KLSH dhe ISHSH nënshkruajnë Marrëveshje Bashkëpunimi

Në datën 19 maj 2014, në mjediset e Kontrollit të Lartë të Shtetit, u nënshkrua Marrëveshja e Bashkëpunimit mes KLSH dhe Institutit Shqiptar të Shkencave (ISHSH), i cili realizon në Shqipëri projektin Open Data Albania.

marropendata

Në zbatim të kësaj Marrëveshje, KLSH do të angazhohet për shkëmbimin e të dhënave me interes reciprok, duke hapur edhe një dritare tjetër komunikimi me publikun me qëllim rritjen e transparencës dhe modernizimin e institucionit. Nëpërmjet këtij bashkëpunimi do të krijohet mundësia e shfrytëzimit të të dhënave të ndryshme të publikuara nga Open Data Albania që është një projekt serioz dhe i vlerësuar si brenda ashtu edhe jashtë vendit për cilësinë  e të dhënave dhe analizave që publikon e përgatit.

marrveshopen

Nëpërmjet realizimit të kësaj marrëveshje, KLSH është në përmbushje të detyrave për ngritjen e kapaciteteve dhe rritjen e standarteve profesionale në auditim, nëpërmjet trajnimeve, workshopeve dhe aktiviteteve të tjera të përbashkëta me qëllim modernizimin e institucionit dhe forcimin e luftës kundër korrupsionit.
Marrëveshja u nënshkrua nga Kryetari i KLSH-së, z.Bujar Leskaj dhe nga zj.Aranita Brahaj, Kryetare e Institutit Shqiptar të Shkencave.
Zonja Brahaj, nga ana e saj, vlerësoi bashkëpunimin dhe qasjen e re që ka KLSH ndaj Shoqërisë Civile, duke theksuar se ky bashkëpunim nëpërmjet shkëmbimit të të dhënave do te gjenerojë ide të reja dhe do të ndihmojë në gjetjen e defekteve, duke përmirësuar luftën ndaj korrupsionit. 
Të dyja palët shprehen së fundmi vendosmërinë për zbatimin e kësaj marrëveshjeje si dhe besimin se një bashkëpunim i sinqertë mes strukturave publike dhe shoqërisë civile do të japë rezultate konkrete në rritjen e transparencës, përmirësimin e analizave ekonomike nëpërmjet shfrytëzimit të të  dhënave mbi indikatorët ekonomiko-shoqëror ne Shqipëri, me qellim  përmirësimin e qeverisjes.