Fjala e Presidentit Bujar Nishani në Analizën Vjetore 2012 të KLSH

01.02.2013

Konsolidimi i shtetit ligjor: sfidë për të gjithë ne

Zoti Kryetar,
Zoti Prokuror i Përgjithshëm,
Zoti Olafsson,
Zonja Drejtoreshë,
Të nderuar auditues, pjesëmarrës!

Së pari, unë dëshiroj të shpreh të gjithë kënaqësinë time dhe privilegjin që jam pjesë e këtij debati në analizën tuaj të një prej institucioneve kryesore të kolonës së shtetit ligjor.

Zoti Leskaj,

presidenti1Unë e vlerësoj shumë ftesën tuaj dhe dëshiroj që ta shfrytëzoj së pari këtë pjesëmarrje, për të uruar gjithsecilin prej jush, për të uruar suksesin e punës suaj të përditshme. Institucioni që ju menaxhoni, institucioni pjesë e të cilit jeni të gjithë ju, është jo vetëm i një rëndësie të veçantë në konceptin e shtetit, në mënyrën e funksionimit ligjor dhe korrekt të një shteti, por në specifikë dhe në veçanti, dhe mjaft institucione apo agjenci të tjera të administratës shtetërore, krahas rëndësisë që ka profesionalizmi juaj, krahas angazhimit që gjithsecili prej jush, në pozicionin publik që ka në administratë, në kontekstin profesional, ka dhe një kontribut të veçantë që lidhet drejtpërsëdrejti me mirëfunksionimin ligjor të shtetit në tërësi. Pra, vullneti juaj, gatishmëria juaj, angazhimi juaj, nuk është vetëm brenda kornizës së funksionimit normal apo të ushtrimit normal të përgjegjësive të një funksionari të shtetit, por më së shumti, dhe nga pikëpamja cilësore, në kontributin për shtetin, për institucionet e tjera të shtetit. Prandaj, unë dëshiroj që në këtë takim me ju, të nënvizoj vlerat dhe rëndësinë që ka në piramidën e institucioneve shtetërore, institucioni juaj, vlerën e pazëvendësueshme dhe rëndësinë e madhe të kontributit që ka angazhimi personal i gjithsecilit prej jush. Kjo do të thotë në gjykimin tim, që në radhë të parë të gjitha institucionet shtetërore, vetë shoqëria shqiptare duhet të perceptojë dhe të manifestojë një vlerësim për angazhimet dhe kontributet tuaja. Dhe nga ana tjetër, gjithsecili prej jush duhet ta vlerësojë se sa i rëndësishëm është roli që përfaqësoni, pasi shpesh herë rëndësia e rolit që ka një individ i caktuar, angazhimet dhe kontributet e çdo individi veçanërisht në pozicione të tilla, siç ju jeni, në mënyrë të padrejtë nuk vlerësohen në kontekstin edhe shoqëror, edhe institucional, por edhe individual.

Secili prej jush ka një rol dhe një pozicion të veçantë në shoqëri. Kjo automatikisht do të thotë përgjegjësi shumë e madhe për secilin prej jush në raport me shoqërinë, me qytetarin, me institucionet e shtetit, në raport me vetë shtetin. Secili prej nesh, që jeton në kohën e gjeneratës së tij, kur jepet një mundësi për të shërbyer dhe për të kontribuar në formë të drejtpërdrejtë, siç dhe gjithsecili prej nesh në këtë sallë është, duhet ta marrë si një shans, duhet ta konsiderojë atë si një privilegj, duhet ta ushtrojë si një mundësi, dhe duhet të besojë që pavarësisht se mund të mos evidentohet në konceptin e prezantimit publik, kontributi i asaj pune të përditshme, të përmuajshme, të përvitshme, është shumë i rëndësishëm në konsolidimin e shtetit, që ne të gjithë së bashku e duam si kur bisedojmë privatisht, edhe kur diskutohet publikisht në ambiente e grupe shoqërore. Konsolidimi i shtetit ligjor është një sfidë për të gjitha shoqëritë, por më shumë nga të tëra, ne e kemi më të domosdoshme për atë çfarë kemi kaluar, për çfarë kemi përballë dhe për objektivat për të cilat punojmë, mendojmë, gjykojmë dhe angazhohemi t’i arrijmë.
Unë do të nënvizoja në mënyrë shumë të hapur dhe të sinqertë, dhe do ta vlerësoja dinamizmin dhe ambicien e madhe që zoti Leskaj ka sjellë në krye të këtij institucioni. Por asnjëherë, vizioni, ambicia, dinamizmi i drejtuesit të një institucioni nuk mund të realizojë ato objektiva pa komplimentimin, angazhimin, mbështetjen dhe përmbushjen e detyrave të të gjithë stafit, të të gjithë mekanizmit. Prandaj, aq sa është i nevojshëm është dinamizmi, ambicia e drejtuesit, po aq i pazëvendësueshëm mbetet vullneti, dëshira dhe angazhimi i çdo pjesëtari të këtij institucioni.

