Departamenti i Auditimit të të Ardhurave të Buxhetit të Shtetit

 

Departamenti i Auditimit të të Ardhurave të Buxhetit të Shtetit në datat 18-19 Dhjetor 2015, zhvilloi në qytetin e Shkodrës, në  mjediset  e  Universitetit  publik  “Luigj Gurakuqi”  analizën vjetore të performancës dhe impaktin e veprimtarisë audituese të Departamentit përgjatë vitit 2015.
Në  këtë  kuadër,  analiza vjetore u organizua në formën e një Workshop-i ku ishin të ftuar edhe përfaqësues të botës akademike dhe të profesoratit të qytetit të Shkodrës,  përfaqësuar nga z. Gëzim Puka, Dekan i Universitetit “Luigj Gurakuqi”, prof.dr. Erieta Troshani, Dekane e Fakultetit të Ekonomisë, zj.Brilanda Bushati Drejtore Departamenti në Fakultetin e Ekonomisë, si dhe përfaqësues të mediave lokale, pedagogë dhe studentë të universitetit.

analizaardhurave 2015 1_copy_1


Fjalën përshëndetëse si përfaqësuese e stafit pedagogjik dhe studentëve të universitetit të Shkodrës, e mbajti prof.dr. Erieta Troshani, Dekane e Fakultetit të Ekonomisë, e cila theksoi se bashkëpunime të tilla janë frytdhënëse për stafin akademik dhe studentët në veçanti.
Krahas  audituesve  të  Departamentit  të  Auditimit  të  të  Ardhurave  të  Buxhetit të Shtetit morën pjesë edhe Drejtori i Pergjithshëm Zj.Manjola Naço, Drejtori i Departamentit Juridik dhe Kontrollit te Zbatimit te Standardeve Z.Ermal Yzeiraj të cilët përshëndetën pjesëmarrësit si dhe specialistë nga Departamenti Juridik në KLSH.

Analiza vjetore u zhvillua në dy seanca. Gjatë seancës së parë drejtoresha e Departamentit të  Auditimit  të  të  Ardhurave  të  Buxhetit të  Shtetit zj. Albana Agolli, paraqiti përformancën e punës gjatë vitit 2015, arritjet e objektivave, duke evidentuar mangësitë dhe detyrat për realizimin e tyre, pritshmëritë për të ardhmen si dhe u përcaktuan objektivat për vitin 2016.
Një vëmendje e veçantë ju kushtua fillimit të auditimeve në fushën e tatimeve, një risi e cila u bë e mundur pas përpjekjeve të vazhdueshme të Kryetarit të KLSH z.Bujar Leskaj për të zhbllokuar një situatë absurde e cila u finalizua me miratimin e Ligjit nr. 154/2014 “Mbi organizimin dhe funksionimin e KLSH”.

Miratimi i këtij ligji i cili është në përputhje të plotë me standardet ndërkombëtare të Institucioneve Supreme të Auditimit, hapi horizonte të reja për Institucionin më të Lartë Auditues Shqiptar.
Por kjo risi mbart në vetvete dhe një përgjegjësi të madhe, për rritjen e kapaciteteve audituese duke tentuar kalimin drejt një qasje moderne, dhe ngritjen e një metodologjie vlerësimi risku të bazuar në praktikat më të mira duke synuar përdorimin e burimeve në mënyrë efiçente.
Theksi u vendos kryesisht në problematikat e hasura, që çoi në mosrealizimin e programit vjetor të miratuar të auditimit, në treguesit për vitin 2015 dhe zbatimin e masave të rekomanduara, të cilat janë më  të lartat e arritura gjatë 5 viteve të fundit.

