Guida e planifikimit të menaxhimit dhe administrimit të aseteve në qeverisjen vendore

kapak bajrami_001_copy_1Libri “Guida e Planifikimit të menaxhimit dhe administrimit të aseteve në vetëqeverisjen vendore” vjen për lexuesin shqiptar në një moment kyç për reformën administrative dhe territoriale, ku njësitë vendore përballen me sfida përcaktuese për të ardhmen e tyre. Reforma, por edhe mbarë opinioni publik e shoqëror i vendit iu kërkon të realizojnë mirëqeverisjen për komunitetet që përfaqësojnë, të ofrojnë shërbime publike më efiçiente për qytetarët e tyre, të mbledhin në mënyrë më efektive taksat dhe tarifat vendore, duke krijuar mundësi më të mira për të promovuar zhvillimin ekonomik lokal të qëndrueshëm.

Si risqet dhe shanset për sukses janë mbi tavolinë për njësitë vendore. Të organizuara në 61 bashki, të përfshira në një proces të decentralizimit të më shumë funksioneve dhe kompetencave që u kalojnë atyre dhe alokimit të më shumë fondeve publike, këto njësi kanë gjithnjë e më tepër mundësi për të marrë pjesë në projekte të bashkëpunimit ndërkombëtar, për të tërhequr më shumë fonde nga BE dhe donatorë të tjerë, për të negociuar me qeverinë qendrore dhe për bashkëpunim më të gjerë mes tyre.

Po t’i realizojnë të gjitha këto, ato do të kenë reformuar me sukses vetveten, pasi reforma administrative është pikënisja, por jo mbërritja. Reforma përbën vetëm dhe thjesht mundësi më të shumta për njësitë e vetëqeverisjes vendore që t’u shërbejnë më mirë qytetarëve të komunitetit të tyre, duke përdorur fondet publike qendrore dhe vendore me efektivitet, efiçiencë dhe ekonomicitet. Suksesin, mirëqeverisjen ato duhet ta sigurojnë dhe garantojnë vetë.