Forcimi i Infrastrukturës Etike në SAI dhe Auditimi i Etikës në Sektorin Publik

 

etika I nderuar lexues,

Kontributi për fuqizimin e përgjegjshmërisë, transparencës dhe integritetit të qeverisë dhe njësive të tjera të sektorit publik është një mision themelor i institucioneve të auditimit të jashtëm shtetëror (SAI). SAI-t e kryejnë këtë mision, duke siguruar në rradhë të parë një nivel të lartë të përgjegjshmërisë publike, transparencës dhe integritetit të audituesve të tyre dhe, duke e kërkuar këtë nivel në institucionet që auditojnë. Një institucion me etikë dhe integritet të lartë shërben si një barrierë shumë e efektshme ndaj përhapjes së korrupsionit.
Bazuar në Deklaratën e Limës (ISSAI 1), në ISSAI 12 “Vlera dhe përfitimet e SAI-ve: të bësh diferencën në jetët e qytetarëve”, ne ISSAI 20 “Parimet e Transparences dhe te Llogaridhenies”, ne ISSAI 21 “Parimet e Transparences dhe te Llogaridhenies dhe Praktikat e Mira” dhe në ISSAI 30 “Kodi i Etikës”, KLSH ka përkthyer dhe përgatitur për lexuesin e informuar (audituesit publikë dhe privatë të vendit) botimin ”Forcimi i infrastrukturës etike në Institucionet Supreme të Auditimit dhe Auditimi i Etikës në sektorin publik”.
Ky botim përmbledh katër broshura të EUROSAI-i, të përgatitura nga Grupit i Punës (Task Force) i tij për Auditimin dhe Etikën, me synim reflektimin e aktiviteteve të Grupit, si Seminari mbi sfidat e auditimit të Etikës, i zhvilluar në shtator 2013 në Luksemburg, Takimi i Katërt i Grupit në janar 2014 në Lisbonë, Portugali, me 32 SAI evropiane pjesëmarrëse në një anketim lidhur me etikën e SAI-eve, si dhe Takimi i Pestë i zhvilluar në Polana Brasov, Rumani për diskutimin dhe miratimin e dy dokumenteve themelore të këtij auditimi. Botimi i sjell këto dy dokumente në formën e katër broshurave, që i lidh filli logjik i identifikimit të tendencave kryesore, qasjeve dhe pikave të forta në auditimin e Etikës, si për vetë SAI-n, ashtu dhe për institucionet publike që auditohen prej tij.
Pjesa e Parë e botimit titullohet “Mbështetje Institucioneve Supreme të Auditimit për forcimin e Infrastrukturës Etike”. Ajo përmban tre broshurat e para, te titulluara: “Një vështrim i përgjithshëm i strategjive dhe praktikave etike të SAI-ve; “Menaxhimi i Etikës në Praktikë-analiza” dhe “Artikuj të SAI-ve për menaxhimin e Etikës”.
Si auditues të jashtëm të pavarur të financave publike, SAI-t duhet të shihen nga të gjithë  me një ndjenjë besimi, sigurie dhe kredibiliteti. Siç theksohet në Kodin e Etikës te INTOSAI-t, besueshmëria është thellësisht e bazuar në pavarësinë, paanshmërinë dhe integritetin moral të anëtarëve dhe audituesve të SAI-t, të cilët duhet të veprojnë në bazë të një kodi të qartë të vlerave dhe parimeve.
Standardet e  larta të integritetit dhe transparencës në punën e përditshme të SAI-t rrisin rolin e tij si institucion model për përgjegjshmërinë. Kjo është mjaft e rëndësishme për të zgjeruar rëndësinë dhe ndikimin e punës së SAI-t, në një kohë, kur është i nevojshëm rifitimi i besimit në institucionet publike, si një element kyç i kthimit  të rritjes së qëndrueshme.
Botimi vijon me Pjesën e Dytë, e cila titullohet “Auditimi i Etikës në sektorin publik”. Qëllimi është për të motivuar dhe inkurajuar SAI-in  për të audituar etikën dhe / ose çështje të lidhura me etiken, duke e bërë atë një objektiv shumë te zakonshëm te auditimit te tij, dhe, në këtë mënyrë, duke hapur rrugën për të promovuar sjelljen etike dhe zhvillimin e kornizave të integritetit në organizatat publike.
Etika, integriteti dhe transparenca e zyrtarëve të shtetit  dhe të punonjësve civilë, si dhe veprimet e tyre janë bërë një fokus në rritje i vëmendjes publike. Skandalet e shumta që lidhen me korrupsionin, paligjshmërinë ose mungesen e profesionalizmit, nxjerrin në pak rëndësinë e këtyre çështjeve në shumë vende.  Reforma dhe modernizimi i administratës shtetërore dhe menaxhimit publik dhe rritja e demokratizimit dhe e hapjes së shoqërive, lejojnë dhe synojnë zhvillimin dhe forcimin e strukturave dhe menaxhimit të etikës në shërbimin civil. Etika rezulton të jetë një pjesë e kërkuar e qeverisjes publike dhe e performances se institucioneve shteterore dhe, në rrethana të tilla, auditimi i Etikes është duke u bërë i rëndësishëm. Auditimi i SAI-t mund të jetë një instrument i vlefshëm për matjen e klimës etike apo respektimin e kodit të sjelljes të organizatës publike. SAI,  gjithashtu, mund të shtoje  vlera dhe për të kontribuar në përmirësimin e menaxhimit, kontrollit dhe qeverisjes së organizatës së audituar, nëpërmjet rekomandimeve funksionale dhe në kohë.