Problematikat konsistojnë në: Vështirësitë gjatë auditimit të Administratës Tatimore, nga mungesa e bashkëpunimit dhe mosvënia ne dispozicion e dokumentacionit të nevojshëm për auditim; Mungesa e praktikave më të mira, për shkak te pamundësisë se KLSH për te audituar ne vitet e mëparshme administratën tatimore; Mos planifikimi i trajnimeve të vazhdueshme në ketë fushë, të cilat duhet te ishin bërë paralelisht me zhvillimin e auditimeve.
Në  vitin  2015  janë  evaduar  18  auditime  nga  20  auditime  të  planifikuara. Nga 9 subjekte të Administratës Tatimore, të planifikuara, u audituan 6 subjekte: DP e Tatimeve dhe Drejtoritë Rajonale Tatimore Berat, Elbasan, Kukës dhe Durrës, një auditim tematik “Për rentën minerare ne sistemin tatimor” si dhe është në proces auditimi subjekti DRT Fier.

Arsyet e mosrealizimit lidhen me pengesat e administratës tatimore në vënien në dispozicion të dokumentacionit të plotë për auditim dhe hapjen e aksesit ne sistem për audituesit, gjë qe solli shtyrjen e afateve te auditimit në 5 subjekte. Për këtë arsye 3 subjekte të planifikuara, nuk u audituan gjate vitit 2015 dhe do të auditohen gjate vitit 2016 (DRT Tirane; Tatim Paguesit e Mëdhenj dhe Vlorë).
Nga analiza e zbulimeve për 14 auditimet e evaduara deri tani (pa përfshirë 4 auditimet në proces evadimi), janë evidentuar mospërputhje të veprimtarisë me kërkesat dhe kriteret e kuadrit rregullator të shoqëruara me të ardhura të munguara në shumën 4,565 milionë lekë rekomanduar 100% për zhdëmtim, nga të cilat 4,175 milionë lekë në të ardhurat në sistemin doganor dhe 390,3 milionë lekë në të ardhurat në sistemin tatimore. Në raport me vitin 2014 gjetjet janë 4.3 herë më të larta.
Krahasuar me 5 vitet e fundit përformanca e gjetjeve rezulton:  

analiz ardhurat1

Vihet re se është rritur efiçenca në punën e departamentit duke pasur trend në rritje për realizimin e objektivave, si rezultat i impenjimit, rritjes së përgjegjshmërisë së audituesve, organizimit dhe forcimit të punës në grup. Krahas auditimeve të përputhshmërisë dhe rregullushmërisë  janë kryer dhe auditime tematike dhe një auditim përformance, të cilat kanë potencialin për të pasur një impakt më të madh në përmirësimin e punës të subjekteve të audituara.
Kjo tregon se përpjekjet janë pozitive në raport me objektivin për fuqizimin, rritjen e cilësisë së auditimeve dhe fushës së tematikave të audituara në subjektet objekt auditimi.
Puna e mbështetur në analizën e riskut jo vetëm premton dhe jep rezultate në produktin që del nga auditimi, por, çfarë është më e rëndësishme, rrit efektivitetin e auditimit, por kjo nuk u vu re gjatë vitit 2015 dhe do jetë një nga sidat e departamenti në punën audituese për vitin 2016.
Në  krahasim  me  vitet  paraardhëse  gjetjet  nga  auditimet  dhe  masat  e  rekomanduara kanë ardhur në rritje nga pikëpamja cilësore megjithëse në ulje nga pikëpamja sasiore.
Janë rekomanduar 119 masa organizative, 113 masa disiplinore 20 masa administrative, 7 propozime për përmirësim të legjislacionit si dhe janë dërguar në organin e prokurorisë 4 subjekte dhe 17 persona.
Gjatë  vitit  2015,  departamenti  ka  përformuar  më  mirë  në  krahasim  me  5  vitet  e  fundit pavarësisht numrit të  audituesve të  departamentit i cili ka ardhur duke u ulur sipas grafikut të mëposhtëm.

