KLSH lançon Muajin e Hapur për Qytetarët

09.11.2017

Në datën 9 nëntor 2017, KLSH lançoi zyrtarisht fillimin e muajit të hapur në sallën e Akademisë së Shkencave.
Kryetari i KLSH-së, z.Bujar Leskaj mbajti fjalën e hapjes, gjatë së cilës nënvizoi se një institucion modern i auditimit më të lartë publik, një SAI, do të ishte i mangët dhe i izoluar, pa njohjen e plotë të veprimtarisë së tij nga qytetari dhe mbështetjen prej publikut dhe qytetarëve, duke cituar një shprehje të Abraham Linkoln që «Institucionet tona nuk do të jenë kurrë të tilla(pra publike), nëse nuk krijojnë mundësitë të njihen plotësisht, madje edhe të vizitohen apo preken fizikisht nga qytetari pagues taksash».
 
lancim1Gjashtë vite me parë, Kryetari i Kontrollit të Lartë të Shtetit, ne platformën strategjike për zhvillimin e institucionit te 14 dhjetorit 2011, ka përcaktuar si Objektiv të Tetë  “Përmirësimin e transparencës ne marrëdhëniet me publikun, nëpërmjet një partneriteti të gjerë me median dhe me organizatat jo-fitimprurëse që luftojnë korrupsionin”. Ky objektiv sot jo vetëm është realizuar nga KLSH, por edhe zgjeruar dhe zhvilluar më tej, duke vendosur ne qendër te komunikimit dhe transparencës marrëdhënien e drejtpërdrejtë me qytetarin. Kjo është arsyeja qe sot KLSH lançon Muajin e Hapur për Qytetarët, pas organizimit rreth një viti me pare te Javës së Hapur.

Transparenca e aktivitetit të KLSH-së është një nga treguesit kryesorë të modernizimit të institucionit dhe të komunikimit të tij shumë dimensional. Ajo rrit besimin e qytetarëve ndaj institucionit dhe ndihmon në shmangien  e ndikimit të interesave personale dhe te konfliktit te interesave në punën e tij.

Qasjen e komunikimit te pandërprerë me qytetaret, KLSH e ka pare ne këto gjashte vjet, kryesisht nëpërmjet bashkëpunimit me shoqërinë civile dhe me median, si dhe nëpërmjet përgjigjeve ndaj letrave te qytetarëve.
Përfaqësues te shoqërisë civile dhe te mediave janë ftuar te marrin pjese qe ne janar te vitit 2012, kur institucioni zhvilloi analizat vjetore ne nivel te departamenteve te auditimit. Me tej, pjesëmarrja e tyre dhe nxitja e institucionit qe ata te bëhen partnere dhe pjese e diskutimeve dhe analizave, ka qene një konstante e KLSH.
KLSH ka rritur gradualisht transparencën e veprimtarisë së tij në media, duke arritur në fund të vitit 2016 që të jete i pranishëm 6.7 herë më shumë me informacione dhe mesazhe në median e shkruar, si dhe duke gjashtëfishuar praninë në mediat audiovizive, krahasuar me vitin 2010.

Një nga treguesit kryesorë te transparencës dhe hapjes se institucionit për lexuesin e interesuar shqiptar është kolana e botimeve të KLSH-së, e cila  në pesë vite 2012-2016 ka arritur në 67 tituj librash. Për ketë vit, institucioni synon te shkoje ne 83 tituj.

Botimet e KLSH janë zbatim i detyrimeve ndërkombëtare të angazhimit të institucioneve supreme të auditimit edhe në fushën e botimeve të dokumentacionit, për t’i mundësuar qytetarëve një akses më të gjerë në veprimtarinë e tyre dhe dije më të thella. Kolana e botimeve, e cila pasurohet nga viti në vit, përfshin libra për manualet dhe standardet e auditimit, për raportet e zbatimit te buxhetit te shtetit dhe te performancës se institucionit, botime me vlere historike për njohjen e institucioneve evropiane te auditimit suprem, te historikut te KLSH, etj. Çdo vit dinamika e botimeve KLSH rritet me 10 përqind, duke ruajtur cilësinë, thellësinë e analizës, gjerësinë e informacionit dhe plotësinë e mesazheve të përmbajtura në çdo titull dhe përmbajtje libri.

Parimi 7 i ISSAI-t 12 “Vlerat dhe dobitë e Institucioneve Supreme të Auditimit- të bësh ndryshimin në jetën e qytetarëve”, kërkon një komunikim sa me efektiv me palët e interesit. KLSH e sheh qytetarin, publikun si palën kryesore te interesit. Perceptimi i publikut vazhdon të mbetet një problem serioz që kërkon punë dhe vetëm punë intelektuale, njohje dhe komunikim të vazhdueshëm, duke e shoqëruar me shpalosje të plotë transparence dhe integriteti të vetë nëpunësve të institucioneve, si e vetmja rrugë për të fituar besimin e qytetarit.

