Departamentit të Auditimit të Buxhetit Qendror, Administratës së Lartë publike, Kontrollit Financiar dhe Auditimit të Brendshëm

 

Zhvillon Workshop-in me temë “Performanca dhe impakti i veprimtarisë audituese përgjatë vitit 2015”.

Me datë 19.12.2015, KLSH në bashkëpunim me Universitetin “Ismail Qemali” Vlorë, zhvilloi në mjediset e këtij Universiteti Workshop-in me temë “Performanca dhe impakti i veprimtarisë audituese të Departamentit të Auditimit të Buxhetit Qendror, Administratës së Lartë publike, Kontrollit Financiar dhe Auditimit të Brendshëm përgjatë vitit 2015”.

Në këtë Workshop morën pjesë Sekretari i Përgjithshëm i KLSH-së, znj. Luljeta Nano, Drejtori i Përgjithshëm znj. Manjola Naço, Drejtori i Departamentit Juridik dhe i Zbatimit të Standarteve z. Ermal Yzeiraj.
Workshopi u moderua nga Drejtori i Përgjithshëm znj. Manjola Naco, duke diskutuar dhe orientuar përgjatë zhvillimit të aktivitetit aspekte të ndryshme të veprimtarisë audituese departamentale.  

1 analiza 2015 dep

Nga Universiteti i Vlorës mori pjesë Rektori i Universitetit Prof. Dr. Albert Qarri i cili   në fjalën e tij përshëndetëse, krahas të tjerave evidentoj dhe vlerësoi vizionin e ri të viteve të fundit të KLSH-së, në kërkim të vazhdueshëm të bashkëpunimit me botën akademike, me përfitime të përbashkëta duke u shprehur i hapur dhe bashkëpunues për kontribute të ndërsjella për çështje të rëndësishme që karakterizojnë arsimin e lartë në vendin tonë.

Në këtë aktivitet morën pjesë përfaqësues të mediave vizive të cilat monitoruan dhe i mundësuan publikut informimin me rezultatet e veprimtarisë audituese dhe progresin e zhvillimit institucional të KLSH-së përgjatë vitit 2015.

Referuar Axhendës së Workshopit nga ana e Drejtorit të Departamentit z. Bexhet Zeqiri u trajtua performanca vjetore e veprimtarisë audituese të Departamentit dhe impakti në këndvështrimin e rekomandimeve të adresuara nga KLSH subjekteve të audituara, shkalla e pranimit/implementimit të tyre.

Në këtë aspekt u theksua se ky Departament përgjatë vitit 2015 ka audituar dhe adresuar çështje dhe aspekte të rëndësishme të ekonomisë siç janë:

1-Menaxhimi i Financave Publike duke u fokusuar në auditimin e menaxhimit të borxhit publik;
2-Menaxhimi i Sektorit Energjitik si një nga sektorët më nevralgjikë në ekonomi duke evidentuar problematika dhe adresuar rekomandime mjaft të rëndësishme me impakt të drejtpërdrejt në miradministrimin e pasurive dhe aseteve kombëtare;
3-Menaxhimi i fondeve publike për mbrojtjen dhe sigurinë publike (Ministria e Mbrojtjes dhe Ministria e Brendshme);
4-Ligjishmëria e zbatimit të procedurave të prokurimit dhe sistemi kombëtar IT i kryerjes së procedurave elektronike të prokurimit etj. 

2 analiza 2015 dep

Për vitin 2015 nga auditimet e kryera nga Departamenti, ndër masat e rekomanduara i janë adresuar Kuvendit dhe Ministrisë së Financave një paketë propozimesh për përmirësime të kuadrit rregullativ në drejtim të mirë menaxhimit të financave publike:

-programimin e një buxheti kredibël dhe në reflektim të plotë të treguesve të synuar makroekonomikë.
-Mbi menaxhimin efektiv nivelin dhe menaxhimin e borxhit publik;
-Në lidhje me nënhuanë, garancinë shtetërore dhe huamarrjen vendore;
-Me synim përdorimin efektiv të Fondit Rezervë të Këshillit të Ministrave dhe Fondit të Kontigjencës;
-mbi përgatitjen dhe paraqitjen e llogarive të konsoliduara vjetore për transaksionet financiare të shtetit si një aspekt i rëndësishëm që kërkon ndërhyrje të rëndësishme;

