KLSH merr pjesë në Kongresin e XXIII-të të INTOSAI-t, zhvilluar në Moskë në datat 23-27 shtator 2019

01.10.2019

Nga data 23-27 shtator 2019 u zhvillua në Moskë Kongresi i XXIII-të i Organizatës Ndërkombëtare të Institucioneve Supreme të Auditimit. Në kongres morën pjesë 600 delegatë nga 168 SAI nga 192 anëtarë, përfaqësuese të të gjitha organizatave rajonale të INTOSAI-t.

kong 1

Kongresi u përshëndet nga zj. Margaret Kraker, Sekretare e Përgjithshme e INTOSAI-t dhe Presidente e Gjykatës Austriake të Auditimit, si edhe nga Drejtuesit më të lartë të Federatës Ruse.

Bordi Drejtues i INTOSAI-t, në të cilin marrin pjesë SAI-t e 20 shteteve (Austri, SHBA, Gjykata Europiane e Audituesve, Emiratet e Bashkuara Arabe, Brazil, Suedi, Norvegji, Federata Ruse, Spanjë, Arabia Saudite, Kamerun, Tunizi, Korea, Kili, Zelanda e Re, Afrika e Jugut, Indi, Pakistani, Xhamajka) zhvilloi në datat 23 dhe 24 takime pune që i paraprinë Kongresit të INTOSAI-t dhe në datën 24 shtator miratoi me shumicë votash pranimin e Zyrës Kombëtare të Auditimit të Kosovës (ZKA) anëtare me të drejta të plota në Organizatën  Ndërkombëtare të Institucioneve Supreme të Auditimit. Propozimi u ideua dhe u mbështet fuqishëm nga SAI-t e SHBA (GAO) dhe Gjykata Austriake e Auditimit.

Gjatë miratimit të Raportit të Sekretariatit të INTOSAI-t në seancë Plenare në datën 25 shtator 2019, Kongresi votoi pro këtij raporti, duke konfirmuar përfundimisht anëtarësinë e ZKA në INTOSAI, që nga 1 janari 2020. Gjatë procesit të votimit në Kongres, SAI i Serbisë kundërshtoi anëtarësimin e ZKA-së në këtë institucion të rëndësishëm ndërkombëtar.

kong 2

Përfaqësuesit e Kontrollit të Lartë të Shtetit, të autorizuar nga Kryetari i KLSH-së, z.Bujar Leskaj, mbështetën fuqimisht vendimin e Sekretariatit të INTOSAI-t, që drejtohet nga Presidenti i Gjykatës Austriake të Auditimit, të iniciuar nga GAO e Shteteve të Bashkuara të Amerikës, duke theksuar që ZKA përmbush të gjitha kriteret dhe kushtet për të qenë anëtar i Organizatës Ndërkombëtare të Institucioneve Supreme të Auditimit (INTOSAI). Ky qëndrim u mbështet edhe nga përfaqësuesit e SAI-ve të disa vendeve të tjera, veçanërisht nga Zyra e Auditimit të Polonisë(NIK), nëpërmjet z. Kutyla, Zv/President i NIK, i cili ka qenë gjatë viteve të fundit një nga partnerët kryesorë të KLSH-së në rrugën e modernizimit institucional, si edhe nga SAI i Suedisë.

Kongresi në ditët në vijim trajtoi dy tema kryesore :
I. Teknologjia e Informacionit dhe roli i saj në zhvillimin e administratës publike;
II. Roli i SAI-ve në Objektivat e zhvillimit të qëndrueshëm.

I. Teknologjia e Informacionit dhe roli i saj në zhvillimin e administratës publike
Në temën e I-rë u diskutuan shumë çështje të rëndësishme që lidhem me zhvillimet IT sepse në vitet e fundit këto zhvillime kanë ndikuar në mënyrë sinjifikative në jetën e qytetarëve në mbarë botën. Revolucioni teknologjik, në veçanti telefonia celulare, big data dhe inteligjenca artificiale janë në zhvillim të vazhdueshëm. Në këtë proces, zhvillet e reja teknologjike kanë sjellë rritje eksponenciale të të dhënave në forma të ndryshme, duke krijuar mundësinë që marrja e vendimeve publike të jetë më racionale dhe më eficiente. Nga diskutantët e ndryshëm gjatë zhvillimit të seancave plenare lidhur me këtë temë u trajtuan tematikat si më poshtë :

• Roli i IT në Administratën Publike;
• Përdorimi i të dhënave për përmirësimin e administratës publike;
• Karakteristikat e Big Data;
• Roli i Big Data në përmbushjen e detyrave nga SAI-t;
• Sfidat që duhet të përballen nga Auditimi i Big Data.

