Fjala e zv. Ambasadorit të OSBE, z. Willton në Analizën e vitit 2013 të KLSH

28.01.2014

U bashkohem parafolësve duke uruar KLSH-në për përkushtimin dhe arritjet përgjatë vitit 2013, gjatë procesit të auditimit të institucioneve publike, të nivelit qendror dhe atij vendor. Numri i lartë i masave administrative të dhëna për zyrtarët publikë lidhur me abuzimet në fondet shtetërore, ashtu si edhe numri i çështjeve të dërguara pranë Prokurorisë së Përgjithshme, është tregues i angazhimit të këtij institucioni.

Pjesëmarrja e Presidentit të Republikës dhe e Prokurorit të Përgjithshëm si edhe e Deputetëve të Kuvendit në këtë analizë, shpreh qëndrimin e tyre të qartë të bashkëpunimit dhe angazhimit, për të parandaluar dhe luftuar keqpërdorimin e parave të taksapaguesve.

Ne, të gjithë e dimë se, ky lloj korrupsioni pengon zhvillimin. Burimet publike kthehen në xhepat e individëve të korruptuar, larg investimeve shumë të nevojshme në transport, energji, shëndetësi dhe arsim. Korrupsioni nuk është një krim pa viktima.

Roli i KLSH-së si një institucion i pavarur, është thelbësor në zbulimin dhe dhënien e provave për këto praktika të këqija. Është gjithashtu shumë e rëndësishme që rekomandimet e KLSH-së, të zbatohen nga institucionet publike. Përqindja e zbatimit të masave të rekomanduara nga KLSH, është aktualisht e ulët. Ne do të nxisnim institucionet shqiptare për të marrë parasysh me seriozitet miratimin e këtyre rekomandimeve, si një mënyrë për të përmirësuar luftën ndaj keqpërdorimit të fondeve publike nga zyrtarët e të gjitha niveleve.

Në partneritet edhe me kolegë ndërkombëtarë, veçanërisht me BE-në, si dhe në partneritet me Shqipërinë, OSBE është e vendosur për të mbështetur luftën kundër korrupsionit. Në veçanti, ne po asistojmë Ministrin e Shtetit për Çështjet Vendore si Koordinatori Kombëtar në hartimin e Strategjisë Anti-Korrupsion dhe Planit të Veprimit përkatës. Për këtë arsye, përfshirja dhe kontributi i KLSH-së në hartimin e këtyre dokumenteve, së bashku me institucione të tjera të pavarura si Inspektoriati i Lartë për Deklarimin e pasurive dhe Avokati i Popullit, ashtu si edhe Prokuroria e Përgjithshme, do të ishin shumë të vlefshme për një përqasje më të plotë dhe të kuptueshme në luftën kundër korrupsionit.

Unë e nxis KLSH-në për të forcuar më tej bashkëpunimin me agjencitë e tjera të forcimit të ligjit, për të siguruar që Shqipëria të arrijë rezultate konkrete në rastet e zyrtarëve të kallëzuar, të gjykuar dhe dënuar për korrupsion. Fakti që KLSH ka raportuar një numër domethënës të zyrtarëve në Prokurorinë e Përgjithshme për abuzim me fondet publike, është një zhvillim pozitiv. Presim me padurim rezultate të prekshme nga gjyqësori në të tilla raste, për të nxitur gjithashtu veprimet e grupeve të tjera të interesit në luftën kundër korrupsionit.

Miratimi nga KLSH i një kodi etike për zyrtarët e institucionit, për të siguruar integritetin si të stafit ashtu edhe të procesit të auditimit, është një shembull i mirë që mund të ndiqet edhe nga institucione të tjera.

Trajnimet për ngritjen e kapaciteteve të stafit të KLSH-së, janë thelbësore për të përmirësuar teknikat audituese dhe proceset, në të njëjtën linjë me standardet ndërkombëtare. Për rrjedhojë, ne do të nxisnim KLSH-në që të ofrojë trajnime edhe për institucionet e tjera publike, për t’i ndihmuar ato në përmirësimin e kapaciteteve audituese si dhe në mirë-përdorimin e rekomandimeve të KLSH-së. 
Shpresoj sinqerisht se ky takim do të sjellë përmirësime të tjera konkrete në punën e institucionit tuaj, duke u mbështetur në arritjet e deritanishme. Dëshiroj të përsëris angazhimin e prezencës së OSBE-së, për të ofruar mbështetje të vazhdueshme ndaj institucioneve tuaja, ndaj përpjekjeve kombëtare anti-korrupsion, për të arritur qëllimet e përbashkëta për standarde më të larta demokratike dhe prosperitet në vend.