Fuqizimi marrëdhënieve ndërmjet Parlamentit dhe Institucionit Suprem të Auditimit për përmirësimin e performancës së auditimit të jashtëm në vendet e Ballkanit Perëndimor

25.11.2019

Në 12- 14 Nëntor, në Podgoricë, Mali i Zi,  Banka Botërore dhe Parlamenti i Malit të zi organizuan seminarin Rajonal “ Fuqizimi i Marrëdhënieve ndërmjet Parlamentit dhe Institucionit Suprem të Auditimit, për të përmirësuar performancën e auditimit të jashtëm në vendet e Ballkanit Perëndimor” në të cilën KLSH mori pjesë me delegacionin e përberë nga znj. Albana Gjinopulli, Drejtore e Departamentit të Metodologjisë , Standardeve dhe Sigurimit të Cilësisë, znj. Edlira Sako, Drejtore e Drejtorisë së Burimeve Njerëzore dhe auditues të lartë znj. Miranda Haxhia dhe znj. Jorida Zhegu.

 

podgorica

Iniciativa e organizimit të Seminarit Rajonal për Institucionet Supreme të Auditimit dhe Komisionet Parlamentare për Financat dhe Llogaridhënien Publike , është një vazhdimësi e nismës të mbajtur në Tiranë në maj 2019, të organizuar nga Banka Botërore dhe Programi OECD për Mbështetjen e Reformave  të Administratës Publike (SIGMA), ku  përfaqësuesit e Institucioneve Supreme të Auditimit dhe Parlamenteve të vendeve të Ballkanit Perëndimor identifikuan planet e veprimit në nivel vendi, për të forcuar marrëdhëniet dhe bashkëpunimin e ndërsjellë midis këtyre dy institucioneve.

I konceptuar mbi katër interface, Seminari eksploroi situata të zhvillimit në rajon lidhur me raportin dhe marrëdhëniet që ekzistojnë ndërmjet Parlamentit dhe SAI-t të vendeve pjesëmarrëse, sfidat kryesore për auditim dhe mbikëqyrje financiare efektive si dhe u diskutuan çështje të formësuara rreth tri fushave me interes të ndërsjellët për SAI-n dhe Parlamentin të tilla si: Pavarësia e SAI-t, Shqyrtimi i Raporteve të auditimit nga Parlamenti dhe ndjekja e rekomandimeve të auditimit.

Seminari Rajonal siguroi një platformë për ekspertët nga parlamentet dhe SAI-t për të:

(i) informuar njëri-tjetrin për zbatimin e planeve institucionale të veprimit;
(ii) shkëmbyer njohuri të praktikave dhe prezantime të  strategjive dhe qasjeve teknike për të forcuar bashkëpunimin midis parlamenteve dhe institucioneve supreme të auditimit; dhe
(iii) hulumtoi se si të maksimizohen përfitimet e bashkëpunimit nëpërmjet aplikimit të llojeve të ndryshme të auditimit ose mbikëqyrjes së subjekteve specifike, siç janë ndërmarrjet shtetërore.

Përfaqësuesit e KLSH dhe institucioneve supreme të auditimit të vendeve të rajonit prezantuan progresin e bërë në lidhje me planin e veprimit për forcimin e bashkëpunimit me Kuvendin dhe nxorën në pah fushat për përparim të mëtejshëm.
Diskutimet u fokusuan në përdorimin e një memorandumi bashkëpunimi që i shërben të dy palëve  si një mjet për arritjen e një komunikimi më efektiv, i cili përcakton masa për përmirësimin e bashkëpunimit të ndërsjellë në mënyrë që të promovojë përgjegjshmëri, transparencë dhe qeverisje të mirë në fushën e financave publike.

Gjatë punimeve të Seminarit pjesëmarrësve iu mundësua shkëmbimi i përvojave dhe për të nxjerrë përfundime në lidhje me çështje që lidhen me të kuptuarit e raporteve të auditimit, nëpërmjet përdorimit të produkteve të auditimit në vlerësimin e performancës së sektorit publik, monitorimin e zbatimit të rekomandimeve dhe punën e Institucioneve Supreme të Auditimit në planifikimin dhe buxhetimin.

Bazuar në përvojat e përbashkëta të pjesëmarrësve dhe konkluzionet nga Seminari, do të hartohen instruksione të përbashkëta që do t'i shërbejnë Institucioneve Supreme të Auditimit dhe Parlamenteve të Ballkanit Perëndimor si një udhëzues për zhvillimin e protokolleve të bashkëpunimit.