, Botimit dhe Marrëdhënieve me Jashtë, znj. Irena Islami, e cila u përqëndrua në diskutimin e saj në pesë librat që do të përmbyllin serinë e botimeve të KLSH-së për vitin 2018 : Dokumente të Kryetarit, 2016-tetor 2018; Bashkëpunimi me GAO, ECA, NIK dhe SAI i Kuvajtit; Trajnimi dhe zhvillimi profesional; Auditimet e Performancës në KLSH nëntor 2017-2018 dhe Auditimet IT dhe Volumi i XI, “Audituesit e KLSH në shtypin e përditshëm”. 

Zonja Islami bëri një paraqitje të shkurtër lidhur me përmbajtjen e këtyre pesë titujve dhe u ndal vecanërisht në botimin “Trajnimi dhe zhvillimi profesional i audituesve të ECA dhe eksperienca e KLSH në trajnimin e stafit gjatë shtatë viteve të fundit”. Për KLSH që synon të jetë një institucion profesional i besueshëm, ngritja e kapaciteteve profesionale të stafit  është objektiv parësor. Një ndihmë cilësore për metodologjinë e hartimit të  planeve efektive të trajnimit është eksperienca e Gjykatës Evropiane të Audituesve(ECA). Për ta sjellë sa më pranë audituesve të KLSH metodologjinë dhe qasjen që kjo Gjykatë ka ndjekur ndër vite për trajnimin e stafit të saj, KLSH ka përkthyer dhe do të publikojë botimin “Trajnimi dhe zhvillimi profesional i audituesve të ECA dhe eksperienca e KLSH në trajnimin e stafit gjatë shtatë viteve të fundit”. 

Në përfundim zj.Islami theksoi që botimet e KLSH-së mund të cilësohen si pjesë e trashëgimisë institucionale. Pjesë e kësaj trashëgimie është patjetër dokumentimi i reformave të thella institucionale të kryera në KLSH në vitet 2012-2018. Raportet e Komisionit të BE dhe vlerësimi i kryer nga Peer Review në vitin 2016 dëshmojnë tashmë kontributin e pazëvendësueshëm që ky institucion ka dhënë në vitet e fundit për konsolidimin e financave publike dhe rishikimin e reformave të rëndësishme që synojnë anëtarësimin e vendit në BE. E gjithë kjo është arritur falë vizionit, këmbënguljes dhe qasjes inovative të Kryetarit të KLSH-së, për ta kthyer KLSH në një institucion që e bazon veprimtarinë e tij tërësisht në standardet ndërkombëtare të auditimit, duke qenë shembull i menaxhimit të institucioneve publike.

panairi 2018 2

Kryetari i KLSH-së duke falenderuar të pranishmit e mbylli aktivitetin, duke nënvizuar “.. e kemi theksuar edhe në aktivitete të tjera si dhe në panairin e vitit të kaluar që sfida jonë ishte 100 tituj në fund të vitit 2018. Me numrin e botimeve që kemi realizuar deri tani si institucion, mund te themi që nuk kemi më përpara nesh një sfidë por një realitet. Botimet e KLSH-se në fund të këtij viti do të jenë 101 tituj. Këto botime i shërbejnë rritjes se transparencës dhe llogaridhënies, duke bërë një hap të rëndësishëm sasior dhe cilësor në kontributin ndaj mirëqeverisjes, përmes bërjes publike dhe transparente të të gjithë veprimtarisë së institucionit dhe rritjes së kapaciteteve në fushën e auditimit publik.
Dëshiroj së fundmi të nënvizoj që kolana e botimeve të KLSH-së është në krye të 10 risive që janë realizuar nga KLSH dhe për këtë duhet të ndihemi krenarë të gjithë. Unë mendoj që kjo kolanë do të jetë një gjurmë, mes shumë të tjerave që ne do të lemë në punën e KLSH, për të cilën të gjithë kemi kontributin tonë”.