- Ministrisë së Energjisë dhe Industrisë i është rekomanduar të nisi procedurat për inicimin e një nisme ligjore për përcaktimin e statusit dhe rregullimin e veprimtarisë së Agjencisë Kombëtare të Burimeve Natyrore për Koncensionet në Hidrokarbure  me ligj të veçantë dhe jo në VKM me synimin e garantimit të një pavarësisë institucionale në funksion të rritjes së përgjegjshmërisë dhe llogaridhënies në përmbushjen e misionit të rëndësishëm që ky institucion ka.
-MEI të iniciojë ndryshimin e VKM nr. 947, datë 29.12.2014, me qëllim që paratë e paguara si ekuivalencë për sasinë e naftës që duhet të përfitonte “Albpetrol” sh.a. nga Marrëveshjet Hidrokarbure të lidhura me kontraktorët për zhvillimin dhe prodhimin e hidrokarbureve nga vendburimet ekzistuese, sipas VKM-së të kalojnë në Buxhetin e Shtetit.  
-Ministria e Arsimit, në kuadrin e hartimit të ligjit të ri për arsimin të iniciojë dhe inkurajojë përcaktimin e qartë të kompetencave monitoruese të Ministrisë, duke synuar forcimin e rolit të këtij institucioni në mbarëvajtjen e programeve të ciklit të tretë të studimeve. Rekomandim i pranuar nga Ministria e Arsimit.
-Banka e Shqipërisë të rishikojë rregulloren “Për inventarizimin e vlerave material dhe monetare në Bankën e Shqipërisë” nr. 82, datë 15.11.2006, duke bërë rregullimin lidhur me periodicitetin e realizimit të inventarizimit, por dhe aspekte të tjera që përmirësojnë sistemet e brendshme të kontrollit, pasi kryerja e inventarizimit fizik të aktiveve ka për qëllim që aktivet të paraqiten me vërtetësi dhe besueshmëri në pasqyrat financiare vjetore, fakt që nuk plotësohet bazuar në rregulloren e sipërcituar të BSH. Rekomandim i pranuar nga Banka e Shqipërisë.
-Në zbatim të ligjit nr. 9863, datë 28.01.2008 “Për ushqimin” të ndryshuar me ligjin nr. 74/2013, është rekomanduar që AKU dhe MBZHRAU të hartojë dhe t’i propozojë Këshillit të Ministrave projekt vendimi mbi “Mënyrën e vjeljes se gjobave dhe shpërndarja e tyre”.
-Avokatura e Shtetit në bashkëpunim me Ministrinë e Drejtësisë të ndërmarrë masat e nevojshme inicuese për ndryshime në Ligjin nr. 10018, datë 13.11.2008 “Për Avokaturën e Shtetit“ me synim qartësimin dhe sanksionimin e saktë të "parimit të ekskluzivitetit" që lidhet posaçërisht me kompetencat e Avokatit të Shtetit për këshillimin dhe përfaqësimin e organeve të administratës publike dhe enteve publike si dhe saktësimi i fushave ku ky parim do të aplikohet dhe sanksionimin e saktë të "Statusti të Avokatëve të Shtetit" me synim rritjen e cilësisë  në ushtrimin e funksioneve të tyre në të dy nivelet e këtij institucioni.
-Ndryshimet në ligjin nr. 105/2014 datë 31.07.2014 “Për barnat dhe shërbimin farmaceutik”, lidhur me “Mënyrën e sekuestrimit dhe administrimit të barnave” ku i rekomandohet Ministrisë së Shëndetësisë të propozojë amendimet e nevojshme për të rregulluar këto procedura dhe plotësuar hapësirat ligjore të  konstatuara nga auditimi i KLSH-së dhe t’i propozohet për miratim Këshillit të Ministrave një projektvendim lidhur me “Procedurat e sekuestrimit  të barnave dhe mënyrën e  administrimit e tyre”.

Pjesë e rëndësishme e masave të rekomanduara për përmirësimin veprimtarisë dhe menaxhimit financiar janë ato organizative të cilat në pjesën më të madhe janë pranuar nga subjektet e audituara.
U analizuan në hollësi rekomandimet e lëna, natyra e tyre dhe imapkti që ato kanë në veprimtarinë e subjekteve të audituara.

