Fjala e Kryetarit ne Komisionin e Ekonomise, 30 tetor 2017

30.10.2017

I nderuar z. Braçe, Kryetar i Komisionit

Të nderuar Zonja dhe Zotërinj Deputetë, anëtarë të Komisionit

I nderuar z. Ministër,

Duam të shprehim mirënjohjen tonë për mbështetjen e vazhdueshme dhe të çmuar që ky Komision, dhe në veçanti Kryetari, i ka dhënë institucionit të LSH-së për të përmbushur me sukses misionin e vetë kushtetues për mbikëqyrjen e jashtme efektive të financave publike, në shërbim të qytetarit dhe të Kuvendit.

Gjithashtu falënderojmë Ministrin e Financave dhe Ekonomisë për bashkëpunimin e ofruar gjatë auditimeve tona për Buxhetin e vitit 2016.
KLSH i ka përcjellë Kuvendit të Shqipërisë “Raportin për zbatimin e Buxhetit të Shtetit për vitin 2016” dhe, në vijim, ju paraqes një përmbledhje të tij dhe opinionin tonë si auditues i jashtëm publik. 

Kontrolli i Lartë i Shtetit, si institucion i pavarur kushtetues, në zbatim të Kushtetutës së Republikës së Shqipërisë dhe të Ligjit 154/2014 “Për Kontrollin e Lartë të Shtetit” ka pëgatitur dhe paraqitur raportin “Për zbatimin e Buxhetit të Shtetit të vitit 2016”, me fokus dhënien e opinionit mbi raportin që Këshilli i Ministrave paraqet në Kuvend “Për zbatimin e buxhetit të shtetit të vitit 2016” dhe propozimin e projekligjit “Për miratimin e buxhetit faktik të shtetit për vitin 2016”, të depozituar pranë KLSH-së. Ky raport përgatitur në referencë me Standardet Ndërkombëtare të Institucioneve Supreme të Auditimit (ISSAI), duke analizuar zbatueshmërinë e Ligjit nr. 9936, datë 26.6.2008, “Për Menaxhimin e Sistemit Buxhetor në Republikën e Shqipërisë”, i ndryshuar, nenet 62 e 63, si dhe të Ligjit nr. 147/2015, datë 17.12.2015, “Për Buxhetin e Shtetit të vitit 2016”, i ndryshuar.

KLSH, ka arritur në Opinionin e Përgjithshëm se “Zbatimi i Buxhetit të Shtetit për vitin 2016, duke nisur nga përgatitja, shqyrtimi dhe miratimi i buxhetit të vitit 2016, zbatimi, ndjekja dhe rishikimi i tij, të drejtat dhe kufizimet për huamarrjen, garancitë dhe format e tjera të rrjedhura prej tyre si dhe kontrolli, kontabiliteti, raportimi dhe auditimi i këtij buxheti, në terma procedurialë respektojnë kërkesat e ligjit “Për menaxhimin e sistemit buxhetor në Republikën e Shqipërisë”, të ndryshuar, të ligjit “Për buxhetin e shtetit të vitit 2016”, të ndryshuar, si dhe të ligjit “Për Menaxhimin Financiar dhe Kontrollin”.

Për më shumë..