presidenti 3

Dëshiroj të shfrytëzoj rastin që jam mes jush, për të nënvizuar si pjesë të dytë përtej asaj profesionale, rëndësinë e madhe që ka transparenca në fund. Transparenca e një institucioni auditues është dhe pjesë e profesionalizmit, është pjesë e përgjegjësisë, por edhe pjesë e suksesit të punës suaj. Transparenca e punës suaj i jep impulsin në mënyrën se si më pas e gjithë shoqëria dhe institucionet që kanë përgjegjësi për çka ju ushtroni në detyrën tuaj, të reflektojë dhe të përcaktojë ecurinë e punës së tyre në vijimësi. Prandaj, do të mbështesja, do të kërkoja një procedurë dhe veprimtari transparente maksimalisht nga ana juaj. Kjo nuk do të thotë vetëm transparencë e aktivitetit tuaj, si institucion apo si individ. Jo. Kjo do të thotë komunikim me opinionin, komunikim me publikun, komunikim me shoqërinë, për aktivitetin tuaj, për produktin e punës suaj, për konstatimet dhe vlerësimet profesionale që ju bëni gjatë ushtrimit të detyrës që keni, pa marrë parasysh se kush mund të preket nga kjo transparencë e punës suaj, pa marrë parasysh se çfarë përgjegjësish ligjore mund të sjellë rezultati i punës suaj dhe transparenca e punës suaj. Veçori shumë e rëndësishme në mënyrë të drejtpërdrejtë e veprimtarisë suaj është kontributi në luftën ndaj korrupsionit, për sa kohë pjesa e punës suaj lidhet me auditimin qoftë të menaxhimit, qoftë të trajtimit të resurseve financiare, por edhe të respektimit të ligjit dhe ligjshmërisë.
Korrupsioni është një betejë e përhershme e një shoqërie. Themelore është se si instrumentet e një shteti, instrumentet e një shoqërie përballen me këtë fenomen, e godasin dhe e trajtojnë këtë fenomen. Profesionalizmi, transparenca që përmenda pak më sipër, janë domosdoshmëri dhe kushtëzim të suksesit që ju mund të keni në luftën ndaj korrupsionit. Dhe natyrisht, atje ku ka menaxhime fondesh publike, pa diskutim risku i ekzistencës së aferave korruptive është i madh. Kjo do të thotë që përgatitja juaj për t’u ndeshur me fenomenin, duhet të jetë e kompletuar si nga ana profesionale, ashtu dhe nga përgjegjësia institucionale, por dhe nga integriteti juaj personal. Vetë në koncept, korrupsioni është produkt i individëve me integritet të cënuar, me integritet të dobët. Kjo kërkon që një person tjetër, një individ tjetër, që është i ngarkuar nga institucioni, nga ligji, për ta investiguar, për ta monitoruar, për ta hetuar dhe për ta goditur, domosdoshmërisht duhet të ketë nivel më të lartë integriteti dhe jo vetëm një performancë profesionale të arrirë. Prandaj, kam këmbëngulur dhe në takimin që kam pasur me përfaqësues të institucioneve të tjera të pavarura kushtetuese, të nënvizoj rëndësinë e madhe që ka personaliteti, integriteti i secilit prej jush, dhe i atyre që shërbejnë në këto institucione të tjera kushtetuese për të realizuar me sukses misionin. Por, edhe kjo nuk mjafton. Po aq e rëndësishme sa integriteti personal i atij që ushtron detyrën, mbetet e pazëvendësueshme dhe thelbësore mbështetja që duhet të ketë ky individ, mbështetja ligjore, mbështetja institucionale, mbështetja nga eprorët dhe koordinimi me institucionet dhe mekanizmat e tjerë të shtetit. Unë vlerësoj shumë angazhimin dhe hapat konkretë që ju keni hedhur në institucionalizimin dhe konkretizimin e bashkëpunimit me institucionet e tjera kushtetuese të vendit, veçanërisht me Prokurorinë e Përgjithshme.