analiz ardhurat2

Është në proces auditimi i zbatimit të rekomandimeve për vitin 2015 dhe nga rezultati i deritanishëm zbatimi i rekomandimeve ka trend ne rritje.
Objektiva të tjera: Përdorimi i IT në vlerësimin e riskut dhe auditimin nëpërmjet IT: Aksesi në database/ASYCUDA/Datech/IDEA; Forcimi i kapaciteteve audituese, Trajnimet: ASPA/ KLSH dhe institucione te tjera. Trajnimet ne fushën e fiskalitetit, shumë të nevojshme për Departamentin tonë. Organizimi i Workshop-eve vjetore në departament për të promovuar  punën audituese dhe trajnuar kapacitetet.

Janë realizuar gjithsej, rreth 400 dite trajnimi, brenda dhe jasht KLSH dhe mesatarja e departamentit, është 27 ditë trajnimi për auditues, por kanë munguar trajnimet në fushën fislkale.
Risi ka qenë dhe mbetet prezenca e audituesve të KLSH në shtypin e shkruar, të cilët nëpërmjet shkrimeve të tyre kanë bërë prezentë për lexuesit problematikat e auditimeve, zhvillimet e institucionit, si dhe rritjen e kapaciteteve audituese të stafit nëpërmjet trajnimeve, etj.

analizaardhurave 2015 3_copy_1

Në  seancën  e  dytë,  u bë prezantimi i temave të punuara nga audituesit mbështetur në punën e tyre audituese për vitin 2015: Prezantimi dhe diskutimi i auditimit “Dega e Doganës Tiranë”, prezantuar nga Kryeaudituesi V.Karafilaj, “Risku ne auditimin ne organet fiskale”, prezantuar nga audituesi E.Stefani; “Performanca e DPD dhe Dega e Doganes Korce”, prezantuar nga audituesi A.Opari; “Renta minerare në sistemin tatimor dhe doganor”, prezantuar nga audituesi A.Mirashi; “Efektiviteti i ambjenteve te marra me qira nga autoriteti doganor”, prezantuar nga audituesja B.Zeneli. Një temë mjaft interesante ishte dhe “Transferimi i çmimit” bazuar në përvojën e Gjykatës së Llogarive të Auditimit të Holandës”, përgatitur nga A.Agolli; B.Zeneli dhe E.Stefani.
Në përfundim të çdo prezantimi u zhvilluan debate dhe diskutime konstruktive për pika të veçanta auditimi që kërkojnë përmirësime në të ardhmen dhe që do të ndihmojnë audituesit në paraqitjen më cilësoren të raporteit e auditimit

Me interes të veçante u ndoq diskutimi i Drejtores së Përgjithshme zj. Manjola Naço mbi “Sfidat e Departamentit për vitin 2016, risqet potenciale dhe pritshmëritë institucionale”. Ajo vuri theksin në punën audituese në fushën fiskale, si një risi për Departamentin për vitin 2015 dhe kërkoi që viti 2016 të jetë viti ku vëmendja kryesore do të jetë tek sektori i tatimeve dhe doganave dhe gjetjet duhet të shtrihen në sistem duke synuar të sjellin rekomandime të mirëformuluara dhe të bazuara në prova dhe evidence të sakta, pasi jemi larg zhvillimit të auditimit të integritetit, si instrument kundër mashtrimit dhe korrupsionit.

Zhvillimi  i  analizës  në  formën e Workshop-it, prezantimet e auditimeve, diskutimet mbi gjetjet dhe konkluzionet e arritura, si dhe prezenca e pedagogëve dhe studentëve, pavarësia e plotë e mendimit  të tyre i dha një frymë të re zhvillimit të analizës së veprimtarisë së Departamentit ku nëpërmjet prezantimeve dhe diskutimeve rreth tyre, dolën  në  pah pika të veçanta që kërkojnë përmirësimin e tyre në të ardhmen.

Departamenti Auditimit të të Ardhurave të Buxhetit te Shtetit