Dr. Hubert WEBER, një nga hartuesit e Deklaratës së Limës dhe ish-President i Gjykatës Europiane të Audituesve, viziton KLSH-në

26.06.2018

Në datat 25-26 qershor 2018, me ftesë të Kryetarit të Kontrollit të Lartë të Shtetit z. Bujar Leskaj, vizitoi Shqipërinë dhe KLSH-në një nga personalitetet më të spikatura të auditimit të jashtëm publik modern, një nga hartuesit kryesorë të Deklaratës së Limës dhe firmosësit e saj, ish-Drejtori i Përgjithshëm i Sekretariatit të Përgjithshëm të INTOSAI-t dhe Gjykatës Austriake të Auditimit, si dhe ish-Presidenti i Gjykatës Europiane të Auditimit, Dr. Hubert Weber.

Deklarata e Limës për parimet dhe rregullat e auditimit të jashtëm publik, e nënshkruar në vitin 1977 në Lima të Perusë, konsiderohet ndryshe edhe si Kushtetuta, Magna Carta e institucioneve supreme të auditimit. Rëndësia e saj, si dokumenti bazë mbi të cilin ndërtojnë veprimtarinë e tyre Institucionet Supreme të Auditimit (SAI-t), është parësore. Vlefshmëria e parimeve të përfshira në Deklaratën e Limës, jo vetëm i ka rezistuar kohës, por ka një vlerë të veçantë për veprimtarinë e sotme audituese të SAI-ve, për kontributin e tyre në përmirësimin e jetës së qytetarëve, si dhe për ruajtjen e asetit kryesor të tyre, pavarësisë.

Kryetari i KLSH-së pati rastin të takojë Dr. Hubert Weber në Peru, në dhjetor të vitit 2017, në aktivitetin e organizuar me rastin e 40 vjetorit të Deklaratës së Limës.

weber 1

Kryetari i KLSH-së, Dr. Bujar Leskaj dhe Dr. Hubert Weber, hartues dhe negociator i Deklaratës së Limës të vitit 1977 (foto e realizuar në datën 6 dhjetor 2017 në Zyrat e Kontrollorit të Përgjithshëm të Perusë).

Në kuadër të kësaj vizite, në datën 26 qershor, zoti Weber u prit nga Presidenti i Republikës, SHTZ Ilir Meta.

Gjatë takimit, Presidenti theksoi rolin e KLSH-së në forcimin e zbatimit të ligjit në ambientin shqiptar, si një vend në proceset e ndërtimit të demokracisë. Gjatë bashkëbisedimit, pas prezantimit të kontributit të Dr. Weber në ECA dhe në Organizatën ndërkombëtare të SAI-ve (INTOSAI), u cilësua niveli i bashkëpunimit me  KLSH-në dhe sidomos me Kryetarin Leskaj, i cili në mënyrë sistematike iu referohet standardeve të INTOSAI-t. “Termi i INTOSAI-t është bërë fjalë e zakonshme edhe për ne, sa herë flasim për KLSH-në”, nënvizoi Presidenti Meta. Lidhjet me Austrinë shkojnë përtej historisë por lidhen edhe me dijen dhe kontributin e  këtij vendi si burim dijesh për shumë shqiptarë të shkolluar në këtë vend, përfundoi z.Meta.

weber 2

weber 3

Kryetari i KLSH-së, duke e falënderuar për suportin e vazhdueshëm personal dhe institucional, i dorëzoi  Presidentit Ilir Meta librin “40 vjet Deklarata e Limës”, duke theksuar se një KLSH e modernizuar dhe e pavarur ka rëndësi jo vetëm për zbatimin e ligjit por edhe për rritjen e përgjegjshmërisë dhe profesionalizimit të administratës publike.

