Fjala e Prokurorit të Përgjithshëm në Analizën Vjetore të vitit 2013 të Kontrollit të Lartë të Shtetit.

28.01.2014

I nderuar Shkëlqesia Juaj z. President i Republikes,
I nderuar z, Leskaj,
Të nderuar te pranishëm,

E prita me kënaqësi  ftesën për të folur para jush. Bashkëpunimi ndërmjet prokurorisë dhe Kontrollit të Larte të Shtetit gjatë vitit 2013 ka qenë në nivelet më të larta. Për këtë arsye, ju falënderoj të gjithëve për rezultatet e punës Suaj.
Nga materialet  që ka përcjelle Kontrolli i Larte i Shtetit në prokurori, vërehet një rritje sasiore dhe cilësore e kallëzimeve penale. Po ashtu, është për tu vlerësuar fakti që në kallëzime përfshihen edhe zyrtare të niveleve të lartë.
Angazhimi Juaj, në përgjithësi ka qenë serioz. Kjo dallohet nga analiza e plotë që i keni bërë materialeve kallëzuese dhe e ka ndihmuar prokurorinë në punën e saj.
Raste të shumta janë dorëzuar në prokurori nga ana juaj gjatë vitit të kaluar, tashmë kanë shkuar në gjykatë ose janë në përfundim të hetimeve.
Po ashtu, Prokuroria e Përgjithshme,  ka qenë e ndjeshme ndaj rasteve të referuara nga Kontrolli i Lartë i Shtetit. Një numër i madh çështjesh, të pushuara nga prokuroritë e rretheve gjyqësore para vitit 2013, janë shfuqizuar dhe është kërkuar rihetimi i tyre. Për disa prej tyre, gjykata ka shpallur dënimet.
Diçka e tillë dëshmon dhe  vërteton faktin  se impenjimi i stafit të Kontrollit të lartë të Shtetit ka qenë dhe vijon të jetë në nivele të pranueshme.
Gjithsesi, jemi të bindur se kemi shumë për të bërë. Nga hetimet e prokurorisë, rezulton se abuzimet me funksionin publik  janë shtrirë në thuajse të gjithë nivelet e administratës publike.
Për këtë kërkohet  më shumë bashkëpunim dhe seriozitet në punën tonë. Këtu nuk i referohem vetëm Kontrollit të Lartë të Shtetit. Rol primar në luftën kundër korrupsionit  dhe shpërdorimit të detyrës kanë të gjithë institucionet publike. Në veçanti, ato institucione që janë pjesë e Njësive të Përbashkëta Hetimore Task-Forcë.
Prokuroria e Përgjithshme vlerëson se lufta kundër korrupsionit nuk duhet të konsiderohet si garë mes institucioneve apo si kalim i përgjegjësive tek njëri-tjetri. Natyrisht, organi i prokurorisë ka rolin e tij kryesor në ngritjen e akuzës. Por edhe institucionet publike që referojnë raste në prokurori, nuk duhet ta  konsiderojnë rolin e tyre të përfunduar në momentin e dorëzimit të kallëzimit. Institucionet duhet të jenë solidarë deri në dhënien e dënimit nga gjykata. Kjo është fryma e Njësive të Përbashkëta Hetimore.
Duhet të theksoj se kjo frymë po forcohet gjithnjë e më shumë. KLSH po dëshmon se kjo frymë duhet mbajtur lart. Po ashtu, edhe institucionet e tjera po angazhohen gjithnjë e më shumë për  referime në organin e prokurorisë. Besoj se ky është drejtimi i duhur. Pikërisht, ai që kërkon edhe opinioni publik nga institucionet shqiptare.
Z. Leskaj, ju falënderoj sërish për ftesën dhe ju nxis  që të vijojmë me ritme akoma më të larta bashkëpunimin institucional.
Ju faleminderit për vëmendjen.