Eksperienca e Vendeve Europiane në Auditimin e Jashtëm Publik

untitled1_001_copy_1Neni 16, Pika 1 e Deklaratës së Limës, e quajtur ndryshe “Magna Carta”, Kushtetuta e Institucioneve Supreme të Auditimit (SAI-ve) thekson se: “ Institucioni Suprem i Auditimit duhet të fuqizohet dhe të mandatohet nga Kushtetuta për t’i raportuar në mënyrë të pavarur dhe çdo vit gjetjet e tij Parlamentit ose çdo organi tjetër kompetent publik; ky raport duhet të publikohet. Kjo do të sigurojë shpërndarje të gjerë dhe diskutim, duke rritur mundësitë për zbatimin e gjetjeve të Institucionit Suprem të Auditimit

Dr. Joseph Moser, ish-Sekretar i Përgjithshëm i organizatës botërore të SAI-ve, INTOSAI dhe ish-President i Gjykatës së Auditimit të Austrisë, në fjalën e tij të hapjes së Simpoziumit të 21-të OKB-INTOSAI, në Vjenë, cilësoi se “ Auditimi i qeverisjes ka një traditë të gjatë. Ai i ka rrënjët në idenë që qytetarët kanë nevojë për kontroll, kudo që fondet publike të shpenzohen dhe pavarësisht nga lloji i qeverisë. Auditimi i qeverisjes – auditimi i fondeve publike – buron në origjinën e tij nga vetë qytetarët.

Në sistemet demokratike, ky funksion kontrolli ushtrohet nga parlamentet kombëtare  si institucione që përfaqësojnë qytetarët, popullin. Nga ana operative, parlamentet nuk e kryejnë dot këtë funksion të kontrollit vetë, por mbështeten në auditimin dhe punën këshilluese të Institucioneve Supreme të Auditimit (SAI-ve) dhe në raportet e tyre, çfarë përbën arsyen madhore pse marrëdhënia midis Parlamentit si institucioni publik me detyrë kontrollin dhe trupës supreme të auditimit është një partneritet i natyrshëm. Institucionet Supreme të Auditimit janë të pavarura nga ekzekutivi. Është detyra e tyre për t’i dhënë udhëzime administratës publike dhe qeverisë, duke paraqitur fakte për publikun, për menaxherët e sektorit publik dhe për politikëbërësit, për të identifikuar zhvillimet, si dhe të japin rekomandime, duke patur si qëllim për të  luftuar abuzimet dhe zhvillimet e keqdrejtuara. Duke ushtruar këtë funksion të kontrollit, ne si SAI japim informacion të pavarur, të paanshëm dhe të besueshëm për parlamentet kombëtare, në mënyrë që ata të mbajnë përgjegjëse qeverinë dhe administratën publike. Në këtë mënyrë, SAI-t mbështesin parlamentet kombëtare në ushtrimin e detyrave të tyre

Vitor Caldeira, ish-President i Gjykatës Evropiane të Audituesve (ECA), në një Intervistë dhënë gazetares Rosmarie Carotti, është shprehur:”   Parlamenti Evropian është një nga partnerët kryesorë të ECA. Deri tani, ne kemi zhvilluar marrëdhënie të mira me Komisionin e Kontrollit Buxhetor. ECA ka për qëllim që të zhvillojë më tej bashkëpunimi me komisionet e tjera të specializuara. Unë besoj se jemi duke ecur në drejtimin e duhur, duke bërë të mundur për Parlamentin Europian qe t’i përdorë në mënyrën më të mirë raportet e ECA-s... Shumë iniciativa që Gjykata po merr, si “Shqyrtimi i Raportit Vjetor 2014”, riorganizimi i auditimit tonë dhe proceset e raportimit për raporte të veçanta do të ndihmojnë Gjykatën për t’iu përgjigjur Parlamentit   Evropian përmes bashkëpunimit të shtuar dhe duke ofruar raporte auditimi të cilësisë së lartë, të cilat janë edhe më të rëndësishme për nevojat e Parlamentit ”.

Kryetari i Kontrollit të Lartë të Shtetit, Dr. Bujar Leskaj, në Platformen e tij Strategjike për zhvillimin e KLSH-së, paraqitur në dhjetor 2011 në Komisionin e Kuvendit për Ekonominë dhe Financat, në cilësinë e kandidatit të nominuar nga Presidenti i Republikës për pozicionin e Kryetarit të KLSH-së, ka theksuar se një ndër objektivat kryesore të punës së institucionit në 7 vitet e ardhshme do të ishte: “ Intensifikimi i konsultimeve me Komisionin për Ekonominë dhe Financat të Kuvendit të Shqipërisë për përafrimet strategjike të KLSH 2011- 2018, në funksion të rritjes së cilësisë së shërbimit ndaj Kuvendit, si një detyrim kushtetues... Në zbatim të detyrimit kushtetues, KLSH do të shërbejë tërësisht si struktura numër një dhe më e besueshme  e informimit të Kuvendit për mirëadministrimin e pronës shtetërore, si për shumicën ashtu dhe për pakicën parlamentare, nëpërmjet raporteve periodike të saj dhe takimeve e konsultimeve të herëpashershme me anëtarët e Kuvendit, por sidomos me Komisionin për Ekonominë dhe Financat”.

Orientimi si më sipër i Deklaratës së Limës, dy Rezolutat e Organizatës së Kombeve të Bashkuara për nxitjen e eficiencës, përgjegjshmërisë, efektivitetit dhe transparencës së administratës publike, duke forcuar Institucionet Supreme të Auditimit brenda harkut kohor të tre viteve (22 dhjetor 2011-19 dhjetor 2014), citimet e mësipërme të tre personaliteteve të auditimit suprem ndërkombëtar dhe vendas, me kontribute të spikatura në progresin e auditimit të jashtëm publik, si dhe domosdoshmëria për njohjen më të mirë reciproke dhe për të kuptuar qartë e zhvilluar një raport themelor për përmirësimin e qeverisjes, më shtynë të paraqes vrojtimet dhe përfundimet e mëposhtme modeste lidhur me natyrën eksperiencën e SAI-ve evropiane në   marrëdhëniet SAI-Parlament.