Në datën 25 qershor, z.Weber u prit në një takim nga Kryetari i Kuvendit të Shqipërisë, z.Gramoz Ruçi.

weber 4

Zoti Ruçi gjatë fjalës së tij theksoi se Kuvendi dhe Kontrolli i Lartë i Shtetit po bashkëpunojnë në mënyrë të frytshme. Komisionet parlamentare dhe deputetët mbështeten në indiciet nga auditimet e KLSH në ushtrimin e detyrave të tyre funksionale për kontrollin parlamentar. Kuvendi jep të gjithë mbështetjen e vet që Kontrolli i Lartë i Shtetit të bëhet gardian i ligjshmërisë, ndershmërisë dhe eficiencës së qeverisjes.
Kryetari i Kontrollit të Lartë të Shtetit, Z. Bujar Leskaj, vlerësoi mbështetjen e madhe ligjore, institucionale dhe morale që Kuvendi i ka dhënë dhe vazhdon t’i japë KLSH-së.
Nga ana e tij, Z. Weber, falënderoi Kryetarin e Kuvendit për pritjen dhe e informoi atë mbi bashkëpunimin e ngushtë me Kontrollin e Lartë të Shtetit të Shqipërisë. Ai vlerësoi gjithashtu bashkëpunimin efektiv midis Kuvendit dhe Kontrollit të Lartë të Shtetit, duke e konsideruar këtë bashkëpunim mjaft të dobishëm për plotësimin e misionit të KLSH-së dhe evidentoi rolin që po luan KLSH dhe Kryetari Leskaj në komunitetin e INTOSAI-t këto vitet e fundit.

Në datën 25 qershor, Dr. Weber u prit nga Kryetari i KLSH-së, z.Bujar Leskaj në zyrat e Kontrollit të Lartë të Shtetit. Zoti Weber u shpreh se u ndje shumë i nderuar nga ftesa e bërë nga Kryetari Leskaj në dhjetor 2017 për të vizituar KLSH-në, duke theksuar:

“Ne, jemi dy SAI të vogla, por dijet për auditimin na pajisin me një forcë të madhe. Pavarësia është një vlerë e shenjtë që kemi, dhe na takon detyra ta ruajmë atë në çdo moment, nga ndërhyrjet dhe influencat që vijnë nga të gjitha anët. Ne si SAI austriak jemi në qendër të aktiviteteve të INTOSAI-t, pasi mbajmë Sekretariatin e Përgjithshëm të organizatës. Vij për herë të dytë në Shqipëri, pas 11 viteve dhe ju keni bërë transformime të jashtëzakonshme”.

weber 5


Duke ju referuar kolanës së botimeve të KLSH-së, e cila arrin në 83 tituj librash për periudhën 2012-2017, Dr. Weber vlerësoi këtë veprimtari të SAI-t shqiptar si shumë të veçantë, pasi përcjell dijet për auditimin dhe historinë e dokumenteve themelore të auditimit, nga njëri brez audituesish në tjetrin, duke vlerësuar në mënyrë të veçantë botimin për 40 vjetorin e Deklaratës së Limës, i cili është botuar menjëherë pas përfundimit të aktivitetit të kremtimit të 40 vjetorit të kësaj deklarate.

Z. Leskaj e falenderoi personalitetin austriak për vizitën dhe tha se “Prania Juaj sot është një nderim që i bëhet auditimit publik të Shtetit shqiptar, por edhe të gjithë shqiptarëve, pasi ndjenjat e tyre të krenarisë kombëtare janë të lidhura me popullin dhe qeverinë austriake, të cilët na kanë ndihmuar në Shpalljen e Pavarësisë sonë në nëntor 2012 dhe, që nga ajo kohë, kanë qëndruar në mënyrë konstante përkrah zhvillimit të kombit dhe Shtetit shqiptar”.

Z. Leskaj përmendi bashkëpunimin e vitit 2016 me Gjykatën Austriake të Auditimit në zhvillimin e procesit të rishikimit mes kolegëve (Peer Review) me KLSH-në, në lidhje me pavarësinë e saj, duke falënderuar për ndihmën e dhënë.