Në përfundim të diskutimeve, problemet më të shpeshta me të cilat ndeshen SAI-t në drejtim të zhvillimeve teknologjike janë “ Sfidat teknologjike”, “ Mungesa e profesionistëve”, “ Mungesa e dizejnimit nga drejtuesit e nivelit të lartë për Audimet IT” dhe “ Buxhet i pamjaftueshëm dhe investimet në IT”.

Aplikimi i metodave të Big Data Audit, si në operacionet qeveritare, në financat e qeverisë dhe në buxhet, si edhe në shërbimet sociale, kanë sjellë për disa SAI që i kanë aplikuar ndërtimin e modeleve përmes analizimit të Big Data, duke gjetur transaksione anormale dhe duke sjellë rezultate në luftën kundër mashtrimit dhe korrupsionit.

II. Roli i SAI-ve në Objektivat e Zhvillimit të Qëndrueshëm

Në këtë seancë plenare diskutimi më i rëndësishëm ishte ai i z. Gene Dodaro, Kontrollor i Përgjithshëm i Zyrës së Auditimit të Qeverisë së SHBA. Zoti Dodaro nënvizoi lidhjen mes 17 Objektivave të Zhvillimit të Qëndrueshëm të Kombeve të Bashkuara dhe Planit të Zhvillimit Strategjik të GAO-s, të cilat i referohen gjithashtu çështjeve vitale dhe relevante në SHBA.

kong 3

Nëse i referohemi Programit të Riskut të Lartë, duke filluar që nga viti 1990, ky program është fokusuar në operacionet e qeverisë me risk më të lartë për mashtrime, vjedhje, abuzime, keq-menaxhim dhe kjo me qëllim që të përballojmë sfidat me ekonomicitet, efiçiencë dhe efektivitet.

Në drejtim të realizimit të objektivave të zhvillimit të qëndrueshëm-vijoi z. Dodaro- ne duhet të kemi një qasje të re, mënyra të reja të menduari dhe kapacitete të reja qeverisëse, të cilat janë esenciale për qeveritë kombëtare për të arritur objektivat kombëtarë, përfshirë ato të zhvillimit të qëndrueshëm.

Si përfundim mund të themi që duke adoptuar një qasje të plotë qeverisëse në auditimet e tyre, SAI-t mund të kontribuojnë në arritjen e prioriteteve dhe objektivave kombëtare, duke sjellë vlera dhe përfitime për palët e interesit dhe për qytetarët.

Në datën 27 shtator Kongresi miratoi Deklaratën e Moskës (bashkëngjitur), me anë të së cilës  SAI- et anëtare të INTOSAI-t shprehen se:
• njohin  Axhendën e Zhvillimit të Qendrueshëm të vitit 2030 të miratuar nga Asambleja e Përgjithshme e Kombet e Bashkuara më 25 shtator 2015 dhe Rezolutën e Asamblesë së Përgjithshme të Kombet e Bashkuara A / RES / 69/228 "Promovimi dhe nxitja e eficiencës, llogaridhënies, efektivitetit dhe transparencës në administratën publike,  duke forcuar Institucionet Supreme të Auditimit ”;
• riafirmojnë  angazhimin për të dhënë një kontribut të rëndësishëm të auditimit të pavarur për Agjendën e Zhvillimit të Qendrueshëm  të vitit 2030 siç përcaktohet në  deklaratën e  Abu Dabi-it;
• pranojnë pavarësinë e SAI-eve si  parakusht themelor për një kontribut efektiv për llogaridhënien, transparencën, qeverisjen e mirë, përdorimin e mirë të fondeve publike si dhe  vlerat dhe përfitimet e SAI-eve  në përputhje me ISSAI 12 dhe Plani Strategjik  të INTOSAI-t 2017-2022;
• zbatojnë  Kuadrin e INTOSAI-t për Deklaratat  Profesionale.