Nga KLSH, kjo konceptohet si një sfidë që realizohet ditë pas dite. Risia e  pjesëmarrjes aktive të audituesve të KLSH në median e shkruar ka inkurajuar audituesit në këtë drejtim, ndryshe nga vetëm 6 vite më parë, kur institucioni ishte i mbyllur përsa i përket kontaktit me mediat dhe publikun, si dhe pranisë në media të opinionit të audituesve dhe specialistëve të tij.

Si një pjesë e pandarë e komunikimit me qytetarin, Kontrolli i Lartë i Shtetit, gjatë viteve 2012-2017 ka trajtuar me korrektesë dhe profesionalizëm letrat dhe ankesat e qytetarëve, të cilët në çdo rast kanë marrë përgjigje, edhe kur çështja e ngritur prej tyre ka qenë jashtë kompetencave të institucionit. Edhe në këto raste, i kemi orientuar qytetarët, nëpërmjet përgjigjeve zyrtare se cilit institucion duhet t’i drejtohen për të marrë përgjigje për shqetësimet e tyre. Gjatë vitit 2016, institucioni ka trajtuar 660  letra dhe ankesa, nga të cilat 318 jashtë kompetencës dhe juridiksionit tonë. Nga 342 ankesa në kompetencë të KLSH, që të gjitha janë verifikuar dhe u është dhënë përgjigje.
 

lancim2Interneti është sot zemra e komunikimit për të gjitha institucionet moderne, duke qenë i prekshëm nga të gjithë dhe shumë efiçient. Faqja e internetit “KLSH.org” është dritarja kryesore e komunikimit të institucionit me qytetarët, ngaqë u jep atyre mundësinë që të kenë akses të drejtpërdrejtë në informacion dhe të informohen shpejt lidhur me çështjet që ju interesojnë.

Në faqen WEB të KLSH-së, qytetarët mund të gjejnë informacione të shumta për aktivitetin e institucionit, veçanërisht për raportet e tij të auditimit. Gjatë vitit 2016, në kuadër të rritjes së transparencës, institucioni ka vendosur  vendimet e plota të  Kryetarit të KLSH-së për 152 auditime, nga 154 të realizuara gjithsej, pra në masën  98.7%. Po punojmë që çdo raport auditimi të publikohet në internet.

Në fund të fjalës së tij, z.Leskaj nënvizoi: “ Muaji i Hapur do të na shërbejë edhe ne, audituesve të KLSH-së, për të qenë më të hapur dhe komunikues me njeri-tjetrin. Sidomos në nivel të komunikimit dhe të shkëmbimit të eksperiencave mes departamenteve të auditimit, kemi vënë re se jemi defiçitarë. Muaji i Hapur do të inkurajojë shkëmbimin e eksperiencave edhe mes audituesve me përvojë, me ata të rinj, në bashkëbisedime dhe konsultime të plota mes tyre. Ai do të ndihmojë edhe komunikimin mes ekipeve të ndryshme të auditimit brenda të njëjtit departament. Ky Muaj i Hapur do të jetë dritare komunikimi intensiv, takimesh dhe aktivitetesh, por në realitet, i gjithë institucioni i Kontrollit të Lartë të Shtetit është prej gjashtë vitesh tashmë tërësisht i hapur me qytetarin, në kërkim të kontaktit dhe mendimit të tij, për realizimin sa më të plotë të misionit kushtetues të ruajtjes dhe mbikëqyrjes së përdorimit me ekonomi, efektivitet dhe efiçiencë të parave të taksapaguesit shqiptar”.

Më pas e mori fjalën zj.Lindita Lati, Drejtore e përgjithshme në KLSH, e cila bëri një përmbledhje të shkurtër të botimit të KLSH-së “Korniza e Matjes së Performancës së SAI-ve” dhe aplikimit të kësaj metode në KLSH, në vitet e fundit gjatë analizave vjetore të punës së institucionit.

Korniza e Matjes së Performancës së SAI-ve është një platformë universale dhe mund të zbatohet në të gjitha llojet e SAI-ve, pavarësisht nga struktura e qeverisjes, mandati, konteksti kombëtar dhe niveli i zhvillimit.