Duke audituar etikën  ose çështjet e etikës, SAI  mund të ndihmojë në  rivendosjen e besimit në organizatat publike, besim i cënuar kohët e fundit, për shkak të krizës financiare dhe ekonomike. SAI-t kanë një rol të rëndësishëm në mbështetjen e institucioneve më të hapura dhe efektive të qeverisë, si dhe në përmbushjen e pritshmërive të qytetarëve që qeveritë të ofrojnë siguri se proceset vendim-marrëse në mënyrë efektive ndjekin interesin publik dhe janë të mbrojtura nga ndikimet.
Disa vlera të rëndësishme të përbashkëta etike për sektorin publik janë:
• Integriteti dhe paanshmëria
• Promovimi i interesit publik
• Angazhimi në sistemin e administratës publike
• Llogaridhënia dhe transparenca.
Parimet etike janë vlerat etike të përkthyera në rregullat e sjelljes. Ato përcaktohen nga kodet e sjelljes apo të akteve të tjera dhe ato qeverisin sjelljen etike të punonjësit publik, duke e kufizuar atë. Disa nga parimet më të rëndësishme etike për sektorin publik janë:
• Kryerja e shërbimeve publike në mënyrë të paanshme
• Veprimi në përputhje me ligjin
• Shmangia e konfliktit të interesave
• Shmangia e klientelizmit, nepotizmit dhe forma të tjera të favorizim
• Refuzimi i dhuratave
• Respektimi i konfidencialitetit dhe të qënit diskret
• Kujdesi në menaxhimin e aseteve publike
• Kryerja e Detyrave dhe detyrimeve me ndërgjegje
• Kryerja e detyrave në kohë dhe në mënyrë efektive
• Parandalimi i abuzimit nga autoritetet
• Shpërblime të drejta ndaj punonjësve
• Respektimi i konfidencialitetit.
Sot, integriteti dhe etika e enteve qeveritare dhe e institucioneve të tjera publike të një vendi është kusht i pazëvendësueshëm për të siguruar mirëqeverisjen e atij vendi. SAI mund dhe duhet të shërbejë si matësi kryesor i nivelit të etikes dhe integritetit në qeverisjen publike, duke audituar plotësimin e vlerave dhe parimeve etike në institucionet që kontrollon. Nga ana tjetër, duke kryer një analizë të qartë të nivelit të integritetit dhe etikës brenda vetë institucionit, SAI fiton në imazhin dhe besimin e publikut tek ai.
Në tërësi, botimi ”Forcimi i infrastrukturës etike në SAI-t dhe Auditimi i Etikes në sektorin publik” jep një përmbledhje të zgjeruar të eksperiencave të shumë SAI-ve evropiane në auditimin e zbatimit të rregullave të etikës në institucionet që auditojnë, si dhe shembuj të suksesshëm të kryerjes së vetëvlerësimit të integritetit brenda SAI-t, nëpërmjet instrumentit “INTOSAINT”, të përgatitur nga Gjykata e Auditimit e Hollandës
Në vitin 2012, komuniteti i SAI-ve evropiane, EUROSAI krijoi Grupin e Punës (Task Forcën) për Auditimin dhe Etikën. Gjatë vitit 2013, KLSH aplikoi dhe u pranua anëtar i kësaj Task Force. Institucioni, nëpërmjet anëtarësimit dhe pjesëmarrjes aktive në këtë organizëm, synon, nga njëra anë, në instalimin dhe funksionimin e një infrastrukture efektive etike në vetë KLSH-në, dhe, nga ana tjetër, do të ndërmarrë misione auditimi mbi rregullsinë dhe efiçiencën e Etikës dhe Integritetit në institucionet publike që auditon, duke konsideruar që lufta kundër korrupsionit dhe politikat për instalimin e një sistemi efektiv të integritetit të jenë pjesë themelore e menaxhimit të institucioneve publike.
Nëpërmjet zbatimit, në një të ardhme shumë të afërt, të Instrumentit të Vetëvlerësimit të integritetit “INTOSAINT” në KLSH, ne synojmë që të forcojmë infrastrukturën etike brenda vetë institucionit, dhe në këtë mënyrë, të promovojmë integritetin dhe etikën në te gjitha institucionet e sektorit publik duke “udhëhequr nëpërmjet shembullit”.
Së fundi, dua të sjell në vëmendjen Tuaj përcaktimin e Prof. Assoc. Dr. Recai Akyel, President i SAI-t Turk i cili ka cilësuar se: “Integriteti i menaxhimit të auditimit ka rëndësi parësore në rritjen e besimit të palëve të interesuara”.
E theksoj se, në radhë të parë, KLSH përpiqet të jetë një institucion besimi. Nëpërmjet auditimeve të tij profesionale, ai ngjall besimin tek qytetari dhe Kuvendi, duke dhënë garancinë se fondet dhe asetet publike të vendit tonë janë përdorur me ekonomi, efektivitet dhe efiçiencë. Gjetjet dhe rekomandimet tona do t’i shërbejnë gjithnjë forcimit të mirëqeverisjes publike dhe do të jenë një “sy” profesional mbi integritetin e institucioneve që auditojmë, sikurse edhe botimi mbi auditimin e etikës që po ju paraqesim, është një udhërrëfyes në mjetet e vlerësimit të etikës qeverisëse.  
Një falënderim i veçantë shkon për përkthyeset e këtij botimi zj.Alma Shehu, zj.Amantia Patozi, zj.Dëshira Huqi, zj.Erjola Meçaj dhe zj. Ermira Vojka,  të cilat kanë realizuar një përkthim cilësor, krahas realizimit të detyrave të tyre të përditshme, si edhe për dy redaktoret zj.Irena Islami dhe zj. Dëshira Huqi.
Ju uroj një lexim të mbarë!

Bujar Leskaj