Gjej rastin për të shprehur besimin tim të plotë se ky bashkëpunim, ky përkushtim, kjo dëshirë dhe ky vizion i shprehur tashmë në sy të opinionit publik për një bashkëpunim më të ngushtë ndërmjet institucionit tuaj dhe Prokurorisë së Përgjithshme, do të sjellë shembuj konkretë në sytë e opinionit publik. Aktet ligjore dhe nënligjore janë të domosdoshme dhe të pazëvendësueshme, janë hapi i parë për të bërë të funksionojë institucioni. Por praktika dhe rezultatet konkrete janë bindja që mund të fitojnë qytetarët se shteti i tyre funksionon ashtu siç ata duan, se e drejta e tyre mbrohet në mënyrë institucionale, se demokracia për të cilën ne besojmë, mund të konsolidohet dhe forcohet çdo ditë.

I nderuar zoti Kryetar,
I nderuar zoti Prokuror i Përgjithshëm,

presidenti2Duke përfituar nga rasti i prezencës suaj, por dhe i të gjithë të pranishmëve të tjerë dëshiroj t’ju siguroj që çdo kontribut i juaj në goditjen e ashpër dhe penalizimin e akteve dhe aferave korruptive të kujtdo dhe në çdo nivel të administratës publike qendrore, lokale apo edhe private do të ndiqet dhe do të mbështetet fuqimisht edhe nga instrumentet e tjerë të shtetit ligjor. Dëshiroj t’ju garantoj se Këshilli i Lartë i Drejtësisë do të ndjekë dhe do të monitorojë me shumë vëmendje sjelljen ligjore të trupës gjyqësore ndaj të gjitha çështjeve të iniciuara nga institucioni juaj, të hetuara nga Prokuroria dhe të paraqitura në Gjykatë. Vetëm në këtë mënyrë, duke funksionuar dhe vepruar nga mënyrë të njëpasnjëshme të gjitha hallkat e shtetit, ne mund të sjellim një produkt real, produkt konkret për shtetin, për shoqërinë dhe për qytetarin tonë. Natyrisht që sfidat nuk janë të thjeshta, por identifikimi i tyre është shumë i lehtë dhe përballja me to është plotësisht e mundshme. Kjo kërkon në radhë të parë besim tek vetja, kërkon dhe një pakt shumë të rëndësishëm me vetveten, të secilit prej nesh që është në pozicionet e administratës shtetërore, përsa kohë e kemi këtë privilegj që mjaft qytetarë të tjerë nuk e kanë. Prandaj koha në të cilën kemi mundësi ta shfrytëzojmë këtë privilegj duhet shfrytëzuar në mënyrën më eficiente, më serioze dhe më shtetare të mundshme.
Është e rëndësishme që ne të krijojmë një frymë besimi në radhë të parë midis stafeve të institucioneve të tilla, por dhe midis institucioneve që bashkëpunojnë me njëri tjetrin dhe angazhohen në akte të tilla profesionalizmi dhe në përgjegjësi të tilla shtetërore. Është po aq e vërtetë, që nëse një produkt i një angazhimi, i një pune profesionale, një qëndrimi dinjitoz të punonjësve të një institucioni të caktuar siç mund të jetë institucioni juaj, të injorohet, të nëpërkëmbet dhe të mos vlerësohet, të lihet në mes të rrugës nga institucioni tjetër, nga mekanizmi tjetër sjell një dekurajim dhe një demotivim, i cili do të jetë shumë herë më i vështirë për t’u rekuperuar për hapa të tjerë. Prandaj kjo mbetet dhe një sfidë e jona, ndaj ne duhet të funksionojmë në mënyrë që e tërë piramida të vlerësojë kontributin e çdo bashkëpunëtori.
Çdo institucion kushtetues të ruajë dhe të forcojë në mënyrë të fortë pavarësinë e tij; pavarësinë nga interesat që mund të preken për shkak të zbatimit të ligjit dhe të Kushtetutës së vendit, por kurrësesi nuk mund të pranojmë dhe të bëjmë pjesë të natyrshme të perceptimit tonë pavarësinë nga Kushtetuta, pavarësinë nga ligji, pavarësinë nga detyra, pavarësinë nga përgjegjësia. Kjo nuk mund të ekzistojë!
Unë besoj fort se rezultati tregohet tek statistikat, tek treguesit matës të një pune konkrete dhe jam shumë i inkurajuar tek shoh që numri i auditimeve të kryera nga ju në muajt e fundit ka një rritje shumë të madhe. Kjo nuk është një statistikë e pavlerë, nuk është një statistikë thjesht empirike, kjo tregon dinamizëm, tregon angazhim. Padyshim që hapi i dytë mbetet për të parë eficiencën e këtij dinamizmi, të këtij angazhimi dhe kjo tregohet kur të gjitha mekanizmat, të gjitha instrumentet e shtetit ligjor mbeten në të njëjtin nivel angazhimi.

