KLSH Analiza vjetore 2015

analiza_vjetore Dr. Josef Moser, Sekretari i Përgjithshëm i INTOSAI-t dhe President i Gjykatës Austriake të Auditimit, në fjalën e tij në Simpoziumin e 22-të të OKB-INTOSAI, mbajtur në Vjenë, në mars 2013, cilësonte se: “Në një kohë që burimet publike janë duke u bërë gjithnjë e më të pakta, qytetarët me të drejtë pyesin:

1. Si mundet qeverisja publike të jetë e projektuar në mënyrë më efikase dhe më ekonomike, si dhe
2. Çfarë kontributi mund të japë institucioni suprem i auditimit (SAI) në këtë drejtim?

Në përgjigje të këtyre pyetjeve, ne si SAI duhet të zhvillojmë propozime dhe zgjidhje për më shumë qeverisje ekonomike dhe efikase publike, në bazë të punës sonë të auditimit.

Ne duhet t’i integrojmë këto propozime për zgjidhje në mënyrë sa më efektive që të jetë e mundur, në procesin e reformës së Qeverisë”.

Ky cilësim është thelbi i misionit tonë si SAI. Në bazë të Deklaratës së Limës, Kushtetutës së Institucioneve Supreme të Auditimit, e cila në Nenin 16, pika 1 të saj shprehet: “ Institucioni Suprem i Auditimit duhet të mandatohet nga Kushtetuta për të raportuar gjetjet e tij çdo vit.... Ky raport duhet të publikohet”, KLSH paraqet përpara lexuesit analizën e veprimtarisë së tij për vitin 2015, sidomos gjetjet dhe rekomandimet e tij kryesore për përmirësimin e qeverisjes publike.

 

Në përputhje të plotë me standardet e INTOSAI-t dhe misionin tonë kushtetues, paraqesim përpara publikut të gjerë gjetjet kryesore nga auditimet që kemi kryer gjatë vitit 2015, rekomandimet dhe masat që kemi propozuar, përpjekjet për përmirësimin e qeverisjes nëpërmjet thellimit të luftës ndaj korrupsionit, partneritetet me institucionet simotra të zhvilluara evropiane, me qëllim  shkëmbimin e eksperiencës dhe rritjen e kapaciteteve profesionale të audituesve tanë. Është viti i katërt rradhazi që kemi zgjedhur si format të analizës sonë vjetore hapjen e plotë dhe të pakushtëzuar ndaj mediave dhe qytetarit, nëpërmjet zhvillimit të analizave të departamenteve të auditimit pranë universiteteve publike të disa rretheve kryesore të vendit, me pjesëmarrjen e gazetarëve dhe përfaqësuesve të shoqërisë civile. Kjo transparencë, krahas monitorimit të thellë të veprimtarisë së KLSH, dhënies llogari për çdo lek të harxhuar nga institucioni përpara qytetarëve dhe grupeve më të angazhuara të tyre, që janë shoqatat e shoqërisë civile, gjykojmë se i shërben rritjes së besimit të publikut ndaj punës dhe rezultateve të KLSH, si dhe në plan më të gjerë, shton besimin e qytetarëve ndaj qeverisjes.

 

Me këtë botim të analizës vjetore KLSH 2015, japim një bilanc të plotë të aktivitetit njëvjeçar të institucionit, nëpërmjet referimeve të drejtuesve dhe audituesve më të përgatitur të tij, duke vlerësuar me syçelësi atë që kemi arritur, por edhe duke evidentuar, me anë të analizës SWOT, mangësitë dhe dobësitë që kemi, duke reflektuar mbi to, me qëllim përmirësimin efektiv të punës   në të ardhmen.  

 

Dëshiroj të falënderoj të gjithë ata pedagogë, studentë, gazetarë dhe përfaqësues të shoqërisë civile që na ndoqën në analizat tona të Departamenteve të Auditimit në Tiranë, Shkodër, Elbasan, Vlorë, si dhe personalitetet e jetës politike dhe publike shqiptare që vlerësuan Analizën Vjetore Institucionale të KLSH, për vitin 2015, të zhvilluar në Tiranë, dhe na nderuan me pjesëmarrjen e tyre: Presidentin e Republikës së Shqipërisë,   SH.T.Z. Bujar Nishani; Ambasadorin e SHBA-ve, z. Donald Lu;    Kryetarin e Komisionit për Ekononominë dhe Financat të Kuvendit, z.Erjon Braçe; Prokurorin e Përgjithshëm të Republikës së Shqipërisë, z. Adriatik Llalla; Inspektorin e Përgjithshëm të ILDKPKI, z. Shkëlqim Ganaj; Guvernatorin e Bankës së  Shqipërisë, z. Gent Sejko; Kryetaren e Autoritetit Kombëtar të Konkurrencës, znj. Lindita Lati; Avokatin e Popullit, z. Igli Totozani; Ministrin e Drejtësisë, z. Ylli Manjani, si dhe shumë akademikë, deputetë të Kuvendit të Shqipërisë, përfaqësues të shoqërisë civile, etj. Mesazhet   e përcjella prej tyre kanë rëndësi parësorë për ne, jo vetëm për vlerësimin e punës dhe rezultateteve të deritanishme, për përkrahjen dhe inkurajimin e audituesve tanë, por edhe për drejtimet dhe rekomandimet e vyera që dhanë dhe që do t’i vlejnë përmirësimit të punës së institucionit në të ardhmen.    

 

Viti 2015 ishte viti i parë i zbatimit të ligjit të ri integral të KLSH, tërësisht në përputhje me standardet e INTOSAI-t, si dhe viti i konsolidimit të reformave dhe arritjeve të viteve 2012-2014, vit në të cilin institucioni fitoi gradualisht shprehitë dhe fizionominë e një institucioni modern auditimi me qasje tërësisht evropiane dhe perëndimore.

 

Për këtë progres të dukshëm, të evidentuar dhe nga Progres Raporti 2015 i Bashkimit Europian, falënderimi im shkon jo vetëm tek të gjithë audituesit dhe punonjësit e Kontrollit të Lartë të Shtetit, të cilët me punën e përkushtuar dhe profesionalizmin e tyre kanë bërë të mundur përmbushjen e objektivave strategjike te institucionit dhe për vitin 2015, por edhe për ndihmën e çmuar të dhënë nga Kuvendi, sidomos nga Komisioni për Ekonominë dhe Financat, si dhe për përkrahjen dhe partneritetin e aleatit tonë të natyrshëm e të përhershëm, median si vizive, ashtu edhe të shkruar të vendit.