Ata deklarojnë se drejtimet e ardhshme të auditimin publik varen nga angazhimi i fuqishëm i SAI-eve dhe INTOSAI-t  për:
I- sigurimin e një mbikëqyrjeje të pavarur të jashtme për  arritjet e objektivave  kombëtare, përfshirë dhe ato që lidhen me objektivat e zhvillimit të qëndrueshëm;
II- përgjigjen  në mënyrë efektive ndaj mundësive që sjell përparimi teknologjik;
III- rritjen e ndikimit të SAI-eve në llogaridhënien e menaxhimit publik dhe transparencë.

Anëtarët e INTOSAIT ranë dakord për sa vijon:
1. SAI-et inkurajohen të kontribuojnë për rezultate më efektive, transparente dhe të përgjegjshme, duke mbajtur parasysh kompleksitetin e përpjekjeve të qeverive  të nevojshme për të mbështetur arritjen e objektivave  kombëtare dhe objektivave të zhvillimit të qëndrueshëm.
2. SAI-et inkurajohen të zhvillojnë qasje strategjike të  auditimit publik që mbështesin arritjen e objektivave  kombëtare dhe objektivave të zhvillimit të qëndrueshëm.
3. SAI-et mund të rrisin vlerën e auditimit publik duke zgjeruar përgatitjen e informacioneve të bazuara në auditim për çështje të rëndësishme dhe strategjike të administratës publike si dhe funksione të qeverisë.
4. SAI-et mund të promovojnë parimin e aksesimit dhe  vënies në dispozicion të të dhënave,  burimit të kodeve dhe algoritmeve.
5. SAI-et mund të synojnë përdorimin  më mirë të  analizës së të dhënave në auditime, përfshirë dhe adaptimin e strategjive për  planifikimin  e auditime të tilla, krijimin e  grupeve me  përvojë në analizimin e të dhënave dhe prezantimin e teknikave të reja në praktikën e auditimi publik.
6. SAI-et mund të nxisin mendimin eksperimental për të përmirësuar inovacionin dhe zhvillimin.
7. SAI-et mund të shtrijnë fokusin në (a) identifikimin e zonave të riskut me interes kombëtar dhe ndërkombëtar dhe ndërgjegjësimin mbi rreziqet; (b) nevojat për menaxhimin e risqeve sistemike në qeverisje, përveç risqeve operacionale, institucionale dhe risqeve të tjera të një entiteti të vetëm.
8. SAI-et inkurajohen të edukojnë audituesit  e së ardhmes, të cilët mund të përdorin analizën e të dhënave, mjetet  e inteligjencës artificiale dhe metoda të përparuara cilësore për forcimin e inovacionit  dhe të veprojnë si aktorë strategjikë, shkëmbyes të njohurive dhe prodhues të largpamësisë.
9. SAI-et duhet të marrin në konsideratë  gjetjen e më shumë mënyrave për të adresuar gjithëpërfshirjen kur kryejnë  auditime që kanë si pikë  kryesore Axhendën e vitit 2030, me parimin për të mos lënë askënd pas dhe agjendat e  të tjera të zhvillimit.
10. SAI-et mund të rrisin ndikimin e tyre pozitiv duke vendosur një bashkëveprim  produktivë me subjektin e audituar dhe duke forcuar  bashkëpunimin e komunikimin me  komunitetin akademik dhe publikun  në përgjithësi.

Arritja e këtij vizioni kërkon angazhime nga SAI-et  individuale, si dhe mbështetje bashkëpunuese për SAI-et  nga të gjithë organet e INTOSAI, të tilla si Komitetet e Objektivave të veçantë, strukturat e INTOSAI-t, organizatat rajonale, IDI, Revista Ndërkombëtare e Auditimit të Qeverisjes dhe Sekretariati i Përgjithshëm. Bashkëpunimi shumëpalësh  dhe dypalësh midis SAI-ve do të vazhdojë të luajë një rol veçanërisht të rëndësishëm për të ndihmuar SAI-të të mbeten relevant.
Në përfundim të këtij aktiviteti të rëndësishëm u vendos që Kongresi i ardhshëm i INTOSAI-t, INCOSAI XXIV të zhvillohet në Brazil.

Në këtë aktivitet të rëndësishëm, KLSH u përfaqësua nga zj. Luljeta Nano, Sekretare e Përgjithshme; zj. Manjola Naço, Drejtore e Përgjithshme dhe zj. Irena Islami, Drejtore e Drejtorisë së Komunikimit, Botimit dhe Marrëdhënieve me Jashtë.