-Në fjalën e saj Sekretari i Përgjithshëm i KLSH-së, znj. Luljeta Nano solli në vëmendje të audituesve progresin e KLSH-së “Për përafrimin e kuadrit rregullator dhe metodologjik me praktikat e acquis communitare, të integrimit europian” ku progresi i zhvillimit institucional pas miratimit të ligjit të ri 154/2014 konsiston në:
-Procesin e rishikimit të Strategjisë së Zhvillimit Institucional 2013-2017 dhe planit të veprimit për periudhën 2015-2017. Strategjia e miratuar me Vendimin e Kryetarit të KLSH-së nr. 42, datë 31.03.3015;
-Bazuar në Strategjinë e ripunuar të gjitha politikat menaxheriale institucionale u fokusuan në implementimin e Objektivave Strategjike të KLSH-së dhe Planin e Veprimit për periudhën në vijim;
-Hartimi i Strategjisë së implementimit të Standarteve Ndërkombëtare të Auditimit 2015-2016;
-Hartimi i manualeve të Auditimit Financiar dhe të Përputhshmërisë;
-Hartimi i Kodit të ri të etikës së KLSH-së;
-Ndryshimet e strukturës organizative;
-Hartimi i Rregullores së Brendshme e Organizimit dhe Funksionimit Administrativ të KLSH-së miratuar me Vendimin e Kryetari nr. 85, datë 30.06.2015;
-Kryerja e procesit të “Peer-Review” me Gjykatën Austriake të Auditimit (nënshkrimi i marrëveshjes se bashkëpunimit);
-Trajnimi dhe Zhvillimi Profesional i Stafit;
- Veprimtaria e KLSH-së përgjatë vitit 2015 në vazhdën e botimeve; 
-Projekti IPA 2013 për modernizimin e institucionit  perspektivat e implementimit të projektit përgjatë vitit 2016, komponentët, rezultatet, impaktet dhe implikimi i veprimtarisë departamentale përgjatë viteve të ardhshme në pilotimin e auditimeve financiare, përputhshmërisë dhe auditimeve të teknologjisë së informacionit etj

Nga audituesit e Departamentit (grupet e auditimit) u prezantuan dhe u diskutuan auditime në format trajnimi të kryera gjatë vitit kryesisht;
-Auditimi i kryer në MEI ku fokusi kryesor në këtë auditim kanë qenë, procedurat e ndjekura dhe negociatat që sollën në përgatitjen e marrëveshjes së nënshkruar nga Grupi i Punës për zgjidhjen me mirëkuptim të mosmarrëveshjes ndërmjet Shtetit Shqiptar dhe “CEZ” a.s, më datë 23.06.2014 si dhe përcjelljen e kësaj marrëveshje për miratim në Këshillin e Ministrave dhe Kuvendin e Shqipërisë ku u konstatua se; mungon dokumentacioni i  procesit të vendimarjes, nuk është marrë në konsiderate gjatë negocimit opinioni  financiar dhe teknik i Eksperteve “BDO LLP & BBH” Berlin, dëmi ekonomik i shkaktuar Buxhetit të Shtetit nga Marrëveshja e Zgjidhjes me Mirëkuptim mes Republikës së Shqipërisë dhe CEZ a.s arrin në vlerën 479 milion euro, pagesa e dakordësuar në Marrëveshje në vlerën 95 milionë euro, detyrime financiare të prapambetura, rrjedhojë e keq menaxhimit 2009-2012 në vlerën 352 milionë euro dhe zhvlerësimi në zero i vlerës se 24% te aksioneve te Shtetit në vlerën 32 milionë euro.
-Auditimi i kryer në Ministrinë e Financave u prezantua duke u fokusuar kryesisht në analizën e borxhit publik dhe kryesisht atij të jashtëm duke e trajtuar në formën e një trajnimi ku nga audituesit u trajtuan gjetjet dhe rekomandimet si:
-Në vijimësi borxhi publik regjistron një ritëm më të përshpejtuar rritës krahasuar me PBB;
-Pjesa më e madhe e stokut të borxhit të jashtëm është në Euro (rreth 57%), tendence e cila ka vazhduar deri në vitin 2014, pra huamarrja e jashtme kryesisht i referohet kësaj monedhe e cila bën që portofoli në periudhë afatgjatë të jetë i ekspozuar ndaj riskut të kursit të këmbimit.
-Në fund të vitit 2014 efekti i kursit të këmbimit mbi stokun e borxhit të jashtëm rezulton nga lëvizja e kursit të gjeneruar nga monedhat SDR dhe USD, vlerësimi i të cilave në raport me monedhën vendase lekun ka shkaktuar 85.6% të rritjes të stokut të borxhit.
-Rritja e stokut të borxhit me interesa variable dhe efektet e shtesës që mund të sjellë mbi shërbimin e borxhit nga ndryshimi i normave të interesit përbën risk dhe duhet të shoqërohet me përpjekje për ta ulur ekspozicionin e portofolit.
- Nuk janë analizuar tregues të cilët mund të masin aftësinë ripaguese të vazhdueshme ndaj kreditorëve ndërkombëtarë dhe mjaftueshmërinë e likuiditetit për ripagimin e detyrimeve ndaj borxhit të jashtëm.
-Në vijimësi borxhi i jashtëm regjistron një ritëm më të përshpejtuar rritës krahasuar me eksportin e mallrave dhe shërbimeve.
-Treguesi i borxhit të jashtëm bruto të qeverisë qendrore kundrejt të ardhurave tatimore ka një dinamikë rritëse për çdo vit,
-Niveli i borxhit shumë i lartë, mund të ndikojë në vendim marrjen e qeverisë në transferimin e të ardhurave fiskale nga shpenzimet me ndikim në ecurinë ekonomike drejt amortizimit të borxhit të jashtëm.
-Risia është Auditimi i Teknologjisë së Informacionit, i cili u prezantua në formatin e një trajnimi, në Agjencinë e Prokurimit Publik i cili nxiti interes me pyetje dhe debate ndër të tjera është konstatuar se;
-Masat e marra nga APP për sigurimin e Planit të Vazhdueshmërisë së Biznesit (BCP) dhe Planit të Rimëkëmbjes nga Katastrofat (DRP) janë të pa mjaftueshme duke sjellë një impakt në ndërprerjen e shërbimit, humbjen e informacionit dhe besueshmërisë për të cilën është rekomanduar marrjen e masave administrative dhe organizative për krijimin e planeve BCP dhe DRP.
-Nuk ka pozicion pune “Oficer Sigurie” dhe gjurmë të kryerjes së funksionimit të tij me impakt keqtrajtimin e aseteve të informacionit, cenim i integritetit të të dhënave të prokurimit, risk në qasje të paautorizuar në të dhënat për të cilin është rekomanduar plotësimi i strukturës me pozicionin e “Oficerit të Sigurisë” si dhe të ndjek zbatimin e detyrave të përcaktuara për këtë pozicion pune në Planin e Sigurisë së Agjencisë.
-Politikat  mbi gjurmët (log-et) e Sistemit të prokurimit nuk zbatohen me impakt risk në qasje të paautorizuar në të dhënat kërcënim të sigurisë në fushën e teknologjisë së informacionit dhe mungesë transparence për të cilat është rekomanduar analizimin e gjurmëve (Log-ve), dhe dokumentimi i këtij procesi, ruajtjen e një kopje të veçantë për tu përdorur në rastet e auditimit si dhe ankimimeve.
- Mbajtja dhe sinkronizimi manual i kohës (orës) të Sistemit të Prokurimit me impakt mos garantimin e transparencën së nevojshme për procedurat e prokurimit për të cilin është rekomanduar sinkronizimi automatik i orës së sistemit të prokurimit elektronik me serverin e orës së AKSHI-t.

