Audituesit e rinj-ambasadorë të inovacionit në auditim

KLSH organizon Konferencën e Dytë Shkencore “Young ALSAI”, në kuadër të Muajit të Hapur për Qytetarët 2019

Kontrolli i Lartë i Shtetit organizoi ne datat 5-6 nëntor 2019 ne mjediset e Akademisë se Shkencave dhe ne mjediset e tij ne Tirane, Konferencën e Audituesve të rinj të KLSH-së “Young ALSAI”, me temë kryesore “Sfidat e Auditimit Publik në kontekstin e anëtarësimit të vendit në BE”.

Ne Konference morën pjese përfaqësues të Komisionit Europian, z. Raymond Hill, Përgjegjës Ekipi (Team Leader) në Drejtorinë e Përgjithshme të Buxhetit (DG-Budget) te Komisionit Evropian, z. Salvador Bertomeu Hernandez, DG-Budget dhe z.Joop Vrolijk, Ekspert i Financave Publike dhe Auditimit të Jashtëm në BE, ish-Këshilltar i Larte i SIGMA, përfaqësues nga bota akademike, nga shoqëria civile, si dhe auditues te rinj dhe auditues me eksperience te KLSH.

Ne fjalën e tij, Kryetari i KLSH, z. Bujar Leskaj theksoi se Konferenca shkencore “Young ALSAI” vjen në edicionin e saj të dytë dhe synon të shndërrohet në një aktivitet traditë për institucionin, si dhe në një pikë referimi, platformë dhe tribunë shkëmbimi eksperiencash, për nxitjen e brezit të ri të audituesve për të vijuar në karrierën e tyre profesionale në KLSH, duke thelluar dijet në auditim dhe rritur bashkëpunimin mes tyre dhe audituesve më me përvojë, si dhe me rrjetin e audituesve të rinj në SAI-t partnere në Evropë dhe më gjerë.

jang1

“Sot që po flasim”, cilësoi z. Leskaj, “në Londër po zhvillohet Konferenca e Katërt Young EUROSAI, me temë “Rëndësia: Të sigurojme që institucionet supreme të auditimit të mbeten të rëndësishme në ndryshimet e shpejta në mjedisin qeverisës”, në të cilën marrin pjesë edhe tre auditues nga KLSH. Kjo temë e konferencës ka shumë anë të ngjashme me temën e përzgjedhur nga Konferenca e dytë Young ALSAI ”Çështjet kryesore të auditimit publik në  konteksin e ndryshimeve drejt integrimit evropian të Shqipërisë”. Lind pyetja: Si po integrohemi ne si SAI, me ndihmën dhe kontributin edhe të audituesve të rinj? Si anëtar i INTOSAI-t dhe EUROSAI-t dhe partner i SAI-ve të zhvilluara të BE-së, KLSH e konsideron ndërtimin e kapaciteteve audituese një proces të vazhdueshëm, të orientuar nga rezultati dhe objektivat. Që në fillim të mandatit tim si Kryetar i KLSH-së, në platformën strategjike të prezantuar përpara Komisionit për Ekonominë dhe Financat të Kuvendit të Shqipërisë në dhjetor 2011, ndër objektivat kryesore të institucionit theksova zhvillimin e burimeve njerëzore të KLSH në nivelin e parametrave të kërkuar nga INTOSAI dhe në përputhje me sfidat integruese të vendit”.

Ne përshëndetjen e tij, z. Raymond Hill, Përgjegjës Ekipi (Team Leader) në Drejtorinë e Përgjithshme të Buxhetit (DG-Budget) te Komisionit Evropian falënderoi për ftesën dhe për iniciativën e veçantë të KLSH-së për promovimin e audituesve te rinj. Diskutimi i tij u përqendrua në Kontrollin e Brendshëm, në kontekstin në të cilin ai operon, në përgjegjshmërinë e menaxherëve që drejtojnë kontrollin e brendshëm dhe në reformat që duhen ndërmarrë për rritjen e efektivitetit të Kontrollit të Brendshëm.

Ne diskutimin e tij, z. Joop Vrolijk, Ekspert i Financave Publike dhe Auditimit të Jashtëm në BE u fokusua në auditimin e fondeve IPA, duke filluar me strukturat që menaxhojnë fondet IPA deri tek auditimi i tyre. Shqipëria ka marrë fonde IPA në tre fusha kryesore : ndërtimi i kapaciteteve, bujqësia dhe zhvillimi rural, bashkëpunimi rajonal dhe territorial. Zoti Vrolijk vlerësoi në fund ndryshimet pozitive që ka pasur KLSH, veçanërisht në vitet e fundit.

Zoti Salvador Bertomeu Hernandez, DG-Budget u përqendrua në ndryshimet që duhen bërë në fushën e auditimit të jashtëm për t’u përgatitur për anëtarësimin në BE.

