KLSH merr pjesë në Konferencën rajonale për Mbikëqyrjen Parlamentare që u zhvillua në Prishtinë

17.05.2019

Në datën 7 maj 2019 u zhvillua në Prishtinë Konferenca rajonale për Mbikëqyrjen Parlamentare, fokusuar në veçanti në fushën e Financave Publike. Kjo Konferencë u organizua nga Kuvendi i Republikës së Kosovës, përkatësisht Komisioni për Mbikëqyrje të Financave Publike me mbështetjen e Deutche Gesellschaft für Zusammenarbeit (GIZ) GmbH, si partner kryesor i Kuvendit të Republikës së Kosovës.

kosove zv1

Në këtë konferencë morën pjesë përfaqësues të Komisioneve parlamentare dhe të Institucioneve Supreme të Auditimit të rajonit nga: Kosova si vendi organizator, Shqipëria, Maqedonia e Veriut, Kroacia, Serbia, Bosnje-Hercegovina dhe Mali i Zi. Në këtë aktivitet morën pjesë edhe Kryetari i Komisionit për Kontrollin e Buxhetit në BE, Presidenti i ECA, z.Klaus-Heiner Lehne, Audituesi i Përgjithshëm i Britanisë së Madhe, përfaqësues të Bankës Botërore, etj.

KLSH u përfaqësua në këtë aktivitet nga zj.Lindita Milo, Zv/Kryetare e KLSH-së dhe z. Rinald Muça, Drejtor i Departamentit të Auditimit të Performancës.

Takimin e përshëndeti fillimisht z. Driton Selmanaj, Kryetar i Komisionit për Mbikqyrjen e Financave Publike, i cili u uroi mirëseardhjen të gjithë të ftuarve dhe i falënderoi për kontributin e dhënë për realizimin e kësaj Konference.

Në sesionin e parë e morën fjalën z. Driton Selmanaj, Kryetar i Komisionit per Mbikqyrjen e Financave Publike në Kuvendin e Kosovës, z.Lumir Abdixhiku, Kryetar i Komisionit për Buxhet dhe Financa, si edhe z. Mitchell O’Brien, përfaqësues i Bankës Botërore.
Gjatë diskutimeve të tyre, folësit u përqëndruan në rolin dhe funksionet e këtyre dy komisioneve parlamentare, përkatësisht në atë të Mbikqyrjes së Financave Publike, si edhe atë për Buxhetin dhe Financat, duke evidentuar rëndësinë që ka bashkëpunimi mes tyre dhe veçanërisht në vlerën e shtuar që sjell ky bashkëpunim. Në veçanti u diskutua për rolin komplementar të këtyre dy komisioneve në mbikëqyrjen parlamentare Ex-Post dhe Ex-ante.

Në sesionin e dytë u diskutua lidhur me bashkëpunimin mes Komisioneve parlamentare dhe Zyrave Shtetërore të Auditimit. Gjatë kësaj seance e morën fjalën z.Besnik Osmani, Auditor i Përgjithshëm i Zyrës Kombëtare të Kosovës, si edhe drejtues të Komisioneve parlamentare nga Maqedonia e Veriut, Kroacia, si edhe Kryetari i Komisionit për Kontrollin e Buxhetit në BE. Këtu diskutimet u përqëndruan se si raportet e auditimit të SAI-ve mund të përdoren si burim informacioni nga Komisionet Parlamentare në mënyrë që qeveritë të jenë të përgjegjshme në shpenzimin e parave publike.

Në sesionin e dytë, si pjesë e panelit të diskutimit,  zj.Lindita Milo, Zv/Kryetare e KLSH-së, prezantoi eksperiencën e institucionit shqiptar të auditimit të jashtëm publik mbi bashkëpunimin me Kuvendin e Shqipërisë. Duke iu referuar parimeve bazë të Deklaratës së Limës dhe të Meksikës si dhe rezolutave të OKB-së për pavarësinë e SAI-ve u theksua rëndësia e zbatimit të rekomandimeve të adresuara enteve publike, të derivuara nga aktiviteti auditues si dhe roli jetik i bashkëpunimit dhe mbështetjes reale të Parlamentit për të rritur eficiencën e ativitetit te KLSH-së. Në parim, Institucionet e auditimit suprem duhet të konsiderohen si mekanizmat e mirëqeverisjes që promovojnë transparencën dhe llogaridhjen e qeverisë nëpërmbushje të objektivave të vendosura nga parlamnti i cili përfaqëson vullnetin e qytetarëve të një vendi, pra në thelb rritjen e mirëqënies së njërëzve.
Në interes të pyetjes së përfaqësuesit të Bankës Botërore mbi parimet bazë të përcaktimit të tematikave të auditimit të performancës, z. Rinald Muça, Drejtor i Departamentit të Auditimit të Performancës, prezantoi kriteret që përdorë KLSH përgjatë procesit të planifikimit të këtyre auditimeve si dhe bashkëpunimin me SAI-et e tjera të rajonit edhe më gjërë për të realizuar auditime të përbashkëta apo paralele të performancës. 

kosove zv2

Gjithashtu gjatë pasdites e morën fjalën edhe drejtuesit e SAI-ve të Maqedonisë së Veriut, të Bosnje-Hercegovinës, Serbisë, Kroacisë, Presidenti i ECA dhe Kontrollori i Përgjithshmën i Mbretërisë së Bashkuar.
Diskutimet ishin me shumë interes dhe u shoqëruan me pyetje nga pjesëmarrësit.