KLSH merr pjesë në Konferencën e tretë të Përbashkët EUROSAI-ASOSAI

21.03.2019

Në datat 10-14 Mars 2019 në Jeruzalem u zhvillua Konferenca e tretë e përbashkët e dy organizatave të rëndësishme të Institucioneve Supreme të Auditimit (SAI) : EUROSAI dhe ASOSAI. Në këtë aktivitet morën pjesë 42 SAI nga vendet e Europës dhe të Azisë dhe kishte rreth 130 pjesëmarrës. KLSH u përfaqësua në këtë aktivitet nga zj.Manjola Naço, Drejtore e Përgjithshme dhe zj.Irena Islami, Drejtore e Drejtorisë së Komunikimit, Botimeve dhe Marrëdhënieve me Jashtë.

izrael 1

Tema kryesore e kësaj konference ishte trajtimi i çështjeve dhe situatave të emergjencës sepse ne jetojmë në një kohë kur çështje të tilla prekin shpesh jetët, kombet dhe shoqëritë tona. Kjo konferencë e tretë e EUROSAI-ASOSAI iu bashkua kësaj tendence  dhe trajtoi këto nën-tema të rëndësishme :

• Situatat e emergjencës : përgatitja për përballimin e katastrofave natyrore (tërmete, zjarre, cunami, etj); menaxhimi i katastrofave; sulmet terroriste; sigurinë kibernetike; etj.
• Çështje që lidhen me emergjencat : trajtimi i sfidave që lidhen me emigracionin; plakja e popullsisë; pensionet; zhvillimi i qëndrueshëm, dixhitalizimi, Big Data, etj.

Gjatë seancave plenare dhe sesione të veçanta u trajtuan gjerësisht këto tema nga drejtues dhe përfaqësues të SAI-ve, si edhe nga profesorë të Universiteteve dhe përfaqësues të shoqërisë civile. Me shumë interes u ndoqën temat që trajtuan çështje të Big Data, auditimit në kohë reale të situatave të emergjencës, si të rrisim kontributin e SAI-ve në zhvillimin e qëndrueshëm, si janë të përgatitura shtete të ndryshme për përballimin e katastrofave natyrore, roli i SAI-ve në arritjen e objektivave kombëtare, menaxhimi i situateve të emergjencës, trajtimi i plakjes së popullsisë dhe menaxhimi i pensioneve, si të menaxhojmë çështje të etikës në botën dixhitale, etj.

Shumë interesant ishte një sesion special qe lidhej me trajtimin e çështjeve të auditimit të sulmeve kibernetike, të cilat lidhen me parandalimin, zbulimin dhe reagimin e menjëhershëm ndaj këtyre sulmeve. Kibernetika është aktualisht një çështje shumë e rëndësishme dhe vazhdimisht këto sulme janë në rritje dhe për këtë arsye janë subjekt i politikave të reja që po ndërmarrin shtete të ndryshme. Shumë pak auditime ka në këtë fushë, prandaj SAI-t duhet të reagojnë shumë shpejt dhe të analizojnë politikat e reja, të identifikojnë risqet, të ofrojnë zgjidhje dhe të ndërtojnë kapacitetet e nevojshme njerëzore në këtë fushë të re auditimi. Fjala e Profesor Eviatar Matania, i Universitetit të Tel-Avivit dhe Drejtorit të Shkollës mbi studimet në fushën e sigurisë ishte shumë praktike dhe pjesëmarrësit e ndoqën me interes, duke bërë pyetje dhe duke diskutuar. Çështjet që lidhen me sulmet kibernetike patën një trajtim praktik gjatë vizitës në aeroportin “Ben Gurion” të Izraelit.

Ky aeroport ka një reputacion shumë të mirë në botë në fushën e sigurisë, operacioneve, sigurisë kibernetike dhe menaxhimin komercial.

izrael 2

Pjesëmarrësit në këtë konferencë patën mundësinë që të vizitojnë impiantin më të madh të ç’kripëzimit të ujit të detit në botë, i cili ndodhej pak kilometra larg Jeruzalemit. Ky impiant është shembulli më domethënës i industrisë së re të ç’kripëzimit të ujit të detit. Ky impiant “prodhon” ujë të pijshëm për 1.5 milion njerëz, duke plotësuar 20% të kërkesave për ujë të pijshëm në Izrael, duke punuar njëkohësisht edhe në drejtim të ruajtjes së ambientit, duke minimizuar impaktin në eco-sistem.

Konferenca u mbyll me vizita që lidhen me historinë e pasur të këtij të vendi.