KLSH merr pjesë në Konferencën e Bordit Ndërkombëtar të Audituesve të NATO-s në Francë

06.10.2017

Konferenca u hap nga z.Herve Adrien Metzger, Kryetar i Bordit të Audituesve Ndërkombëtarë të NATO-s, i cili duke vlerësuar rolin e audituesve të jashtëm edhe në kontekstin e organizmave ndërkombëtare, ndaloi tek lidhja që ka mirëfunksionimi i auditimit me menaxhimin e riskut në qeverisjen e organizatave, të cilat në përmbajtjen e tyre duhet të harmonizojnë jo vetëm praktika por edhe kultura të ndryshme. Në këtë kontekst ai vlerësoi jo vetëm bashkëpunimin me akademikët e Universitetit të Sorbonës por edhe mbështetjen e Gjykatës së Llogarive të Francës që u kujdes për administrimin e këtij eventi me pjesëmarrje mjaft të gjerë nga vendet anëtare të Nato-s. Njëkohësisht në fjalën përshëndetëse Z. Metzger falënderoi edhe pjesëmarrësit e Universitetit të Sorbonës, organizmave ndërkombëtare por dhe gazetarë dhe të ftuar nga Gjykata e Llogarive të Francës. Më pas u bënë përshëndetjet e rastit nga Zv.President i Gjykatës së Llogarive, Rektori i Universitetit të Sorbonës dhe ish presidentja e Bordit IBAN të NATO-s.

Konferenca i nisi punimet me fokus mbi konceptin universal të "Performancës" dhe "Menaxhimit të Riskut" të lidhura me funksionin por dhe misionin e audituesit të jashtëm. Efektet e kulturës (së organizatës, individuale, qeverisjes), standardet, mjetet dhe metodologjitë, ndërveprimet e brendshme, kompleksiteti organizativ, faktorët politikë qenë në qendër të debatit në sesionin e parë të kësaj konference. Gjithashtu u diskutua  mnbi urën lidhëse midis qeverisjes "së mirë", performancës "së pranueshme" apo "risku". Si mund të vendosen në mënyrë efektive standardet e auditimit në këto organizma ndërkombëtarë, sidomos referuar praktikës së NATO-s. Në këtë sesion u diskutua nga z. Lyn SACHS, ish president i Bordit të IBAN, Dr. Farouk HEMICI (Francë), nga Universiteti i Sorbonës dhe z. Henrik Berg RASMUSSEN anëtar i bordit të IBAN.

Në sesionin e dytë të Konferencës diskutimet u përqëndruan në lidhjen midis menaxhimit financiar, auditimit të brendshëm, auditimit  të  jashtëm, organeve drejtuese në organizmat ndërkombëtare dhe komitetet e auditimit. U diskutua gjerësisht se si mund të përmirësohet efikasiteti i marrëdhënieve ndërmjet komiteteve të auditimit dhe organeve qeverisëse apo audituesve të brendshëm/jashtëm.

Në sesionin e tretë u diskutua për sfidat e matjes së performancës dhe ndjekjen efektive të rekomandimeve. Marrëveshjet e përbashkëta të mirëkuptimit dhe kornizës së matjes së performancës, që do të harmonizojnë dhe unifikojnë metodologjinë e matjes së performancës në organizatat ndërkombëtare. Nxjerrja, miratimi dhe zbatimi i rekomandimeve të auditimit në një mjedis shumëpalësh është një sfidë e vazhdueshme.

Në seksionin e katërt dhe të fundit u diskutua se cilët janë përfundimisht nxitësit për 
përmirësimin e performancës në një organizate ndërkombëtare. Prezantimet u fokusuan në praktikat e kompanive private, të cilat kanë borde të jashtme për mbikëqyrje dhe se si kjo praktikë mund të adoptohet në organizmat ndërkombëtare, kur dihet se aksionarët janë në të vërtetë, qytetarët e kombeve që i përkasin Organizatës. Duke pasur parasysh numrin e Kombeve pjesëmarrëse në këto organizma, qytetarët e një kombi nuk kanë domosdoshmërisht fuqi të rëndësishme mbi strategjitë e Organizatave, atëherë një instrument kontrolli efektiv do të ishte mjaft i rëndësishëm, pasi as mediat nuk janë të interesuara, nëse nuk ka pasoja të rëndësishme në mbarë botën.

Konferenca u përshëndet nga z.Didier MIGAUD, Presidenti i Gjykatës së Llogarive të Francës.

Në datën 5 Tetor 2017, delegacioni i KLSH-së realizoi takime me përfaqësues të Gjykatës së Llogarive të Francës. Gjatë takimeve dypalëshe diskutimet u fokusuan në fushën e trajnimeve dhe veçanërisht për vijimësinë e pjesëmarrjes së audituesve të rinj të KLSH në sesionet dy javore të trajnimit që Gjykata Franceze Llogarive organizon dy herë në vit, në muajt janar dhe shtator. Në këto trajnime kanë marrë pjesë auditues të KLSH në sesionet e kaluara dhe kjo eksperiencë është vlerësuar prej tyre si shumë pozitive.

KLSH në këto aktivitete u përfaqësua nga znj.Manjola Naço, Drejtor i Përgjithshëm dhe znj.Erjola Meçaj audituese në KLSH.