Shqipëria është një vend që pavarësisht vullnetit të individëve të veçantë, të punonjësve të administratës ka hyrë në një rrugë pa kthim, në rrugën e saj të konsolidimit, në rrugën e saj të përparimit, e kjo është e pakthyeshme. Roli që ne kemi është se sa shpejt do të ecim në këtë rrugë, se sa me vlerë do ta konsiderojmë ne mundësinë që kemi duke qenë në këto pozicione, por edhe se sa do ta vlerësojmë rolin dhe të drejtën që ka qytetari për të patur një shtet të së drejtës, një shtet që funksionon në mënyrë korrekte, një shtet që ofron shërbime cilësore për ta. Nuk janë retorika dhe unë besoj që nuk janë aspak të komplikuara për t’u realizuar apo për t’u performuar, por kërkon përgjegjshmëri padiskutim, përgjegjshmëri nga Presidenti i Republikës deri tek punonjësi më i thjeshtë i administratës sonë publike. Përgjegjësia dhe përgjegjshmëria do të na sjellë pastaj mundësinë për të rritur profesionalizmin, për të qenë agresiv në përmbushjen e detyrimit tonë ligjor dhe në fund të etapës tonë të kontributit për të qenë të nderuar.
Unë dëshiroj të shpreh të gjithë falenderimin tim për bashkëpunimin që ju kanë ofruar institucionet partnere nga Kosova, Polonia dhe nga vende të tjera. Është një strategji dhe një objektiv shumë i mençur i juaji, zoti Kryetar dhe i të tërë juve që përfaqësoni institucionin në vendosjen e një bashkëpunimi të tillë, i cili nuk është aspak honorifik, aspak protokollar. Është një përzgjedhje dhe një angazhim strategjik në luftën e përbashkët ndaj shkeljes së ligjit dhe akteve të korrupsionit. Sa më e sofistikuar bëhet veprimtaria sa më antiligjore, aq më i fortë duhet të bëhet bashkëpunimi dhe bashkërendimi mes partnerëve. Prandaj unë gjej rastin për t’ju inkurajuar akoma më shumë në këtë lloj bashkëpunimi, në forcimin e këtyre kontakteve, shkëmbimeve të informacionit, pse jo dhe të angazhimeve operacionale të përbashkëta në frymën e ligjit dhe Kushtetutës që ne kemi.

Në punën tuaj zoti Kryetar, të nderuar auditë, jam i ndërgjegjshëm që keni sfida të ndryshme, vështirësi të ndryshme, përplasje të ndryshme përsa kohë puna juaj ju adreson në cekjen e interesave të cilat shkojnë në kundërshtim me ligjin, interesa që sjellin përfitime të paligjshme, përfitime për individë të ndryshëm. Prandaj, dëshiroj t’ju inkurajoj të mos stepeni, të mos ndaleni, të mos përkuleni, të mos dorëzoheni përballë çdo lloj presioni apo ndërhyrje që mund t’ju vijë. Dëshiroj që të ofroj të gjithë përkrahjen dhe mbështetjen time ndaj institucionit tuaj ashtu siç jam i bindur që do të keni mbështetjen dhe përkrahjen dhe të institucioneve të tjera, Parlamentit, Qeverisë, Prokurorisë e të gjykatave, sepse nuk luftoni për asnjë mision personal. Të gjithë ne kemi një objektiv të përbashkët, kemi një përgjegjësi të përbashkët, jemi shërbëtorë të shtetit, të punojmë për shtetin. Jo të gjithë mund të ofrojnë të njëjtin standard shërbimi, por është e rëndësishme që atë mundësi që kemi, ta ofrojmë dhe kushdo që e ofron në maksimumin e tij atë mundësi që ka, ka bërë më të mirën e mundshme.
Shpeshherë kur bëjmë diskutime dhe analiza të tilla në mesazhet që japim duket sikur u referohemi thjesht parimeve, por në fund të fundit çdo gjë nis nga parimet. Prandaj unë ju inkurajoj që t’i mbroni parimet, parimet që kërkohen për individin, parimet që kërkohen për institucionin, sepse janë parimet e zhvillimit të një shteti.

Më lejoni dhe një herë të shpreh të gjithë besimin tim për vullnetin që keni, gatishmërinë që reflektoni, angazhimin që mundeni t’i jepni shtetit tonë të përbashkët, shoqërisë tonë të përbashkët! Ju uroj suksese jetën personale dhe në punën tuaj e të institucionit tuaj! Uroj që qytetarët të shohin rezultate sa më konkrete nga ju!

Ju faleminderit!