Korniza shërben, para së gjithash, për të kontribuar në përmirësimin e kapaciteteve të SAI-t, përmes matjes së performancës, e cila sjell :
- Konsolidimin strukturor të institucionit, duke siguruar vazhdimësinë e zhvillimit të nivelit të ekspertizës së audituesve së jashtëm publik si dhe përsosjen organizative të tij;
- Rritjen e përgjegjshmërisë dhe transparencës me publikun, partnerët kombëtarë e ndërkombëtarë, dhe mbi të gjitha me vet-veten;
- Komunikim të sinqertë dhe të përgjegjshëm me mbikëqyrësit tanë, parlamentin dhe qytetarët;
- Realizimin e objektivit për të qenë një institucion model që udhëheq nëpërmjet shembullit;
- Rritjen e ekonomicitetit, eficiencës dhe efektivitetit në menaxhimin e burimeve të vena në dispozicion duke realizuar misionin e tij si një vlerë e shtuar për qytetarët shqiptar.

Zonja Albana Gjinopulli, Drejtore e Departamentit të Strategjisë dhe Metodologjisë së Auditimit, në pjesën e fundit bëri një përmbledhje të “Draft-Strategjisë së KLSH-së për periudhën 2018-2022”, me qëllim që të gjithë audituesit dhe të ftuarit të kenë mundësi të bëjnë sugjerime dhe vërejtje konkrete, të cilat do të pasqyrohen në dokumentin final të Strategjisë.

Strategjia e Zhvillimit të KLSH, 2018-2022 është dokumenti kryesor strategjik, i cili  reflekton në mënyrë korrekte të gjitha kërkesat e Standardeve ndërkombëtare të INTOSAI-t, ISSAI, dhe është mbështetur në udhëzuesit specifikë të publikuar për këtë qëllim nga organizatat ndërkombëtare profesionale dhe IDI. Planet Strategjike të EUROSAI-t dhe INTOSAI-t kanë shërbyer si udhërrëfyes në përcaktimin e kuadrit të përgjithshëm mbi të cilin u hartua dhe po paraqitet kjo Strategji e Zhvillimit të KLSH për periudhën e pesë viteve të ardhshme.

Ky dokument përvijon të menduarit strategjik në thelbin e të cilit qëndrojnë analiza, parashikime dhe reagime ndaj ndryshimeve të mjedisit dinamik duke menaxhuar në mënyrë të suksesshme sfidat dhe rreziqet dhe duke zhvilluar aftësitë kryesore në drejtim të përmbushjes se misionit dhe qëllimit strategjik duke ruajtur vlerat dhe parimet e Institucionit Suprem të Auditimit.

Ky vizion gjen shprehjen në drejtime konkrete, ku do të fokusohet veprimtaria e KLSH në periudhën e ardhshme, të konkretizuara në 5 objektiva strategjikë :
Objektivi 1. Maksimizimi i vlerës se  KLSH – ndryshim në jetën e qytetarëve shqiptarë;
Objektivi 2.Rritja e performacës se veprimtarisë së KLSH;
Objektivi 3.Zhvillimi kapaciteteve profesionale dhe aftësive audituese ;
Objektivi 4.Rritja e bashkëpunimit dhe shkëmbimi i eksperiencave ndërinstitucionale dhe ndërkombëtare;
Objektivi 5.Forcimi i Qeverisjes së brendshme të KLSH

Deri në 2022 KLSH synon të udhëheqë nëpërmjet shembullit duke forcuar rolin e tij në shërbim të informimit të  publikut dhe të Kuvendit të Shqipërisë, në lidhje me përdorimin e burimeve me ekonomicitet, efektivitet dhe efiçiencë nga pushteti qendror dhe lokal dhe nga njësi të tjera publike, si dhe nxitjen e përgjegjshmërisë në të gjithë sektorin publik, në përputhje me praktikat me të mira të BE dhe me standardet ndërkombëtare të INTOSAI, duke kontribuar për qeverisjen e mire, nëpërmjet luftës kundër korrupsionit.

Draft-Strategjia do të vendoset edhe në WEB-in e KLSH-së dhe të gjithë të interesuarit do të kenë mundësinë të japin sugjerimet e tyre në mënyrë elektronike.

Në këto aktivitet morën pjesë përfaqësues të medias, të USAID-t, të shoqërisë civile, ekspertë të jashtëm të KLSH-së si dhe stafi i KLSH-së.
Pas përfundimit të lançimit të muajit të hapur, të gjithë audituesit e KLSH vizituan ekspozitën e piktorit Edi Kojani, në ambientet e Muzeut Historik Kombëtar. Audituesit vlerësuan punimet e shfaqura në ekspozitë, veçanërisht pamje të natyrës të sjella në mënyrë të veçantë dhe shume origjinale.

lancim3