Panelistët dhe diskutuesit e shumtë në Konferencë theksuan se KLSH, gjatë periudhës 2012–2019, ka punuar që trupa audituese të zhvillohet, mbi të gjitha në drejtim të krijimit të një profili të lartë profesional, me auditues me eksperiencë, të kombinuar me auditues të rinj, që zotërojnë dije, aftësi dhe integritet në nivelet e audituesve të SAI-ve të zhvilluara evropiane. Institucioni është përpjekur të rekrutojmë sa më shumë auditues të rinj, i bindur në vlerën e shtuar që ata sjellin me mendësinë e re në qasjet inovative në auditim. Gjatë kësaj periudhe, KLSH ka rritur dhe diversifikuar përbërjen profesionale të stafit, duke ulur ndjeshëm moshën mesatare të punonjësve nga 52 vjeç në vitin 2011, në 42.6 vjeç në fund të vitit 2018.

jang2


Me qëllim përmirësimin e performancës së tyre në auditim, si dhe për të fituar njohuri e teknika të reja, një pjesë e punonjësve të rinj kanë përfunduar studimet universitare në degë të dyta apo zotërojnë çertifikata profesionale të njohura në nivel kombëtar e ndërkombëtar. Nëntë auditues, ndër të cilët shtatë janë auditues të rinj, kanë çertifikata të trajnimeve të zhvilluara on-line nga IDI, Inisiativa për Zhvillim e INTOSAI-t, 20 auditues të rinj kanë marrë pjesë në internship-et e Gjykatës Evropiane të Audituesve (ECA) dhe 6 auditues në felloëship-et e Zyrës së Llogaridhënies Qeveritare të Shteteve të Bashkuara (GAO).

Politika e ndjekur nga KLSH për zhvillimin e kapaciteteve audituese, e mbështetur nga Strategjia e tij e Zhvillimit 2013–2017, e rishikuar, si dhe me pas nga Strategjia e Zhvillimit 2018-2022, ka synuar rekrutimin dhe mbajtjen e audituesve të rinj të  aftë, të përkushtuar e të motivuar për të kontribuar në zhvillimin individual dhe më pas për të gjithë institucionin.

Në Konferencë referuan dhe paraqitën punimet e tyre 29 auditues të rinj dhe punimet e  saj u ndoqën nga 100 pjesëmarrës.

Ne ditën e dyte te Konferencës, u trajtuan gjerësisht temat si auditimi jashtëm publik në vendet e BE-së, rregulloret dhe direktivat qe lidhen me auditimin e fondeve të asistencës  dhe përfafrimi legjislacionit me Acquis  Communitaire, sistemet e menaxhimit te asistencës, marrëveshjet kuadër përfshirë : strukturat, rolet dhe rregullat  e funksionimit, IPA si instrument i mbështetjes financiare të BE-së për vendet që aspirojnë integrimin, qasja e auditimit dhe llojet e auditimit për fondet e IPA-s, analiza e riskut në auditimin e fondeve të asistencës së BE-së, Gjykata Evropiane e Audituesve (ECA) dhe auditimi i programeve të financimit, vlerësimi i riskut të projekteve, etj. 

Konferenca “Young ALSAI 2” përcolli mesazhet qendrore, të tilla si:

1. KLSH duhet të orientojë gjithnjë e më shumë audituesit e tij, sidomos ata te rinj në përdorimin e Sistemit të Informacionit për Menaxhimin dhe Mbështetjen e Proceseve të Auditimit, të quajtur RevZone, si dhe në auditimet e sistemeve të informacionit, të bazave masive të të dhënave Big Data.

2. Institucioni ka krijuar bazën e të dhënave për subjektet e auditimit IT (ICTS Database) dhe ka zhvilluar Manualin Aktiv të Auditimit të Teknologjisë së Informacionit, i cili u testua në një auditim pilot, u përmirësua edhe me kontributin modest të audituesve të Teknologjisë së Informacionit të KLSH(në pjesën dërrmuese i përbërë nga auditues të rinj), u prezantua në disa evente të grupeve të punës së TI të EUROSAI-t dhe INTOSAI-t dhe po implementohet si një inovacion në fushën e auditimit nga komuniteti ndërkombëtar i Auditimit i T.I.

3. KLSH ka themeluar dhe po konsolidon këtë vit Departamentin e Auditimeve Inovative dhe të Sistemeve, në reflektim të plotë të mesazheve të Kongresit të XXIII-të të INTOSAI-t, zhvilluar në Moskë në shtator 2019 dhe të ndryshimit të qeverisjes publike që po bëhet gjithnjë e më tepër dixhitale në ofrimin e shërbimeve publike ndaj qytetarit.

Konferenca është aktiviteti i parë i Muajit të Hapur për Qytetarët 2019, i cili ka arritur në edicionin e tij të tretë dhe është shndërruar në një traditë transparence dhe komunikimi për institucionin. Nëpërmjet Muajit të Hapur, ne synojmë të arrijmë transparencën e aktivitetit të KLSH, si dhe një komunikim gjithëpërmasor dhe të pandërprerë me qytetarët.

Fjala e Kryetarit të KLSH z. Bujar Leskaj në Konferencën Young ALSAI