KLSH merr pjesë në Konferencën e organizuar nën Presidencën Rumune të Këshillit të Bashkimit Evropian, me titull “Inovacionet e auditimit në vendet e BE-së dhe rritja e rolit këshillues të SAI-ve në dobi të shoqërisë”

30.05.2019

Në datat 6-7 maj 2019 u zhvillua Konferenca e nivelit të Lartë, organizuar nën Presidencën Rumune të Këshillit të Bashkimit Evropian, me titull “Inovacionet e auditimit në vendet e BE-së dhe rritja e rolit këshillues të SAI-ve në dobi të shoqërisë”.

Në këtë konferencë merrnin pjesë përfaqësues të lartë të Parlamentit të Rumanisë, Kryeministri i Rumanisë, znj.Viorica Dancila dhe përfaqësues të Institucioneve Supreme të Auditimit nga Europa, ndër të cilët z. Mihai Busuioc, President i Gjykatës Rumune të Llogarive, z. Klaus-Heiner Lehne, Presidenti i Gjykatës Evropiane të Audituesve, z. Vitor Caldeira, President i Gjykatës Portugeze të Llogarive, z. Tzvetan Tzvetkov, President i  Zyrës Kombëtare të Auditimit të Bullgarisë, z. Krzysztof Kwiatkowski, President i Zyrës Kombëtare të Auditimit Shtetëror të Polonisë (NIK), z. Miloslav Kala, President i SAI-t të Çekisë, z. Wolfgang Wicklicky, Drejtor  i Përgjithshëm  i Gjykatës së  Auditimit të Austrisë(ACA), si dhe Presidentët e SAI-ve të Estonisë, Hungarisë, si edhe të SAI-ve të vendeve të Ballkanit Perëndimor.

rum1

KLSH u përfaqësua në këtë konference me një delegacion të përbërë nga zj. Luljeta Nano, Sekretare e Përgjithshme dhe zj. Manjola Naço, Drejtore e Përgjithshme.

Në fjalën e tij përshëndetëse, Presidenti i Gjykatës Rumune të Llogarive z. Mihai Busuioc theksoi rolin e auditimit të jashtëm publik në jetën e qytetarëve si dhe sfidat me te cilat përballen Institucionet Supreme te Auditimit në nivel global në stadin e zhvillimit të ekonomive të vendeve respektive. 

Gjatë konferencës u mbajtën 12 kumtesa që u fokusuan në çështje me shumë interes dhe shumë relevante për Institucionet Supreme të Auditimit, për qeveritë dhe për qytetarët.

-Presidenti i Gjykatës Evropiane të Audituesve (ECA) z. Klaus Heiner Lehne, ne fjalën e tij e vuri theksin ne orientimin e SAI-ve drejt inovacioneve në auditim duke u fokusuar në impaktet e auditimeve në shoqëritë demokratike.
Drejtori i Përgjithshëm i Gjykatës Austriake te Auditimit, z. W. Wiklicky  në prezantimin e tije me teme”Nga eksperienca e përbashkët fitojnë të gjithë-Qasjet e reja në auditimin e sektorit publik” solli në vëmëndje eksperiencën e Gjykatës Austriake me shëmbuj praktikë referuar kontributit dhe impaktit të auditimeve në jetën e qytetarëve, sikurse ishte nxjerrja e një broshure, dokumenti (në tetor 2017, përpara zgjedhjeve të përgjithshme të Këshillit Kombëtar) me objekt “ Reformat më të rëndësishme për qeverisjen e ardhshme: çfarë duhet të bëjmë tani ?” që përfshinte “ Zhvillimin e një reforme strategjike për Austrinë; Adaptimi i i sistemit arsimor me sfidat e reja; zbutjen e deficitit në shëndetësi; si dhe aspekte të tjera që kanë të bëjnë me reformat e pensioneve, digitalizimin, borxhin publik, modernizimin e administratës fokusuar në përfitimet e qytetarëve, etj.

Presidenti i Gjykatës së Auditimit të Portugalisë z. Victor Kaldeira në diskutimin e tij u fokusua në perspektivat e sektorit të auditimit publik në Europë. Tashmë auditimi ne sektorin publik theksoi z. Kaldeira po përballet me fenomenin e pashmangshëm të “Big data” dhe zhvillimit të vrullshem të teknologjive në nivel global. Kjo situate sjell për pasojë përballjen me risqe dhe oportunitete të reja për auditimin e sektorit publik. Mënyra të reja duhet të aplikohen nga audituesit dhe në këtë aspekt Inteligjenca artificiale “meriton besim“. SAI-t tashmë duhet të adresojnë këto çështje dhe të jenë relevant me zhvillimet në nivel global.

Gjate zhvillimit te konferences përfaqësues të SAI-ve te Finlandes, Polonisë, Bullgarisë, Estonisë, etj, lëvruan dhe sollën në vemendje të të pranishmeve tema diskutimesh në drejtime si:

- Rritja e rolit këshillues të SAI-ve, në dobi të shoqërisë;
- Si mund të ndikojnë SAI-t në përmirësimin e jetës së qytetarëve ;
- Rritja e impaktit social të auditimeve nëpërmjet këshillimeve ;
- Ndryshimi i rolit të SAI-ve-mundësitë që rrjedhin nga dixhitalizimi ;
- Përmirësimi i auditimit të jashtëm nëpërmjet ndjekjes së rekomandimeve;
- Pro dhe kundër rolit këshillues të SAI-ve : këndvështrimi francez, etj.

Në pjesën e fundit të Konferencës u diskutuan përsëri çështjet kyçe, nëpërmjet pyetje-përgjigjeve dhe z. Mihai Busuioc, President i Gjykatës Rumune të Llogarive bëri një përmbledhje të rezultateve të arritura nga kjo konferencë.