KLSH kallëzon në Prokurori Ish Kryetarin e Komunës Margegaj, Tropojë, Përgjegjësen e Financës dhe një Specialiste

09.12.2017

U kanë shkaktuar një dëm ekonomik të konsiderueshëm prej 12.5 milionë lekë financave të ish-komunës

Kontrolli i Lartë të Shtetit, në zbatim të programit të tij të auditimit nr. 495/1, datë 16.5.2017, ka përfunduar auditimin në Bashkinë Tropojë dhe Njësitë Administrative ish-Komunat Margegaj, Tropojë Fshat, Bujan, Llugaj, Fierzë, Bytyç e Lekbibaj, për veprimtarinë nga data 01.07.2014 deri më 31.12.2016 për Bashkinë Tropojë dhe  nga data 01.01.2013 deri më 31.07.2015 për 7-ish Komunat për periudhën 01.01.2013 deri më 31.7.2015, me objekt auditimi: “Për zbatimin e përputhshmërisë, ligjshmërisë dhe rregullshmërisë së veprimtarisë ekonomiko-financiare”.

Me Vendimin nr. 136, datë 30.09.2017 të Kryetarit të KLSH-së, është miratuar Raporti Përfundimtar i Auditimit dhe me shkresën nr. 495/26, datë 30.09.2017, me qëllim  përmirësimin e gjendjes, i janë rekomanduar Bashkisë Tropojë, masa me karakter organizativ, masa për shpërblimin e dëmit ekonomik të shkaktuar në vlerën totale 24.7 milion lekë, si dhe të ardhura të munguara në vlerën prej 20.7 milion lekë.

Gjatë auditimit u konstatuan shkelje dhe parregullsi të dispozitave ligjore në fuqi në fushën e prokurimit publik me vlera të vogla dhe pagesa të paargumentuara e të pajustifikuara me dokumentacion, ndër të cilat më kryesoret janë:

1. Në 1 rast për pagesën e vlerës prej 2,000,000 lekë për 34 qytetarë, procedura të kryera me dokumente fotokopje, listë përfituesish të pa miratuar në këshillin e komunës, pa urdhër titullari për realizimin e transaksionit si dhe pa mandat pagese të arkës, ku të kenë nënshkruar punonjësit e njësisë dhe personat përfitues të vlerës së mësipërme, duke mos u dokumentuar përfitimi i shumave nga personat përkatës.

2. Në 5 raste janë kryer pagesa në vlerën totale 1,985,171 lekë për blerje mallrash dhe kryerje punimesh për mirëmbajtje, blerje fiktive, pra e pa kryer, pasi dokumentet financiare urdhërues dhe vërtetues, mbështetës të praktikës nuk argumentojnë nevojën e kryerjes së punimeve dhe kryerjen e tyre.


3. Në 12 raste janë kryer pagesa në vlerën totale 2,068,000 lekë për blerje me vlera të vogla për kryerje punimesh e mirëmbajtjesh, blerje fiktive, pasi nuk vërtetohet me dokumentacion nevoja e kryerjes së punimeve, arsyeja etj dhe nuk dokumentohet kryerja e tyre.

4. Për 3 raste të mos zbatimit të rekomandimeve të lëna nga Kontrolli i Lartë i Shtetit të cilat përmbajnë detyrime për arkëtime vlerash financiare në masën prej 6,493,043 lekë.

Veprimet e mësipërme janë në kundërshtim me ligjin nr. 9643, datë 20.11.2006 “Për Prokurimin Publik”, me Vendimin e Këshillit të Ministrave (VKM) Nr. 1 datë 10.07.2007 dhe VKM nr. 914 datë 29.12.2014 “Për miratimin e rregullave të prokurimit publik”, me Urdhërin e Ministrit të Financave (UMF) nr. 33, datë 11.07.2013 dhe UMF nr. 57 datë 12.06.2014 “Për Gjurmët standarde të auditit për prokurimin me vlerë të vogël dhe të lartë”, me ligjin nr. 10296, datë 08.07.2010 “Për Menaxhimin Financiar dhe Kontrollin”, me UMF nr. 30 datë 27.12.2011 “Për menaxhimin e aseteve në sektorin publik” dhe me ligjin nr. 154/2014 “Për organizimin dhe funksionimin e Kontrollit të Lartë të Shtetit”.

Për këto shkelje dhe për të tjera, KLSH ka kryer pranë Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor Tropojë, me shkresën nr. 495/28 datë 10.11.2017 kallëzim penal ndaj R.B. me detyrë ish-Kryetar i Komunës, në cilësinë e Nëpunësit Autorizues, ndaj Z.I. me detyrë Përgjegjëse e Financës, në cilësinë e nëpunësit zbatues dhe ndaj Z.I. me detyrë Specialiste, në cilësinë e arkëtares, për konsumimin e elementëve të veprave penale të “Shpërdorimit të detyrës” parashikuar nga neni 248 i Kodit Penal.

KLSH, me qëllim përmirësimin e situatës, i ka rekomanduar Bashkinë Tropojë masa me karakter organizativ në lidhje me eleminimin e praktikave që kanë sjellë impakt negativ në buxhet, kryesisht në fushën e tatim taksave, në vlerën 20.7 milionë lekë dhe shpenzime me efekte negative në buxhet për vlerën 160.8 milion lekë.

Shënim: Në web-in e KLSH gjendet i plotë Vendimi nr. 136, datë 30.09.2017 i Kryetarit të KLSH-së, në lidhje me këtë auditim.