KLSH dhe Konfindustria nënshkruajnë Marrëveshje Bashkëpunimi

 

Në vijim të bashkëpunimeve me organizata të shoqërisë civile dhe të profesionistëve të fushës së auditimit, KLSH nënshkroi në datën 25 shkurt 2016, në mjediset e Kontrollit të Lartë të Shtetit, Marrëveshjen e Bashkëpunimit me Konfederatën e Industrive të Shqipërisë (Konfindustria).

img_4600

KLSH ka qenë në vazhdimësi i hapur për bashkëpunime të tilla dhe ka eksperienca të mira në këtë drejtim. Marrëveshja me Konfederatën e Industrive të Shqipërisë është e 20-ta që nënshkruhet nga KLSH në katër vitet e fundit. Nënshkrimi i marrëveshjes me Konfindustrinë është një vlerë më tepër në këtë drejtim sepse fusha e aktivitetit te këtyre organizatave është e ndryshme dhe plotësojnë në mënyrë të natyrshme njëra tjetrën.

Kryetari i KLSH-së, z.Bujar Leskaj vlerësoi seriozitetin dhe integritetin  e Konfindustrisë në përballimin e sfidave dhe theksoi që pritshmëritë e publikut ndaj Institucioneve shtetërore janë të larta, veçanërisht ndaj luftës kundër korrupsionit dhe sigurisht që puna nuk mund të përmbushet vetëm nga një institucion, cilido qoftë, por vetëm nëpërmjet bashkëpunimit dhe shkëmbimit të eksperiencave.

img_4607

Kontrolli i Lartë i Shtetit do të përdorë të gjitha hapësirat ligjore për të mundësuar kontributin e ekspertëve të Konfindustrisë në ekipet e tij të auditimit, të atyre enteve shtetërore ku mungesa e transparencës, deformimi i konkurencës dhe rreziku i lartë i korrupsionit përbën shqetësim të përbashkët.

Zoti Buxhuku, nga ana e tij, vlerësoi bashkëpunimin dhe veçanërisht rritjen e transparencës së KLSH-së, duke nënvizuar se të dy institucionit i bashkon një qëllim i përbashkët, mirëadministrimi i financave publike dhe respektimi i konkurencës së lirë në tenderat publikë, duke vendosur standardet e ekonomisë së lirë dhe të barazisë në treg.

Konfindustria dhe KLSH ranë dakort që të angazhohen bashkërisht në luftën kundër korrupsionit dhe të mungesës së transparencës në administratën shtetërore, me qëllim përmirësimin e qeverisjes.
Marrëveshja u nënshkrua nga Kryetari i KLSH-së, z.Bujar Leskaj dhe nga z.Gjergj Buxhuku, Administrator i Përgjithshëm i Konfindustria.