KLSH kallëzon në Prokurori një mbikëqyrës punimesh në Bashkinë Ura Vajgurore

12.08.2017

Dëmi ekonomik i shkaktuar 2 milion lekë

Kontrolli i Lartë të Shtetit, në zbatim të programit të tij të auditimit nr. 259/1, datë 13.3.2017, ndryshuar me nr. 259/2, datë 04.05.2017, ka përfunduar auditimin në Bashkinë Ura Vajgurore për periudhën 01.01.2014 deri më 31.12.2016 dhe Njësitë Administrative ish-Komunat Kutalli, Cukalat dhe Poshnje për periudhën 01.01.2013 deri më 31.07.2015, me objekt: “Auditimi i zbatimit të ligjshmërisë dhe rregullshmërisë së veprimtarisë ekonomiko-financiare”.

Me Vendimin nr. 78, datë 30.06.2017 të Kryetarit të KLSH-së, është miratuar Raporti Përfundimtar i Auditimit dhe me shkresën nr. 259/19, datë 06.07.2017, me qëllim  përmirësimin e gjendjes i janë rekomanduar Bashkisë Ura Vajgurore, masa me karakter; masa për shpërblimin e dëmit ekonomik të shkaktuar në vlerën totale 12 milion lekë dhe shpenzime me efekte negative në buxhet për vlerën 8,5 milion lekë.

Gjatë auditimit u konstatuan shkelje dhe parregullsi të dispozitave ligjore në fuqi në fushën e zbatimit të punimeve të ndërtimit, për procedurën e prokurimit “Rehabilitim, Ndriçim, Gjelbërim i Shëtitores të Lagjes 18 “Tetori”, ndër të cilat më kryesoret janë:

- Mos përmbushje të detyrës të ngarkuar dhe favorizim të sipërmarrësit të punimeve nëpërmjet deklarimit/situacionimit të punimeve fiktive të kryera në kontratën shtesë dhe përfitim të pa drejtë (punime të pakryera) për shoqërinë zbatuese të punimeve në vlerën prej 1,997,259 lekë pa TVSH;

- Mangësi të theksuara në dokumentacion tekniko-ligjor të dosjes të investimit (dokumente fiktive dhe që nuk pasqyrojnë realitetin), në kundërshtim me ligjin nr. 8402, datë 10.09.1998 “Për Kontrollin dhe Disiplinimin e Punimeve të Ndërtimit”, me Udhëzimin nr. 2 datë 13.05.2005 “Për zbatimin e punimeve të ndërtimit” dhe me Udhëzimin nr. 1, datë 16.06.2011 “Për mbikëqyrjen dhe kolaudimin e punimeve të ndërtimit”,

Për këto shkelje dhe për të tjera, KLSH ka kryer pranë Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor Berat, me shkresën nr. 259/22 datë 08.07.2017 kallëzim penal ndaj E.C. në cilësinë e mbikëqyrësit të punimeve, për konsumimin e elementëve të veprës penale të “Shpërdorimit të detyrës”, parashikuar nga neni 248 i Kodit Penal.

KLSH, me qëllim përmirësimin e situatës i ka rekomanduar Bashkisë Ura Vajgurore masa me karakter organizativ në lidhje me eleminimin e praktikave që kanë sjellë impakt negativ në buxhet, kryesisht në fushën e tatim taksave, në vlerën 200 milion lekë.

Shënim: Në web-in e KLSH gjendet i plotë Vendimi nr. 78, datë 30.06.2017 i Kryetarit të KLSH-së, në lidhje me këtë auditim.