KLSH merr pjesë në Kongresin e X-të të EUROSAI-t

25.05.2017

Ky Kongres, që njohu pjesëmarrjen e 50 delegacioneve të vendeve të kontinentit europian, u mbajt në një kohë kur institucionet supreme të auditimit(SAI-t) në mbarë botën po kalojnë nëpër ndryshime të jashtëzakonshme, për të luajtur një rol aktiv në auditimin e sektorit publik. Kjo sfidë kërkon që SAI-t të pajisen me auditim të avancuar, analizë, raportim dhe me aftësi të spikatura të komunikimit, të cilat nuk mund të përmbushen vetëm duke u mbështetur në metodat tradicionale të auditimit. Prandaj dhe kërkesa për një rol më të fortë dhe më të dukshëm të SAI-ve në shoqëritë dhe në zhvillimin e qëndrueshëm të ekonomive të vendeve përkatëse, theksuar edhe në Kongresin INCOSAI XXII të INTOSAI-t të pak muajve më parë në Abu Dhabi të Emirateve të Bashkuara Arabe, bazuar në profesionalizmin e tyre, u theksua me forcë edhe në Forumin më të lartë, që zhvillohet një herë në çdo tre vjet, të institucioneve supreme të auditimit të kontinentit Evropian.

eurosai1

Dita e parë e Kongresit u hap me ceremoninë zyrtare të dorëzimit të Presidencës së EUROSAI-t nga SAI Hollandez tek Gjykata Turke e Llogarive, e cila do ta mbajë Presidencën për periudhën 2017-2020. Ajo vazhdoi me miratimin e rregullave të Kongresit, listës së vëzhguesve, duke u përqëndruar në zbatimin e programit të EUROSAI-t gjatë presidencës së SAI-t hollandez 2014-2017, si dhe me miratimin e raportit të aktivitetit dhe pasqyrave financiare për periudhën 2014-2017, paraqitur nga Sekretari i Përgjithshëm i EUROSAI-t, njëkohësisht President i Gjykatës së Llogarive të Spanjës, z. Ramón Álvarez de Miranda.
Në fund të ditës së parë u bë dhe prezantimi i kandidaturave për Presidencën e EUROSAI-t në vitet 2020-2023.

Dita e dytë e Kongresit vijoi me disa prezantime dhe seminare, duke u bazuar tek motoja e tij: “Implementimi i ISSAI-ve: Sfida dhe zgjidhje për zhvillim të mëtejshëm”.

eurosai2

Në ditën e tretë, u votua për presidencën e EUROSAI për vitet 2020-2023, ku midis kandidatëve të SAI-t të Republikës së Çekisë dhe Izraelit, u shpall fituese kandidatura e SAI-t të Republikës së Çekisë. Më pas u vijua me votimin për plotësimin e dy vendeve vakante për Bordin Drejtues të EUROSAI-t, ku u shpallën fituese kandidaturat e SAI-t të Polonisë dhe SAI-t të Letonisë, si dhe me votimin e audituesve të pasqyrave financiare te EUROSAI-t për periudhën 2017-2020, ku u shpallën fituese kandidaturat e SAI-ve të Kroacisë dhe Bullgarisë.
Pas procesit të votimit, seanca plenare e ditës së tretë u fokusua në Planin Strategjik 2017-2023. Ky plan është shumë i rëndësishëm për komunitetin e 50 SAI-ve të kontinentit, pse synon realizimin e objektivave tejet ambicioze të SAI-ve evropiane drejt modernizimit të tyre të mëtejshëm dhe përballimit të sfidave të ekonomive publike të kontinentit. 

eurosai3

Në përfundim të kësaj seance plenare, u hartuan dhe konkluzionet dhe rekomandimet e Kongresit të Xtë të EUROSAI-t.

Gjatë zhvillimeve të këtij Kongresit, delegacioni i KLSH i kryesuar nga Kryetari i KLSH, z. Bujar Leskaj, zhvilloi takime të shumta me përfaqësuesit e SAI-ve pjesëmarrëse. Z. Leskaj, në takimin me Presidentin e Gjykatës Turke të Llogarive z. Ahmet Seyit Bas, i uroi atij suksese në Presidencën e EUROSAI-t, duke marrë sigurinë për një mbështetje të vazhdueshme të KLSH-së gjatë mandatit të SAI-t Turk në krye të EUROSAI-t.

Po ashtu, z. Leskaj uroi edhe Presidentin e Zyrës Supreme të Auditimit të Republikës Çeke, Ing. Miloslav Kala, mbi shpalljen fituese të kandidaturës së SAI-t të Republikës së Çekisë për Presidencën e EUROSAI-t 2020-2023.

eurosai4

Zoti Leskaj takoi gjithashtu edhe Auditorin e Përgjithshëm të Zyrës Kmbëtare të Auditimit të Kosovës, z.Besnik Osmani,  Presidentin e NIK-ut polak, z. Krzysztof  Kwiatowski, Presidentin e Gjykatës Portugeze të Llogarive, z.Vitor Caldeira, Auditorin e Përgjithshëm të SAI-t Kroat, z.Ivan Klesiç, Presidentin e Senatit të SAI-t të Malit të Zi, z.Milan Daboviç, Presidentin e SAI-t të Serbisë, z.Radoslav Sretenoviç, Presidentin e SAI-t të Bullgarisë, z. Tzvetan Tzvetkov,  Audituesen e Përgjithshme të SAI-t të Finlandës, zj. Tytti Yli-Viikari, Presidentin e SAI-t të Kuvajtit, z. Adel  Abdulaziz Al-Saraawi, si edhe ish-Presidentin e Gjykatës Turke të Llogarive, z. Recai Akyel.

eurosai5

eurosai6

eurosai7

Kontrolli i Lartë i Shtetit u përfaqësua në Kongres nga një delegacion i kryesuar nga Kryetari i KLSH z. Bujar Leskaj, nga z. Alush Zaçe dhe z. Bajram Lamaj, drejtorë departamentesh auditimi, si dhe nga audituesit z. Alfonc Gabili, z. Hektor Kosova dhe z. Mealb Habazaj.

Letra e falënderimit të Presidentit të SAI-t të Polonisë drejtuar Kryetarit të KLSH-së, z.Leskaj, lidhur me mbështetjen që KLSH i dha NIK-ut për zgjedhjen e tij si anëtar i Bordit Drejtues të EUROSAI-t.