Opinion:
-Nga auditimi i Teknologjisë së Informacionit në Agjencinë e Prokurimit Publik rezultoi se masat organizative të lidhura me sigurinë e informacionit nuk janë të mjaftueshme dhe trajtuar në mënyrë të përshtatshme, gjë që mund të çojë në shkeljet e sigurisë, keqtrajtimi i aseteve të informacionit, cenim i integritetit të të dhënave të prokurimit, risk në qasje të paautorizuar në të dhënat.
-Masat e marra nga APP për sigurimin e Planit e Vazhdueshmërisë së Biznesit (BCP) dhe Planit të Rimëkëmbjes nga Katastrofat (DRP) janë të pa mjaftueshme.

Në këtë Workshop janë mbajtur e diskutuar edhe disa punime të tjera mbi auditime të zhvilluara në Ministrinë e Punëve të Brendshme, Agjensinë kombëtare të Turizmit, Agjensinë Kombëtare të Burimeve Natyrore, Ministrinë e Arsimit dhe Sporteve, Ministrinë e Mbrojtjes etj. Gjatë prezantimeve, audituesit e departamentit vlerësuan veprimtarinë promovuese të auditimeve nëpërmjet botimit të artikujve në median e shkruar e vizive etj.

Në përfundim të Workshopit nga Drejtori i Përgjithshëm, Drejtori i Departamentit dhe audituesit u diskutuan dhe përcaktuan objektivat e departamentit për vitin e ardhshëm ndër të cilat përmendim:
-Përmirësimit i procesit të planifikimit të misionit të auditimeve;
-Konsolidimi i auditimeve të përputhshmërisë dhe angazhimi për qasjen e auditimit financiar;
-Angazhimit në auditimet pilot gjate implementimit të projektit IPA
-Pjesëmarrje aktive në trajnimet duke u fokusuar në trajnime të karakterit praktik duke shkëmbyer eksperienca dhe metodologji audituese.
-Pjesëmarrje në botimet, angazhimet në revistat shkencore e në shtypin e shkruar.
-Me gjithë arritjet e deritanishme departamenti, do të insistojë në rritjen e numrit të  auditimeve të “financiare”, kryesisht në “Çertifikimin e pasqyrave financiare” ato të
“Teknologjisë dhe Informacionit” me objektiv përmirësimin dhe ngritjen cilësore të tyre, kjo dhe si rezultat i trajnimeve të fushës brenda dhe jashtë vendit, si dhe rekrutimeve të reja me integritet dhe profesionalitet të lartë.