Në datën 26 qershor, në sallën e Akademisë së Shkencave, Dr. Hubert Weber mbajti një leksion në prani të audituesve të KLSH-së dhe drejtuesve të lartë të KLSH-së. Takimin e hapi Kryetari i KLSH-së, i cili duke falënderuar z. Weber për pranimin e ftesës për të vizituar KLSH-në dhe për të mbajtur këtë leksion me audituesit e jashtëm publikë shqiptarë, evidentoi vlerat dhe kontributin e z.Weber në të gjitha funksionet që ka ushtruar. Zoti Leskaj e cilësoi këtë takim si vijim i takimeve me personalitete të shoqërisë civile dhe të profesionistëve të fushës së auditimit, duke konfiguruar profilin tonë si një SAI modern.
Dr. Hubert Weber e nisi kumtesën e tij duke paraqitur një historik të shkurtër të hapave të ndërrmara për të arritur në themelimin e Deklaratës së Limës dhe, në vijim, me Deklaratën e Meksikos dhe kongreset e tjera të INTOSAI-t që shënuan një datë shumë të rëndësishme në hartimin e standardeve ndërkombëtare të SAI-ve.

weber6

weber7

Nga viti 1953, me Kongresin e parë të SAI-ve, i mbajtur në Havana të Kubës, që shënon edhe krijimin e INTOSAI-t (Organizata Ndërkombëtare e Institucioneve Supreme të Auditimit) u deshën 24 vite deri në hartimin e një kushtetute e cila do të sanksiononte llojet e auditimeve, pavarësinë e SAI-ve, kompetencat e tyre, si dhe raportimin në Kuvend.

Zoti Weber trajtoi në pjesën e parë të leksionit vlerat e patjetërsueshme të pavarësisë së institucioneve supreme të auditimit, si dhe iu përgjigjet pyetjeve dhe interesit të audituesve të KLSH-së. “Megjithatë, duke qenë SAI pjesë e Shtetit, pavarësia e tyre riskohet në mënyrë të vazhdueshme. Për këtë shkak, është një nga detyrat e përditshme të këtyre institucioneve të përditësojnë dhe përmirësojnë kornizën e tyre ligjore, për të minimizuar këto risqe dhe forcuar pavarësinë e tyre.”, u shpreh z. Weber.

weber8

Zoti Weber theksoi rëndësinë e pavarësisë së SAI-t dhe sfidat e pavarësisë e profesionalizmit të audituesve. Me shumë interes u ndoq nga audituesit e KLSH-së raporti i auditimit i Gjykatës Europiane të Audituesve (ECA) mbi Cilësinë e Ujit të Pijshëm në Bullgari, Hungari dhe Rumani dhe cili ishte ndikimi i Bashkimit Europian mbi përmirësimin e cilësisë së ujit, sipas kërkesave të Direktivës mbi Ujin e Pijshëm. Ky auditim ishte fokusuar në kornizën ligjore të vendeve anëtare mbi ujin e pijshëm, duke marrë si praktikë të mirë Udhëzimet e Komisionit Evropian mbi të njëjtën temë.Nga ky raport arrihet në përfundimin se cilësia e ujit të pijshëm është përmirësuar ndjeshëm në këto vende pas anëtarësimit në Bashkimin Europian. Një auditim të ngjashëm performance mbi Cilësinë e ujit, është duke përfunduar aktualisht edhe Departamenti  i Performancës në KLSH. Audituesit e performancës adresuan disa pyetje, lidhur me këtë cështje.

Pjesa e fundit e leksionit u zhvillua në ambientet e reja të punës së KLSH-së, në sallën e konferencave “Lech Kaczynski”. Gjatë këtij takimi që u zhvillua në formë bashkëbisedimi, pati shumë pyetje lidhur me eksperiencën e gjatë profesionale të z.Weber, mbi konceptin e pavarësisë së SAI-ve, metodologjisë së përdorur në auditimin e ECA-s dhe marrëdhënien e audituesve të ECA-s me audituesit publikë të jashtëm të vendeve anëtare.

Gjatë vizitës së tij në Shqipëri, z.Weber vizitoi disa institucione të kulturës dhe histosisë së vendit tonë.