Fjala e Kryetarit të Kuvendit të Shqipërisë, z. Ilir Meta në konferencën shkencore të KLSH-së.

26.12.2013

I nderuar z. Kryetar i KLSH-së dhe drejtues të institucioneve partner të auditimit,
Të nderuar miq e të ftuar,

meta1E pranova me shumë kënaqësi ftesën për të marrë pjesë në këtë konferencë dhe ndjehem i kënaqur për këtë mundësi që të ndaj me ju disa mendime dhe ide.
Ky besoj se është dhe një sinjal i dukshëm politik për të dëshmuar rëndësinë e posaçme që mendoj dhe besoj se ka institucioni kushtetues i Kontrollit të Lartë të Shtetit.
Ajo është gjithashtu pjesë e pandarë e sfidës madhore për të garantuar për sot dhe për nesër akoma më shumë një qeverisje transparente e të përgjegjshme dhe për luftën kundër korrupsionit me qëllim instalimin e plotë të sundimit efektiv të ligjit në vendin tonë. Për Shqipërinë kjo është një sfidë që duhet vetëm të fitohet dhe kam besim të plotë që do ta fitojmë të gjithë së bashku.

Jemi të qartë se në Evropë dhe në kulturën e saj qeverisëse ne mund të bëhemi pjesë vetëm duke përmirësuar sundimin e ligjit dhe shtetin e së drejtës, duke nxitur, ruajtur dhe bërë progres në zhvillimin e qëndrueshëm të vendit, që do të sillte progres konkret dhe të prekshëm për cilësinë e jetës së qytetarëve shqiptarë, si synim final dhe madhor.
Të nderuar miq,

Më lejoni të nënvizoj atë çfarë është thelbi i punës së institucioneve që ju drejtoni, siç është dhe i KLSH-së shqiptare: qeverisjet janë subjekt i kontrollit të shumëfishtë nëpërmjet institucioneve të tjera të pavarura, që e qortojnë dhe ndihmojnë atë për të mos gabuar. Institucioni i auditit është një nga këto instrument  kontrolli.
Suksesi i një qeverisjeje, mbrojtja e interesit publik dhe ruajtja e burimeve publike, është i kushtëzuar dhe në varësi reciproke edhe nga suksesi shumë I rëndësishëm i këtij institucioni.

Askush nuk është i imunizuar nga keqpërdorimi i pushtetit. Aq më tepër dhe vetë pushteti. Ai e ka të domosdoshëm vaksinimin e sistemit për ta bërë atë më të fortë nga tundimi për shpërdorim të mirëbesimit publik.
Qeverisjet e kanë të domosdoshme këshillimin, kontrollin, zbulimin e paligjshmërisë, akoma më shumë ndëshkimin e tij.
E kanë të domosdoshëm komunikimin e hapur dhe besimin e ndërsjellët të sektorit publik me qytetarët. Kanë nevojë për informacion të besueshëm për çfarë ndodh dhe këshillim për atë që duhet të ndodh më mirë.

Një nga udhëzimet e progres raportit të fundit të KE-së për Shqipërinë është dhe këshilla për të forcuar rolin e KLSH-së, si institucion i kontrollit ekonomik dhe financiar duke përmirësuar kuadrin ligjor mbi të cilin ky institucion  vepron.
Ka një sërë propozimesh të hershme që kanë ardhur në Kuvendin e Shqipërisë nga KLSH-ja për këtë qëllim, të cilët do të shqyrtohen me përgjegjshmëri, seriozitet maksimal dhe vullnetin e fortë për të konkretizuar më të mirën e tyre.
Kjo do të ndodhë duke respektuar traditën më të mirë lokale, eksperiencën e çmuar të partnerëve ndërkombëtarë, por dhe si një përgjigje për dinamikat e reja të vetë shoqërisë shqiptare dhe të qeverisjes së saj.

meta2Si Kryetar i Kuvendit të Shqipërisë do të nxis dialogun me të gjithë aktorët për këtë çështje.
Si një hap më shumë, si një përpjekje më shumë, për t’i dhënë një mundësi më shumë KLSH-së në asistimin që ai do t’i bëjë qeverisjes së vendit.
Gjithashtu, besoj se bashkëpunimi ndërinstitucional është një faktor kyç dhe çelës i suksesit për forcimin e sundimit të ligjit, për rritjen e mëtejshme të transparencës dhe thellimin e mirëqeverisjes dhe sidomos, për të garantuar ndëshkimin e paligjshmërisë. Ndaj, njoh dhe përshëndes kontributin në rritje që jep KLSH-së në këtë drejtim dhe kërkoj një bashkëpunim në rritje dhe angazhim edhe më të fortë e efektiv të  gjitha hallkave ligj-zbatuese dhe të sistemit të drejtësisë.
Së fundi, por natyrisht jo e fundit për nga rëndësia, më lejoni të falënderoj partnerët ndërkombëtarë që kanë bashkëpunuar dhe asistuar institucionin e KLSH-së deri tani,por edhe angazhimin e tyre për të mbështetur dhe në të ardhmen.
Një falënderim të veçantë e kam për Sigma, e cila ndihmon dhe kontribuon jo vetëm në këtë drejtim, por edhe në shumë drejtime,reforma të tjera.
Jam i bindur se kjo mbështetje është një kontribut shumë i çmuar për arritjen e standardeve europiane në të gjitha drejtimet e qeverisjes të vendit.

Ju faleminderit!