Gjykata Europiane e Audituesve, 40 Vjet Auditim Publik 1977-2017

NË VEND TË HYRJES PËR BOTIMIN NË SHQIP

BUJAR LESKAJ, Kryetar i Kontrollit të Lartë të Shtetit.

 

ECA-Gardiani i interesave financiare të qytetarit të BE-së.

 

kapaku ecaNë tetor 1977, 40 vjet më parë themelohej Gjykata Evropiane e Audituesve (ECA), struktura përgjegjëse për kontrollin dhe auditimin e fondeve dhe programeve të Bashkimit Evropian për Shtetet e tij Anëtare dhe për vendet kandidate e aspirante për t’u anëtarësuar në BE.

Që në ditët e para të aktivitetit të tij, ky institucion, që konsiderohet një nga pesë institucionet themelore të Evropës së Bashkuar, së bashku me Parlamentin Evropian, Këshillin e Evropës, Komisionin Evropian dhe Bankën Qendrore Evropiane, ka vepruar si një ruajtës, gardian i pavarur i interesave financiare të qytetarëve të Bashkimit Evropian. Me kalimin e viteve, Gjykata provoi të jetë një gardiane tejet profesionale dhe thellësisht e bindur në misionin dhe vlerat e saj. Çdo vit, ECA kontrollon dhe auditon shpenzimin me ekonomicitet, efektivitet dhe efiçiencë të buxhetit të BE-së, në nivel të mbi 140 miliardë euro, ose rreth 285 euro për çdo qytetar të komunitetit, si fonde dhe programe të përbashkëta të Bashkimit Evropian.

 

Shpenzimet e BE-së janë një instrument i rëndësishëm për arritjen e objektivave të politikave të Evropës së Bashkuar. Ndërsa BE, pas Brexit dhe kërkesës për pavarësi të Parlamentit rajonal të Katalonjës në Spanjë, po ballafaqohet me sfida edhe më të mëdha dhe presion të shtuar mbi financat e saj publike, roli i ECA-së merr sot një rëndësi në rritje. Gjykata paralajmëron për rreziqet, ofron siguri dhe jep udhëzime për politikëbërësit e BE-së, të cilët e kanë domosdoshmëri të marrin këshilla të besueshme se si të përmirësojnë menaxhimin e financave publike. ECA përpiqet të sigurojë që qytetarët e BE-së të jenë të mirë informuar dhe të dinë sa më shumë dhe qartë si shpenzohen paratë e tyre. Ky është thelbi i kontributit të ECA-s në forcimin e legjitimitetit demokratik dhe qëndrueshmërisë së Bashkimit Evropian.

 

Nëpërmjet auditimeve të saj, ECA ia ka arritur që të përmirësojë menaxhimin financiar të BE-së. Ajo promovon fuqishëm llogaridhënien dhe transparencën në menaxhimin e fondeve të Unionit, duke synuar të jetë një organizatë efiçiente në pararojë të zhvillimeve në auditimin publik dhe në administratën publike.

 

Në fjalën e hapjes së Takimit Jubilar të 40 Vjetorit më 12 tetor 2017 në Luksemburg, Presidenti i Gjykatës Evropiane të Audituesve, z. Klaus-Heiner Lehne u shpreh se “ ECA është e vendosur të sigurojë që çdo euro e shpenzuar në nivel evropian të sjellë vlerë të shtuar në jetën e qytetarëve, duke qenë një zë i pavarur për të evidentuar progresin kur gjërat shkojnë mirë, por edhe duke bërë publike të vërtetat e pakëndshme kur gjërat nuk shkojnë ashtu siç duhet 1 ”.

Në përpjekjet e saj që fondet e BE-së të arrijnë vlerën për para (value for money), ECA ka kontribuar, duke dhënë mendimin e saj të ekspertizës përmes qindra raporteve dhe opinioneve objektive dhe të rëndësishme të auditimit. Në raportet më të fundit të zbatimit të buxhetit vjetor, Gjykata ka bërë thirrje për një qasje krejtësisht të re për investimet dhe shpenzimet e BE-së. Ajo tërheq vëmendjen kundrejt ecurisë së politikave dhe programeve të Unionit, duke zhvendosur fokusin e raportimit financiar nga më shumë informacione rreth çmimit të shpenzimeve të BE-së drejt më shumë informacione rreth vlerës së parasë së harxhuar. Ligjvënësit e BE-së duhet të sigurojnë që jo vetëm fondet e BE-së të shpenzohen në përputhje me kuadrin rregullator, por edhe që rezultatet e synuara të arrihen. Kjo është një këshillë dhe qasje e rekomanduar për të gjithë ne, SAI-t në Evropë, gjatë hartimit të raporteve tona vjetore lidhur me zbatimin e buxhetit faktik të Shtetit. Në këtë mënyrë, ECA u tregon politikbërësve të BE-së me fuqinë më bindëse se si financat e BE-së mund të menaxhohen më mirë dhe të bëhen më të përgjegjshme për qytetarët. Llogaridhënia dhe transparenca në menaxhimin e parave të taksapaguesve evropianë është ajo që ka rëndësi për Gjykatën Evropiane të Audituesve. Me “armatën” e saj të raporteve vjetore, raportet specifike vjetore, raportet e veçanta dhe raportet e aktiviteteve, ECA kontribuon në mënyrë efektive në profesionin e auditimit më të lartë publik.

 

 

Përveç të qenit një element thelbësor i zinxhirit të llogaridhënies së BE-së, ECA nxit fuqishëm bashkëpunimin midis institucioneve të larta të auditimit, bazuar në moton e INTOSAI-t "Experentia mutua Omnibus prodest (Nga eksperienca e përbashkët fitojnë të gjithë)". Ajo bashkëpunon në mënyrë efektive, sepse beson në vlerat dhe mesazhet e Deklaratës së Limës, të quajtur ndryshe Magna Carta, Kushtetuta e institucioneve supreme të auditimit, të miratuar në Kongresin INCOSAI I IX-të të INTOSAI-t në vitin 1977.

ECA ka ditur të jetë një promotore e fuqishme e zhvillimit profesional të SAI-ve evropiane, sidomos të atyre në vendet kandidate dhe aspirante për kandidate në BE.

Pjesëmarrja e ECA-s në auditimet e përbashkëta ose të koordinuara me SAI-t e tjera në Evropë, por edhe në të gjitha Grupet e Punës dhe Task Forcat e EUROSAI-t, i ka sjellë vlerë të shtuar auditimeve publike në të gjithë Evropën.

Për ne si KLSH, si SAI, të kemi ekspertë të ECA-s në auditimet tona është si një ëndërr e tjerrur gjatë dhe shpresojmë që një ditë kjo ëndërr do të realizohet. Me këtë botim, falënderojmë ECA-n për programin e internship-eve që ka afruar vitet e fundit për audituesit tanë. Audituesit e KLSH-së pjesëmarrës në praktikat e punës së ECA-s përfaqësojnë një pjesë ndër më cilësoret të trupës sonë audituese. Ne i angazhojmë ata në auditimet më të rëndësishme dhe në prodhimin e dokumenteve strategjikë të KLSH-së.

Nëpërmjet këtij botimi në shqip, audituesit tanë, por edhe lexuesi i interesuar shqiptar, njohin Gjykatën Evropiane të Audituesve, institucionin-gardian të parasë së taksapaguesve evropianë, misionin, vlerat dhe zhvillimet e saj në katër dekada aktivitet intensiv e të suksesshëm.